E-Diaspora

Dhuna e gruas ndaj burrit: “Ajo më godiste edhe para fëmijëve

Dhuna familjare e grave ndaj burrave në Zvicër: Kjo është një tabu temë e madhe. Pak nga ta kanë guximin dhe forcën për të folur, për dhunën në familje që gratë e ushtrojnë ndaj burrave. Zvicerani Andreas B. (36) është njëri prej tyre. Në një shkrim të “Blick”, ai e ka përshkruar historinë e tij, informon Albinfo.ch.

Ai kishte ndjesinë sikur të ishte një bretkocë në një tigan, në të cilin kuzhinieri ngadalë por sigurt, po e ngrohte ujin. Me këtë përshkrim, Andreas B. (36) i krahason vitet e tij të tmerrit. Ai ishte viktimë e bashkëshortes së tij: “Në fillim të marrëdhënies ajo nevrikosej përse unë nuk jam i gatshëm për konflikt”. Por, kur para katër vitesh lindi fëmija i parë dhe më vonë edhe i dyti, kërkesat e tepërta të gruas së tij arritën kulmin me forcë brutale.

Ajo e rrahu hiq më pak se mbi njëqind herë: “Shpesh më qëllonte në kokë, ku gungat nuk ishin të dukshme. Ndonjëherë gjithashtu më godiste edhe në fytyrë ose rreth qafës apo krahërorit, kështu që paraqitej mavijosje”. Andreas B. turpërohet kur flet për lëndimet e tij që ia shkaktoi bashkëshortja. Por për te më së keqi ishte : “Kur ajo më goditi para fëmijëve”, informon më tej Albinfo.ch.

Asnjëherë nuk ia kishte kthyer dorën: “Unë e urrej dhunën dhe nuk doja ta ndjeja veten fajtor për diçka”. Nga frika se gjatë ndarjes do të mund t`i humbiste fëmijët, ai i duroi të gjitha pa u ankuar. Gruaja e tij gjithashtu e kërcënoi se ta çonte në burg, me deklarata të rreme – për shembull, abuzimin e fëmijëve. Andreas B. shton: “Ajo ushtronte shumë presion, kështu që çdo gjë shkonte sipas saj”.

Ai po shpresonte për kohë të gjatë se situata do të përmirësohej: “E dija se kjo marrëdhënie është e dobët. Mendoja se ishte duke vepruar kështu vetëm pasi nuk është e kënaqur. Kjo është arsyeja përse për vite të tëra i pagova një trajnim dhe përkujdesjen ndaj fëmijëve. Por asgjë nuk ndryshoi. Ajo më kërcënoi se do të më lë me fëmijët dhe do të më shkatërrojë financiarisht, deri sa unë të vdes në varfëri”, njofton më tej Albinfo.ch.

Zvicerani rreth tridhjetvjeçar, u përpoq shumë për t`i shpëtuar spirales së dhunës: “Fillova t`i fotografoj lëndimet. Pastaj, kur një herë më mbylli përsëri, për herë të parë e thirra policinë”.

Në atë kohë, mosmarrëveshja ishte përshkallëzuar pasi gruaja e kishte tërhequr për veshi fëmijën më të madh. “I thashë që ajo nuk duhet ta prekë, pastaj më goditi me një shishe uji. Edhe pse e kisha fëmijën në krahët e mi”.

Një fundjavë e Pashkëve po afrohej: “Gjatë të premtes, ajo përsëri më goditi dhe më mbyll”. Kjo ishte e tepërt. Pasuan katër ditë ndërhyrje nga shërbimet psikiatrike, policia dhe një bisedë me organet përkatëse për kujdesin ndaj fëmijëve (kesb), informon Albinfo.ch. Andreas B. megjithatë kthehet në shtëpi: “Papritmas ajo u largua për një javë pa paralajmërim, për të vazhduar studimet e saj. Unë mbeta të qëndroj me fëmijët, por isha ende në punë provuese dhe e humba ate”.

Vetëm kur ai mori mbështetje nga ndihma për viktimat, një avokat dhe Kesb, ai me fëmijët është dërguar në një shtëpi, ku mund të banojë për disa muaj. “Jam shumë i lumtur që tani pala e tretë mund të gjykojnë se si kujdesem për fëmijët. Sepse kisha frikë nga deklaratat e rreme”.

Pak kohë më vonë, ai gjen një punë të re dhe një banesë. Sot, Andreas B. punon 40 për qind, në kohën e mbetur kujdeset për fëmijët: “Jam duke jetuar buzë greminës së ekzistencës, por jam i kënaqur. Sepse më në fund ndjehem i lirë dhe kam përsëri kam krijuar një ambient shoqëror”, informon Albinfo.ch.

Në ndërkohë, është inicuar një procedurë për të drejtat bashkëshortore. Në këtë moment kujdesin ndaj fëmijëve e ndajnë përgjysmë me nënën e fëmijëve: “Megjithatë nuk pajtohem me këtë vendim. Edhe pse ajo ishte e dhunshme dhe vazhdimisht shkelte rregullat e përkujdesit, tani ajo ka marr gjysmën e të drejtës për përkujdesin ndaj fëmijëve. Nuk mund ta kuptoj këtë”. Mirëpo, kjo është vetëm një zgjidhje e përkohshme. Së shpejti, një gjykatës do të vendos nëse Andreas B. do ta marr të drejtën e plotë të përkujdesjes ndaj fëmijëve, apo jo. Ai është i vetëdijshëm: “Ende mund të humbas çdo gjë dhe kjo më rëndon shumë”.