Kosova

Diaspora kosovare, me ligj modern që garanton identitetin e saj

Një projektligj modern që pritet shumë shpejt të jetësohet në Kosovë, garanton dhe mbron diasporën kosovare me të gjitha ngjyrat e saj, nga identiteti kombëtar deri të sporti, shkenca e ekonomia. Albinfo.ch jep në pika të shkurtra detajet e këtij draft-ligji

Diaspora kosovare shumë shpejt do të bëhet me një ligj modernë, që mbron të drejtat mërgimtarëve jashtë atdheut dhe u jep atyre hapësirë ligjore për të votuar, investuar dhe kthyer në vendlindje. Projektligji për Diasporës është hartuar dhe shumë shpejt pritet të miratohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Siç thuhet në dispozitat hyrëse, ky ligj ka për qëllim rregullimin e raporteve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe pjesëtarëve të diasporës, përcaktimin e statusit të pjesëtarëve të diasporës, mbrojtjen e të drejtave sociale dhe politike si dhe interesave tjera të diasporës, përfshirë këtu edhe përgjegjësitë që kanë autoritetet e Kosovës për mërgatën.

Ky projektligj që e plason albinfo.ch, parashikon përmirësimin e statusit dhe mbrojtjen e të drejtave sociale dhe politike si dhe interesave  të pjesëtarëve të diasporës.

Sipas këtij projektligji, “pjesëtarët e diasporës nënkupton, pjesëtarët e komunitetit të njerëzve me prejardhje nga Kosova të cilët jetojnë jashtë vendit, por që kanë lidhje aktive fizike apo emocionale me atdheun apo tek të cilët ekziston vetëdija kolektive për identitetin e tyre dhe vendin e origjinës, duke përfshirë emigrantët dhe pasardhësit e tyre  si dhe ata që kanë ndihmuar diasporën dhe pavarësinë e Kosovës”.

Në këtë projektligj përcaktohen të gjitha definicionet për mërgatën kosovare, përfshirë raportet me atdheun, raportet e brendshme në diasporë, bashkëpunimin e jashtëm të diasporës dhe koordinimin me atdheun, përfshirë këtu edhe investimet dhe siguria e atyre investimeve në vendlindje.

Po ashtu me këtë projektligj, caktohet “Dita e Diasporës” e cila mbahet çdo vit kalendarik, me datën 2 gusht. Në këtë ditë, Ministria e Diasporës ndanë çmimet vjetore të meritave për personat, shoqatat dhe institucionet për kontribut të shquar në forcimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit në mes të Republikës së Kosovës dhe pjesëtarëve të diasporës .

Gjithashtu ky projektligj parashikon edhe obligimet që ka Kosova për diasporën, që nënkupton themelimin e Qendrave Kulturore të Diasporës, të cilat janë institucione përgjegjëse për koordinimin dhe zbatimin e aktiviteteve në diasporë, brenda fushëveprimit të saj.

Qendra Kulturore e Diasporës ka për qëllim kryesor ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit kombëtar, gjuhësor dhe kulturor të pjesëtarëve të diasporës si dhe promovimin e kulturës në shtetin pritës. Po ashtu ligji i obligon institucionet kosovare që të kujdesën për ruajtjen e gjuhës amtare dhe organizimi i mësimit plotësues në diasporë.

Gjithashtu me këtë projektligj, Qeveria dhe institucionet kosovare obligohen që të organizojnë vizita të nxënësve, studentëve dhe të rinjve në atdhe, organizime të  shkollave verore/dimërore, kampeve, programeve të ndryshme kulturore dhe arsimore, si dhe praktikave profesionale.

Ndërsa Radiotelevizioni i Kosovës obligohet që të sigurojë gjashtë (6%) deri në nëntë (9%) për qind të skemës programore mujore për program dedikuar çështjeve që kanë të bëjnë me diasporën.

RTK në zbatim të detyrimeve ligjore, harton planin dhe programin e operimit për radio dhe televizion, dhe shërbimet publike të transmetimit për pjesëtarët e diasporës, si dhe rregullojnë orarin dhe mënyrën e transmetimit duke e bërë të qasshëm për pjesëtarët e diasporës.

Dhe në fund, ligji parashikon edhe statusin e pjesëtarit të diasporës dhe marrjen e nënshtetësisë kosovare.

“Statusi i pjesëtarit të diasporës mund të fitohet nga qytetarët e Republikës së Kosovës që jetojnë jashtë vendit, nga ata qytetarë me prejardhje nga Kosova por pa shtetësi, bashkëshortët e tyre pa origjinë nga Kosova, fëmijët e tyre (të lindur dhe adoptuar), e të cilët kanë kontribuar në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe avancimin e unitetit kulturor”.

Projektligji, derisa nuk është miratuar mund të pësoj ndryshme, por në substancë parashikon edhe bashkëpunimin në aspektin sportiv, në ruajtjen e trurit dhe shfrytëzimin e tij në vendlindje, bashkëpunimin shkencor, arkivor e muzeor dhe demogarfik.

Ky ligj, në periudhën që hyn në fuqi, shfuqizon Ligjin e vjetër për diasporën dhe mërgatën të miratuar në korrik të vitit 2012.