Tematike

“Diaspora për zhvillim”, projekt i ri i DEZA-s në Kosovë

Qëllimi i projektit është nxitja dhe ndërmjetësimi i bashkëpunimit në mes të komunave dhe qytetarëve që ato komuna kanë jashtë vendit

Një projekt i ri për diasporën e Kosovës në Zvicër, i financuar nga DEZA (Drejtoria për ndihmë dhe bashkëpunim e Zvicrës) është prezantuar të premten në lokalet e Solidar Suisse, në Cyrih. Bartës i projektit që mban emrin “Diaspora for Development” (Diaspora për zhvillim) është OJQ „Institute for Management and Development” me seli në Prishtinë.

Në prezantimin e projektit që bëri kreu i kësaj OJQ-je, Elbasan Morina, shpalosi prioritetet dhe synimet e projektit, që i referohet zhvillimit të raporteve në mes të diasporës dhe institucioneve të Kosovës. Ndër qëllimet e proklamuara janë krijimi i kornizave për investimin dhe transferin e know-how të diasporës në Kosovë, pastaj informimi i diasporës rreth mundësive për investim dhe për shërbimet që mund të ofrojnë institucionet e atjeshme si dhe për transferimin e të hollave në Kosovë etj.

 © albinfo.ch Nga debati

Për të jetësuar këto synime, do të ketë një fond nga DEZA, i cili do të financojë projektet e veçanta.

“Fillimisht, si një fazë provuese, kemi bërë marrëveshje me tri komuna të Kosovës, të cilat kanë shprehur gatishmëri për bashkëpunim në këtë projekt. Fjala është për komunën e Pejës, të Gjilanit dhe atë të Suharekës. Kjo nuk do të thotë se komunat tjera janë të përjashtuara, por kjo është faza e parë, provuese e projektit.

 

Po ashtu duhet thënë se krerët e Suharekës dhe të Gjilanit kanë shprehur gatishmërinë për bashkëpunim me projektin „Diaspora për Zhvillim”, mirëpo pritet që në muajt në vazhdim edhe komunat tjera të angazhohen dhe të ofrojnë shërbime më cilësore për Diasporën.

 

Sipas Morinës, numri i madh i qytetarëve që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit nga komunat përkatëse, ka qenë mbase edhe motiv shtesë i krerëve të atyre komunave për tu përfshirë në këtë projekt. Ai në këtë kontekst ka përmendur komunën e Suharekës, e cila, sipas statistikave të veta, ka jashtë vendit rreth 35 për qind të qytetarëve të saj.

Në prezantimin e projektit është inkuadruar edhe Shpresa Kastrati nga OJQ-ja e përmendur. Ndërsa Barbara Burri dhe Christoph Baumann, të cilët përmes organizatës Solidar Suisse kanë fituar një mandat këshillëdhënës për këtë projekt, kanë folur po kështu për mundësitë që ofron projekti.

Siç kanë potencuar disa herë prezantuesit, projekti “Diaspora për Zhvillim” është fare në fillim të punës së tij. Ai ka startuar më 1 janar dhe ende nuk mund të bëhet fjalë për rezultate konkrete. Sipas tyre, takimi i bërë në Cyrih më shumë do të shërbente për njohjen e terrenit dhe për prezantimin fillestar të projektit para subjekteve të ndryshme të diasporës së këtushme shqiptare.

Elbasan Morina u është përgjigjur pyetjeve të shumta të të pranishmëve në lidhje me veçantitë që ka ky projekt në krahasim me projekte tjera të ngjashme që janë zhvilluar në Kosovë. “Qëllimi i projektit tonë është nxitja dhe ndërmjetësimi i bashkëpunimit në mes të komunave dhe qytetarëve që ato komuna kanë në Zvicër (po edhe në Gjermani), për financimin e projekteve me vlerë për qytetarët”, ka thënë ai.

Projektet duhet të jenë konkrete dhe prej tyre të përfitojnë palët e përfshira: bashkatdhetarët, qytetarët e komunës përkatëse por edhe vetë komuna.