Integrimi

Dikur refugjatë, sot avokatë në Bernë

“Maleta” është avokatura e parë e një shqiptari në Bernë, e themeluar nga avokati Armend Maleta. Ai dhe vëllai i tij, Ariani, po ashtu avokat, përfaqësojnë një rrëfim suksesi për shqiptarët e Zvicrës

Kanë ardhur në Zvicër si fëmijë, njëri 8 dhe tjetri 10 vjeç, jo nga Kosova por nga Maqedonia, ku babai i tyre, Jahiri, kishte shërbyer si ushtarak madhor në ushtrinë ish jugosllave. Arian dhe Armend Maleta kanë lindur në Sarajevë, nga martesa e babait, Jahirit me nënën Elma.

Fillimi në mesin e ri, ngjan me fillimet e shumicës së fëmijëve migrantë: gjuha, përshtatja dhe mentaliteti ishin të vështira edhe për Arianin dhe Armendin. Vullneti i madh për të ecur përpara, me përkrahjen, motivimin dhe ndihmën e prindërve bëjnë që ata shumë shpejt se bashku të integrohen në shkollë dhe shoqëri. Suksesi në shkollën fillore dhe notat e larta ua mundësojnë që ta regjistrojnë dhe mbarojnë gjimnazin – që kudo në Zvicër konsiderohet si shkollë elitare – dhe, për më tepër, ta kryejnë edhe universitetin. Të dy kanë zgjedhur Fakultetin Juridik, të cilin e kanë mbaruar me kohë dhe me sukses.

Në mes të futbollit dhe drejtësisë, zgjedhin drejtësinë

Armendi, si tip më iniciativ, i cili shprehet me një shqipe të pastër dhe me elokuencë, që nga shkolla fillore e “ka ditur” se do të studionte për drejtësi ose për mësues. Motivi tjetër që e ka shtyrë në këtë drejtim ishte, mbase duket e çuditshme, sporti. “Ne të dy, por Ariani më shumë, jemi marrë si fëmijë me futboll. Madje Ariani ka qëndruar rreth dy vite në Skoci (Glasgow) si talent për futboll profesional. Dëmtimi i hershem i ligamenteve dhe fakti se ishim nxënës të mirë të gjimnazit, i bëri prindërit tanë të na këshillonin që të braktisnim futbollin. Dhe kështu vepruam. “Por, përvoja ime me futbollin më ka inspiruar që tash, si avokat, krahas angazhimeve tjera, të merrem edhe me përfaqësimin dhe menaxhimin e sportistëve, gjegjësisht futbollistëve”, shprehet Armendi. Gjithashtu, orientimi i tij sportiv, ka bërë mbase që edhe si jurist të jetë më aktiv, të përfaqësojë palët, gjegjësisht të jetë avokat i proceseve dhe jo të punojë vetëm nga zyra.

Armend Maleta

Puna paralele e Armendit si avokat dhe në projekte ndërkombëtare

Në vitin 2010 ka diplomuar në Fakultetin Juridk të Bernës ndërsa në vitin 2013 ka mbaruar edhe provimin e avokaturës dhe ka marrë licencën e avokatit. “Shpejt vendosa të jem avokat i pavarur dhe paralelisht jam punësuar në disa zyra avokatie në Cyrih për projekte ndërkombëtare, ndër më të mëdhatë në Zvicër, si: “Lenz & Staehelin”, “Schellenberg Wittmer” dhe “Niederer Kraft Frey”. Në këto vende pune kam përfituar shumë, që sot ta kem më lehtë të gjendem në raste specifike”, sqaron Armendi. Ndërkaq, me lindjen, në vitin 2016 të vajzës, Aulonës, puna në Cyrih ishte ngarkesë shumë e madhe, prandaj është orientuar nga viti 2017 vetëm në Bernë, ku që nga viti 2014 ai tashmë e kishte avokaturën.

Fushat me të cilat merret në avokaturën “Maleta” janë: të drejtat private dhe të personave, e drejta familjare, e drejta e punës, ajo e qirasë, të drejtat e kontratave, e drejta penale, të drejtat në komunikacion. Po ashtu merret me të drejtat sportive, të përfaqësimit, menaxhimi, këshillimi juridik i sportistëve, transferet e tyre etj.

Plotësojnë njëri tjetrin me kompetencat në fushat përkatëse

Ndërsa lidhur me bashkëpunimin me Arianin, Armendi thotë: “aty ku ai është më kompetent, punojmë bashkë, si në të drejtën e kompanive, në themelimin e firmave, struktura të ndryshme dhe në të drejtën tatimore. Këtu e shfrytëzoj kompetencën e tij. Ndërsa unë merrem edhe me të drejtat e të huajve ose nga fusha e migracionit. Duhet të theksoj se më kontaktojnë mjaft shqiptarë jo vetëm nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia por edhe nga vende të largëta si nga Libia etj., që interesohen për të drejtat e biznesit, të drejtat bankare në Zvicër etj. Rreth çështjeve që lidhen me të drejtat e të huajve dhe migracionin, kemi raste të kërkesave edhe të ballkanasve tjerë dhe jo vetëm të shqiptarëve”. Dhe këtu Armendi me Arianin kanë edhe një përparësi, pasi që njësoj si shqipen i njohin edhe gjuhët e ish Jugosllavisë.

E drejta familjare dhe ajo e fëmijëve është po ashtu një fushë me të cilën avokatura “Maleta” ka angazhime të shumta. “Në një kohë kur rreth 50% të martesave në Zvicër, edhe ato në mes të të huajve, prishen pas një kohe, kjo është një fushë që sjell shumë punë. Kështu ndodh që për vetëm një rast shkurorëzimi, për shkak të kompleksitetit të lëndës, të bëhen disa procese në lëmenj të ndryshëm dhe që marrin disa vite punë”.

Sa i përket specializimit për njërën ose fushën tjetër, Armendi thotë se vetë provimi i avokaturës në Bernë është shumë kompleks dhe ka disa provime më shumë se në kantone tjera, prandaj garanton një përgatitje gjithëpërfshirëse. Megjithatë, ka mundësi specializimi ose përcaktimi për një fushë, gjatë përvojës.

Ariani nuk u bë dot futbollist por u bë avokat i suksesshëm dhe ekspert i lartë i tatimeve

Arian Maleta

Ngjashëm, por për gjithçka dy vjet më herët, ka rrjedhur edhe jeta e Arianit. Me një ndryshim: “Unë nuk kam pasur ndonjë ambicie të veçantë për juridik ose për çfarëdo drejtimi tjetër të studimeve. Përveç pasionit që si fëmijë dhe i ri e kam pasur për futbollin, nuk mund të them se kam pasur ndonjë përcaktim konkret për drejtimin që kam marrë”, shprehet Ariani. Por, pavarësisht kësaj, “ai ka qenë, gjithmonë nxënës dhe student më i mirë se unë” ndërhyn disa herë vëllai i tij i vogël, Armendi. “Kam pasur fatin që ai ka qenë dy vite para meje dhe gjithmonë e ka shtruar rrugën nga do të kaloja unë”, shprehet mirënjohës ai.

Kur bie fjala për futbollin, Ariani nuk e fsheh dot dhembjen për faktin që ishte detyruar ta braktiste këtë sport, ndonëse kishte të dhëna të veçanta dhe pasion të madh për lojën me top. “Kisha shkuar në Skoci me shpresa të mëdha për ta vazhduar karrierën si profesionist në futboll, pas mbarimit të gjimnazit në Bernë. Por u bë si u bë, i lëndova ligamentet dhe mu desh madje të operohesha tri herë.

Pastaj, vendosa pothuaj rastësisht të studioja juridikun dhe e mbarova me kohë dhe sukses shumë të lartë. Pas dhënies së provimit të avokaturës, fillova punën më 1 janar 2012 në avokaturën e madhe “Lenz & Staehelin” dhe më vonë në bankën “Credit Suisse” në Cyrih. Gjatë punës në Cyrih e kam kryer edhe shkollimin për ekspert të tatimeve të Zvicrës. Kjo ka zgjatur 4 vjet praksë dhe 3 vjet shkollim që, për mua, ka qenë më e vështirë se dhënia e provimit shtetëror për avokat. Kështu, unë sot punoj vetëm me tatime dhe me të drejtën ekonomike për firma të ndryshme, nuk shkoj në procese gjyqësore por më shumë kam punë me shkrim.

I involvuar në zgjidhjen e disputit mes SHBA-së dhe Zvicrës për tatimet

Në këtë lëm ka mjaft punë pasi që si sektor ai luan një rol në çdo fushë të drejtësisë. Një kombinim i tillë profesionesh nuk është aq i shpeshtë në Zvicër kështu që kërkesat janë të mëdha. Dua ta cek edhe nje fakt, se kam qenë i involvuar në zgjidhjen e disputit mes SHBA-së dhe Zvicrës për çështje tatimore”, na e zbulon Ariani.

Deri në vitin 2017 ka punuar në Cyrih në vendet e përmendura, ndërsa nga ky vit punon në Bernë si avokat i pavarur dhe ekspert i tatimeve.

Sa i përket bashkëpunimit me Armendin, Ariani thotë: “Është e thjeshtë, të gjitha lëndët që kanë të bëjnë me tatimet, Armendi mi sjell mua ndërsa unë ia bart atij të gjitha ato që nuk kanë të bëjnë me tatimet”. Shpesh bëjnë punë të përbashkëta kur lëndët që kanë nëpër duar, ndërthuren dhe kërkojnë kompetencën e të dyve. “Për këtë kemi kërkesa nga bashaktdhetarët tanë të bëjmë një firmë kontabiliteti, diçka si “Maleta Treuhand”, ku do të merremi me çështjet juridike dhe ekonomike, të kontabilitetit dhe optimimin e tatimeve”, thotë Armendi. “Është në natyrën e klientëve, sidomos atyre shqiptarë, që të kërkojnë konsultimet dhe zgjidhjen e të gjitha problemeve në një zyrë. Këtë duam t`ua krijojmë ne, me ndihmën edhe të ekspertëve tjerë”, ndërhyn Ariani. Sigurisht, thotë Armendi, kemi dëshirë që t`u ofrojmë mundësinë edhe ekspertëve të rinj shqiptarë të fushave përkatëse që të punojnë në këtë firmë.

Kompetenca sociale, në plan të parë

“Profesioni është shumë interesant, nuk ka monotoni. Për mua ka shumë rëndësi edhe komponenta sociale e avokatit. Edhe pse kam pasur sukses dhe nota të larta gjatë studimeve, them se, po nuk e pate kompetencën sociale dhe përvojën që fitohet nga kontaktet me njerëzit dhe problemet e tyre, nuk mund të jesh avokat i mirë”, thotë Ariani.