Lajme
Dinamika e tragjedisë në Crans-Montana që la shumë të vdekur nga zjarri shkatërrues në një lokal në bodrum
Zjarri në Crans-Montana: dalja e vetme dhe përhapja e shpejtë e flakëve
Platforma mediale Albinfo.ch ka raportuar që nga mëngjesi i 1 janarit për rastin tragjikë në Crans-Montana që la shumë të vdekur nga zjarri shkatërrues në një lokal në bodrum që kishte vetëm një dalje.
Zjarri që u përhap me shpejtësi marramendëse brenda një lokali nate në Crans-Montana u kthye në një tragjedi të rëndë në orët e para të Vitit të Ri 2026. Bilanci është tragjik sipas autoriteteve zvicerane, tashmë numri ka shkuar në 47 persona që humbën jetën dhe rreth 100 të tjerë mbetën të plagosur, shumë prej tyre në gjendje të rëndë, që po luftojnë me jetën thonë organet shëndetësore.
Sipas autoriteteve zvicerane, zjarri shpërtheu rreth orës 01:30 të mëngjesit të 1 janarit 2026, në barin “Le Constellation”, një ambient në bodrum ku po festonin të paktën 200 të rinj. Brenda pak minutash, lokali u përfshi nga flakët, pa lënë pothuajse asnjë mundësi shpëtimi.
Çfarë dihet deri tani
Këshilltari i Shtetit, Stéphane Ganzer, duke folur për televizionin publik zviceran, deklaroi se zjarri është përhapur shumë shpejt, duke shkaktuar shpërthime të njëpasnjëshme që e kthyen sallën e barit në një “kurth vdekjeje”.
Hetimet janë në fazë intensive. Prokurorja e Përgjithshme e kantonit, Beatrice Pilloud, në konferencën e parë për shtyp, përjashtoi kategorikisht hipotezën e një atentati, duke theksuar se bëhet fjalë për një aksident tragjik. Shkaqet e sakta, megjithatë, mbeten ende për t’u përcaktuar.
Hipotezat për shkakun e zjarrit
Një nga pistat e para të hetimit lidhet me përdorimin e mjeteve piroteknike ose qirinjve shkëlqyesbrenda lokalit. Ambasadori italian në Zvicër, Gian Lorenzo Cornado, përmendi mundësinë e fishekzjarrëve të ndezur brenda ambientit, por autoritetet hetuese nuk kanë konfirmuar ende këtë version.
Disa dëshmi flasin për qirinj shkëlqyes të vendosur mbi shishet e shampanjës, të ndezur nga kamarierët gjatë festimeve. Dy të rinj francezë, të intervistuar nga BFMTV, thanë se njëri prej këtyre qirinjve ishte afruar shumë pranë tavanit prej druri, i cili mori flakë pothuajse menjëherë. “Brenda pak sekondash gjithçka ishte në zjarr,” thanë ata.
Një tjetër dëshmitar konfirmoi praninë e yjeve shkëlqyes dhe rrëfeu se shkëndijat ndezën elemente të tavanit, duke bërë që flakët të përhapeshin me shpejtësi në të gjithë ambientin.
Dalja e vetme dhe ambienti i ngushtë
Një element kyç në rritjen e numrit të viktimave duket të ketë qenë mungesa e rrugëve të sigurta të evakuimit. Lokali ndodhej në bodrum dhe, sipas disa dëshmive, kishte vetëm një dalje të ngushtë.
“Të gjithë po shtyheshin. Dera ishte shumë e vogël për kaq shumë njerëz. Disa thyen dritaret për të shpëtuar,” thanë dy vajza për televizionin francez. Zjarrfikëset, sipas tyre, mbërritën brenda pak minutash, por situata kishte dalë tashmë jashtë kontrollit.
Gjatë konferencës për shtyp, prokurorja Pilloud konfirmoi se shkalla e daljes ishte e ngushtë, pa dhënë ende vlerësime mbi përputhshmërinë e lokalit me standardet e sigurisë.
Dëshmitë tronditëse
Zv/kryetarja e Asconas, Michela Ris, e cituar nga mediat zvicerane, përshkroi skena tmerri:
“Disa djem dhe vajza dolën nga lokali të gjakosur, disa pa rroba. Ishte një masakër e vërtetë.”
Një dëshmitar tjetër, Jeoffroy D’Amecourt, i tha RadioTelevisione Svizzera se kishte dëgjuar një shpërthim shumë të fortë, por mohoi që të ishte fishekzjarr: “Zhurma ishte krejt tjetër.”
Fenomeni ‘flashover’ – çfarë ndodhi brenda lokalit
Autoritetet konfirmuan se brenda lokalit ndodhi një fenomen i njohur si “flashover”, një situatë jashtëzakonisht e rrezikshme ku zjarri kalon brenda sekondash nga një vatër e kufizuar në një zjarr të përgjithshëm.
Në këto raste, nxehtësia grumbullohet nën tavan, gazrat e djegies përhapen dhe temperatura rritet deri në disa qindra gradë, duke shkaktuar ndezjen e menjëhershme të materialeve të djegshme. Në një ambient të mbyllur dhe të mbipopulluar, mbijetesa bëhet pothuajse e pamundur.
Hetimet vazhdojnë
Autoritetet po analizojnë materialet e përdorura në rikonstruksionin e fundit të lokalit, funksionimin e sistemeve kundër zjarrit dhe respektimin e normave të sigurisë. Çdo hipotezë mbetet e hapur, ndërsa Zvicra është tronditur nga një prej tragjedive më të rënda të viteve të fundit.
E-Diaspora
-
Rritet fluksi në dalje të kufijve të Kosovës, pritje deri në 80 minuta në Merdarë Kthimi i diasporës shton pritjet në kufij... -
Nis numërimi i votave nga diaspora -
Mobiliteti i së ardhmes, përgjegjësi dhe inovacion në AMAG Group AG -
Bëhet publike agjenda e “House of Kosova 2026” , vetëm 25 shtete kanë “shtëpitë” e tyre në Davos -
Këshilli i Shtypit hedh poshtë kritikat për esenë e Kaltërina Latifit mbi diskriminimin e grave kosovare
Jeta në Zvicër
-
Ambasadori i Kosovës në Zvicër, Mentor Latifi: Ambasada po monitoron situatën pas shpërthimit në Crans-Montana Mbi 40 persona kanë humbur jetën dhe shumë të tjerë janë plagosur si pasojë e një... -
Dëmtime të rënda nga zjarri në Crans-Montana: Viktimat kanë djegie që mbulojnë 60% të trupit -
Evropa tregon solidaritet me Zvicrën pas tragjedisë së zjarrit, Von der Leyen: Do të ofrojmë ndihmë mjekësore -
Familjarët kërkojnë me ankth të zhdukurit pas zjarrit tragjik të Vitit të Ri në Crans-Montana -
Franca pranon të lënduarit në spitalet e saj pas zjarrit në Crans-Montana









