Integrimi
Filmi “The Land within”, lufta në Kosovë, e vështruar nga një kënd tjetër
Në "Kino Kosova" është shfaqur edhe filmi "The Land within", i regjisorit shqiptaro-zviceran Fisnik Maxville (Maxhuni), i cili kishte premierën në Zvicrën gjermane
Në ditën e tretë të festivalit të filmit “Kino Kosova” që po mbahet në Bernë janë dhënë më shumë se dhjetë filma, të shkurtër dhe të metrazhit të gjatë, dokumentarë dhe artistikë. E shtuna ka qenë dita më e pasur e kësaj feste të filmit që përmbyllet sonte. Mes tjerash, në këtë ditë është shfaqur edhe filmi “The Land within” (Toka në mua), i regjisorit shqiptaro-zviceran Fisnik Maxville (Maxhuni), i cili kishte këtu premierën e vet në Zvicrën gjermane dhe është vlerësuar si një ndër pikat kulmore të festivalit.
Ky film ka ngjallur interesim të konsiderueshëm të artdashësve, gjë që u pa nga prania e madhe e tyre në sallë.
Filmi, siç kemi shkruar, ka pasur një rrugë të suksesshme artistike deri tani. Ai ka marrë pjesë në shumë festivale të mëdha botërore, ndërsa ka fituar çmimin kryesor në festivalin e filmit në Talin (Estoni), i cili i takon kategorisë së parë të festivaleve botërore të filmit, shkruan albinfo.ch. Së fundi, ky film ishte nominuar për çmimin e filmit më të mirë të Zvicrës, në festivalin kryesor të filmit në vend, në Solothurn.
Subjekti i filmit, me pak fjalë, është ky: Në vitin 2008, pas vitesh mërgimi, një i ri me emrin Remo u kthye në vendin e tij në Kosovë. Ai duhet të ndihmojë kushërirën e tij, Una, të zhvarrosë një varr masiv, ku shumica e anëtarëve të familjes së saj janë varrosur gjatë luftës. Por trupat zbulojnë sekretet familjare që shtyjnë Remon dhe Unën të vënë në dyshim të ardhmen e tyre. Një film për të vërtetat e mundshme në një vend që njeh vetëm mbijetesën.
Filmi “The Land Within” është një rrëfim ngjethës mbi luftën jo si pasqyrim të drejtpërdrejtë të konfliktit të armatosur, por më shumë si një ngjarje që rëndon tek njerëzit pas përfundimit të saj. Regjisori ka kapur në mënyrë mjeshtërore pika të ndjeshme nga lufta e fundit duke i ndërthurur ato me jetët reale të njerëzve të përfshirë në atë luftë. Një tragjedi familjare që ka ndodhur para luftës përcjell “metastazat” e saj edhe gjatë dhe pas luftës, duke prekur në mënyrë të drejtpërdrejtë jetën e dy protagonistëve të filmit, Remos dhe Una-s. Rrëfimi shoqërohet nga shumë pikëpyetje dhe ngre disa dilema që gjejnë përgjigjen e tyre nga fundi i filmit. Më shumë se një rrëfim epik për luftën, filmi është një dramë me elemente trileri.
Filmi dallohet me një fotografi veçanërisht mjeshtërore, me dialogë të shkurtër dhe koncizë, me muzikë që përshtatet me zhvillimin e rrëfimit dhe me efekte të posaçme të punuara me përkushtim që e bëjnë atë një përjetim të kompletuar filmik. Po kjo mund të thuhet edhe për lojën e aktorëve, sidomos atë të Florist Bajgorës (Remo) dhe Luana Bajramit (Una).
Pas shfaqjes së filmit “The land within”, në skenë, përmes duartrokitjeve të publikut janë ngjitur regjisori, producenti dhe disa nga aktorët e projektit. Ata i janë përgjigjur moderatorit Ilir Hasanaj dhe pjesëmarrësve në debat, nga publiku.
Regjisori Fisnik Maxville ka folur me konsideratë të lartë për bashkëpunëtorët e tij në projekt dhe për mbështetësit e këtij filmi, të realizuar si bashkëprodhim në mes të Zvicrës dhe Kosovës. Ai ka folur edhe për rrethanat e realizimit të filmit, duke filluar nga audicioni e deri te përmbyllja teknike e tij, një proces që ka zgjatur me vite dhe që është ndikuar shumë edhe nga rrethanat “jashtartistike”, për faktin se në kohën e xhirimit kanë qenë në fuqi rregullat e mbrojtjes nga covidi.
Filmat e shkurtër: “Drums of Resistance”, “Salon”, “The future is better Comrade”, “Hana e re”, “Dielli”, “A Country of two”, “A short trip”, “Where aare you now”, “About living”, “Ka me kalu”, janë shfaqur para dhe pas filmit të përmendur. Për disa nga këta filma është zhvilluar edhe debat, me krijuesit e tyre.
Sot është dita e fundit e festivalit “Kino Kosova”. Do të shfaqen filmat e shkurtër: “Great Men”, “Helmet”, “Kolosi”, “Searching for baba”, “The Mistake ones make a good Mistake”, dhe “Waterfalle”. Ndërsa filmi i gjatë artistik “The Load”, i regjisorit serb, Ognjen Glavoniç, sjell një rrëfim të rëndë nga lufta e fundit në Kosovë, gjegjësisht bartjen në Serbi të kufomave të shqiptarëve të vrarë nga forcat militare e paramilitare serbe.
Gjatë bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë në vitin 1999, një i papunë me emrin Vlada kishte marrë një angazhim nga ushtria. Ai duhet të transportojë një ngarkesë nga Kosova në Beograd, shkruan albinfo.ch. Ngarkesa në fjalë është, siç merr vesh më vonë ai, e përbërë nga kufomat shqiptare… Ky është shkurtimisht subjekti i filmit, i cili bazohet mbi një ngjarje të vërtetë.
Po ashtu sot jepet dokumentari Udhëtim studimor CAL / HEAD në Prizren. Shkrimi, xhirimi dhe montimi i filmave në tri javë: Kjo është sfida me të cilën përballen studentët e Masterit të Kinemasë ECAL/HEAD (nga Zvicra) gjatë udhëtimit të tyre studimor në Prizren, në Kosovë, në vjeshtën e vitit 2022. Një zhytje artistike dhe njerëzore në realitetin e një vendi të ri dhe dinamik që është dalluar vitet e fundit për zhvillimin e tij të jashtëzakonshëm kinematografik dhe artistik.
Platforma albinfo.ch është partnere mediale e festivalit “Kino Kosova”.
E-Diaspora
-
Shqiptarët në Itali hapin qendrën kulturore “Oda” Shqiptarët në Itali kanë shënuar një moment të rëndësishëm për ruajtjen e identitetit dhe traditave kulturore...
-
Varshavë: Filmi “Pikë uji” prezantohet në festivalin prestigjioz
-
Prishtinasja mahnit jurinë gjermane me zërin e saj në ‘Deutschland sucht den Superstar’
-
Itali: Laura Fetahu vazhdon tutje garën me sukses në X Factor
-
Diaspora i dërgon letër kancelarit gjerman Scholz, kanë një kërkesë për të
Jeta në Zvicër
-
A do ta vazhdojë karrierën Lara Gut-Behrami deri më 2026 A do të jetë Lara në Lojërat Olimpike 2026 ...
-
Informacion i ri mbi vrasjet e Chevaline të 12 vjetëve më parë
-
Lidhja e re A40 shkon një hap më tej
-
27 kërcënime me bombë në Austri, arrestohet një zviceran
-
Komunat pranë aeroportit të Gjenevës kërkojnë rregulla më të rrepta të natës