Lajme
Dy të vdekur në Francë gjatë festimeve për fitoren e PSG
Një natë festimesh për triumfin evropian të Paris Saint-Germain është kthyer në një tragjedi në disa qytete të Francës. Një djalë 17-vjeçar u qëllua për vdekje me thikë në Dax, në rajonin e Landes, gjatë natës mes së shtunës dhe së dielës, më 31 maj dhe 1 qershor. Ngjarja ndodhi gjatë atmosferës festive për fitoren e PSG-së, megjithëse ende nuk është konfirmuar nëse viktima apo autori ishin të përfshirë në festime si tifozë, shkruan Le Monde, transmeton albinfo.ch.
Sipas prokurorisë, autori i dyshuar është në arrati dhe ndaj tij është hapur një hetim për vrasje, i cili po ndiqet nga policia gjyqësore e Bayonne. Viktima ndërroi jetë në spitalin e Dax nga plagët e marra. Nuk raportohet për viktima të tjera në këtë ngjarje. Një njoftim për shtyp nga autoritetet pritet të publikohet gjatë së dielës.
Ndërkohë, edhe në qytete të tjera të Francës u shënuan incidente serioze gjatë mbrëmjes së festimeve. Në Paris, në lagjen e 15-të, një e re 20-vjeçare humbi jetën pasi u godit nga një makinë ndërsa udhëtonte me skuter.
Në Grenoble, një tjetër incident tronditi opinionin publik: një makinë doli nga kontrolli dhe goditi një turmë njerëzish që po festonin. Sipas prokurorisë, “tre ose katër persona”, të gjithë nga e njëjta familje, u plagosën, dy prej tyre rëndë. Shoferi i automjetit u dorëzua vetë në polici dhe rezultoi negativ për drogë dhe alkool. Ai ndodhet aktualisht në paraburgim, transmeton albinfo.ch.
Në shkallë kombëtare, sipas Ministrisë së Brendshme, u arrestuan 559 persona, 491 prej tyre vetëm në Paris ndërsa 320 raste përfunduan në ndalim nga policia. 22 efektivë të forcave të sigurisë u plagosën, përfshirë 18 në Paris. Po ashtu, shtatë zjarrfikës dhe 192 qytetarë mbetën të plagosur gjatë incidenteve.
Ministria raportoi gjithashtu për 692 zjarre të shkaktuara gjatë mbrëmjes, përfshirë 264 automjete të djegura. Situata ka ngritur shqetësime serioze për menaxhimin e rendit gjatë festimeve sportive në Francë.
Autoritetet kanë bërë thirrje për qetësi dhe për shmangien e dhunës në ngjarje të tilla që synojnë të bashkojnë, jo të ndajnë shoqërinë. Hetimet mbi incidentet e ndryshme vijojnë, transmeton albinfo.ch.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Nis në Itali gjyqi për vdekjen e kosovares 24-vjeçare Nis gjykimi në Itali për aksidentin fatal ku humbi jetën 24-vjeçarja nga Kosova... -
Bashkatdhetarë nga diaspora mblidhen para Speciales për të ndjekur deklaratën përmbyllëse të mbrojtjes së Thaçit -
Austri
Ansambli “Hasan Prishtina” sjell festën e Pavarësisë së Kosovës në Austri -
Promovim libri: Ismail Syla “Ëndërr në zarf” -
Komuniteti shqiptar në Çikago organizon ekspozitë për Ditën e Pavarësisë së Kosovës
Jeta në Zvicër
-
Debat në Thurgau: A duhet bërë publike vendndodhja e radarëve të shpejtësisë? Në kantonin zviceran të Thurgaut po diskutohet nëse duhet publikuar vendndodhja e radarëve të shpejtësisë. Partia... -
Stuhi dhe dëborë në Zvicër: Ndryshimi i motit sjell reshje të mëdha -
Solothurni voton për rritjen e pagesave për fëmijët -
Mania e Matcha-s pushton Zvicrën frankofone -
Policia e Vaud-it zgjeron përdorimin e pistoletave elektrike












