Portrete të firmave

E nisi kompaninë i vetëm, sot “Emi AG” numëron mbi 100 punëtorë

“Jam ithtar i thënies popullore: `Puno fort, por pa zhurmë. Lëre punën të tregojë kush je, dhe jo njerëzit`, thotë Qahil Emini, themelues dhe pronar i kompanisë “Emi AG

“Emi AG” është kompani e specializuar për sanitari, ngrohje e ventilim në Cyrih, e cila u krijua në vitin 2006 nga Qahil Emini, i cili vjen nga Vitia. Nga shtëpitë e banimit, ndërtesat banesore, e deri te hotelet, janë objektet për të cilat “Emi AG” ka tashmë 16 vjet eksperiencë në tregun zviceran të ndërtimit.

Albinfo.ch: I nderuar z. Emini, Ju, kur e krijuat para 16 vjetëve kompaninë “Emi AG”, e nisët i vetëm, tani keni mbi 100 punëtorë. Sot kompania juaj është ndër kompanitë më serioze dhe lider në Zvicër, e specializuar për sanitari, ngrohje, klimatizim dhe ventilim. Na flisni, ju lutem, për rrugën deri te ky sukses.

Q.E.: Suksesi i kompanisë “Emi AG” vjen nga klientët besnikë të kompanisë, të cilët çmojnë cilësinë, shpejtësinë, sinqeritetin dhe thjeshtësinë e komunikimit. Besnikëria e klientëve tanë ndaj kompanisë vjen falë bashkëpunëtorëve tanë, për të cilët unë kam një falënderim të veçantë. Pa ata, kompania “Emi AG” nuk do të kishte suksesin që e ka.

Albinfo.ch: Kur e themeluat kompaninë, a e kishit në atë kohë vizion që “Emi AG” të bëhej kaq e madhe sa është tash, të këtë kaq punëtorë dhe se do të mbushë plot 16 vjet sukses, aq sa i ka mbushur këtë vit?

Q.E.: Synimi ynë ishte të krijonim një kompani solide dhe serioze. Atë kohë e mendonim që më së shumti të arrinim deri në 20 punëtorë. Por, puna jonë kaloi edhe imagjinatën më të madhe. Duke parë dita–ditës rritjen e numrit dhe kërkesave të klientëve, u detyruam edhe ne që t’u përshtatemi rrethanave të reja të krijuara. Sot, kompania jonë ka një numër të madh punëtorësh dhe “Emi AG” gëzon një emër suksesi në tregun zviceran.

Albinfo.ch: Sigurisht arritja e suksesit për një kompani jo gjithmonë është e lehtë. Kërkohet shumë punë, angazhim… Çfarë sfidash keni hasur ju në rrugëtimin e deritashëm të kompanisë suaj?

Q.E.: Si çdo kompani tjetër, edhe “Emi AG” kishte sfidat e veta, por gjithçka kalohet kur beson në veten tënde, në punën dhe familjen tënde që të mbështetë në çdo kohë dhe e bën më të lehtë të tejkalohet secila vështirësie.

Albinfo.ch: Keni krijuar një imazh të një afaristi të suksesshëm dhe jo shumë të zhurmshëm. A nënkupton kjo një modesti që preferoni ta ruani vazhdimisht?

Q.E.: Unë jam ithtar i thënies popullore: “Puno fort, por pa zhurmë. Lëre punën të tregojë kush je, dhe jo njerëzit”. Në fund, askujt nuk i intereson kush je, as prej nga vjen, por i intereson puna jote. Ne jemi munduar të punojmë me sinqeritet dhe më cilësi. Kjo ndoshta është edhe formula e suksesit tonë.

Albinfo.ch: Cili ka qenë projekti i parë që mbani mend që keni filluar me kompaninë tuaj?

Q.E.: Në biznes asnjëherë mendoj nuk duhet të pretendosh që patjetër të jesh i pari, por duhet të mundohesh të krijosh besueshmëri te klienti. Ne kemi punuar shumë që të fitojmë besimin e klientëve, sepse atëbotë ne akoma nuk kishim realizuar ndonjë objekt që mund ta prezantonim ndaj klientëve të rinj si referencë. Kompania jonë në atë kohë ishte e panjohur. Por, falë angazhimit të të gjithë ne, gjatë bisedës me një zviceran, ai besoi në sinqeritetin dhe punën tonë dhe kështu projekti ynë i parë ishte një shtëpi për një familje zvicerane, pastaj vazhduam me projektet e njëpasnjëshme.

Albinfo.ch: Kush janë njerëzit që ju mbështesin dhe ju rrinë pranë për të menaxhuar biznesin tuaj? 

Q.E.: Natyrisht, familja ime. Në radhë të parë, bashkëshortja Luljeta Emini si dhe vëllai im, Ramadush Emini.

Albinfo.ch: A keni bashkëpunim me firmat e shqiptarëve këtu në Zvicër dhe si rrjedh ky bashkëpunim?

Q.E.: Kemi bashkëpunime të shkëlqyeshme. A ka më mirë sesa në Zvicër të merremi vesh shqip!(qesh). Gëzohem sa herë që dëgjoj për sukseset e firmave të shqiptarëve. Do të doja të kemi edhe më shumë bashkëpunime me njëri–tjetrin, sepse kur të përfundojë një projekt, nuk ka asnjë humbës – por dy fitues.

Albinfo.ch: Ju keni investuar edhe në Kosovë, të njëjtën veprimtari e zhvilloni edhe atje. Cili është dallimi, a ka avancuar Kosova në teknologjinë në sanitari, ngrohje dhe ventilim?

Q.E.: Edhe në Kosovë punon firma jonë dhe funksionon shumë mirë. Punojmë me material zviceran dhe i kushtojmë rëndësi cilësisë në punë. Dallimet në teknologji variojnë. Te shtëpitë e banimit nuk ka dallime të mëdha, te ndërtesat banesore ka dallime më shumë, sidomos në ventilim, ndërsa tek objektet afariste/biznesore instalimet e ngrohjes dhe ventilimit janë shumë pak të avancuara.

Mendoj se e kemi për obligim si mërgimtarë të gjithë të investojmë në vendin tonë që të krijojmë sa më shumë vende pune dhe të punësojmë vendasit tanë. Secili prej nesh, gjithë përvojën dhe njohuritë e reja të fituara në kurbet duhet t`i përdorë/t’i përcjellë në vendin tonë. Ky do të ishte kontributi më i madh që ne si mërgimtarë mund ta japim për vendin dhe popullin tonë, në vendlindje.

Foto:Armend Berisha