Kryeziu dhe Kokaj kanë marrë pjesë në paradën e sportistëve gjatë ceremonisë hapëse, ku ishte i pranishëm edhe ekipi i Shqipërisë, i përbërë nga katër skitarë të disiplinave alpike: Lara Colturi, Deni Xhepa, Lisa Brunga dhe Semire Dauti.
Kjo është hera e tretë që Kosova merr pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore. Kiana Kryeziu do të garojë në tri disiplina: super sllallom të madh, sllallom të madh dhe sllallom, ndërsa Drin Kokaj do të debutojë në disiplinën e sllallomit.
Në mbështetje të sportistëve kosovarë kanë qenë përzgjedhësi Agim Pupovci, trajneri i Kianës Visar Kryeziu, si dhe shefi i misionit Jeton Rudari, të cilët do t’i shoqërojnë gjatë gjithë garave.
Ceremonia hapëse, e cila është transmetuar drejtpërdrejt në RTK, është zhvilluar në stadiumin “San Siro” në Milano dhe ishte e ndërtuar rreth temës “Armonia”, duke bashkuar muzikën, artin dhe kulturën italiane. Në skenë kanë performuar artistë të njohur botërorë si Mariah Carey, Andrea Bocelli, Laura Pausini dhe pianisti Lang Lang.
Në Lojërat Olimpike Dimërore Milano–Cortina 2026 marrin pjesë rreth 2.800 sportistë nga 92 shtete, të cilët garojnë në 116 evente, në kuadër të 8 sporteve dhe 16 disiplinave. Garat zhvillohen në disa lokacione, përfshirë Milano, Cortina, Livigno, Bormio dhe Val di Fiemme.
Radio Televizioni i Kosovës do ta transmetojë ekskluzivisht këtë ngjarje për territorin e Kosovës, me mbi 125 orë program olimpik, nga data 6 deri më 22 shkurt, duke sjellë drejtpërdrejt çdo emocion nga Lojërat Olimpike Dimërore.












