Tematike

Eksperti sqaron përse inflacioni në Zvicër është më i ulët se në BE dhe SHBA

Gzim Hasani: Arsyeja kryesore për inflacionin relativisht të “ulët” në Zvicër është frangu i fortë zviceran, i cili mbron konsumatorët nga inflacioni

Krizës financiare në Evropë dhe botë, të shkaktuar nga zhvillimet aktuale në Ukrainë, nuk i ka shpëtuar as Zvicra. Megjithatë, treguesit më të dukshëm, si shkalla e inflacionit dhe ngritja e çmimeve, në Zvicër janë dukshëm më të ulët se në BE dhe SHBA.

Lidhur me këto zhvillime albinfo.ch ka biseduar me Gzim Hasanin, ekspert i financave dhe patundshmërive si dhe CEO i ndërmarrjes Swiss Management Zürich AG, (SMZH).

Albinfo.ch: Përse inflacioni në Zvicër ishte më i ulët se në vendet e tjera përreth?

Gzim Hasani: Arsyeja kryesore për inflacionin relativisht të “ultë” në Zvicër krahasuar me vendet fqinje është frangu i fortë zviceran, i cili mbron konsumatorët nga inflacioni i importuar. Reputacioni i mirë i monedhës zvicerane rezulton kryesisht për shkak të besueshmërisë së lartë të Bankës Qendrore, situatës jashtëzakonisht të qëndrueshme politike dhe borxhit të ulët kombëtar. Këtu duhet të përmendet edhe metoda e llogaritjes e përdorur nga Enti Federal i Statistikave (përbërja e shportës përkatëse plus koha e mbledhjes së çmimit). Kjo do të thotë se zhvillimet e çmimeve në Zvicër ndonjëherë kanë një efekt të vonuar.

Albinfo.ch: A mund ta luftojë Zvicra në ndonjë mënyrë inflacionin?

Gzim Hasani: Ashtu si shumica e bankave qendrore, edhe Banka Kombëtare e Zvicrës (SNB) po i përgjigjet rritjes së çmimeve me norma më të larta interesi. Në muajt e fundit, SNB ka rritur normën negative të interesit në dy hapa nga minus 0.75% në minus 0.25%.

Me rritjen e normës së interesit nga Banka Qendrore Evropiane (BQE) këtë javë, një rritje e mëtejshme e normës bazë të interesit në Zvicër pritet të ndodhë gjithashtu në mbledhjen e SNB-së më 21 shtator. Megjithatë, duket se është e parashikueshme që norma e inflacionit zviceran të vazhdojë të rritet në muajt në vijim.

Albinfo.ch: Kush përfiton dhe kush humb nga ky inflacion?

Gzim Hasani: Në parim, kompanitë që mund t’ua bartin çmimet më të larta klientëve të tyre, mund ta konsiderojnë veten ndër fituesit e një situate inflacioniste.

Por, nga ana tjetër, inflacion nënkupton një rritje të normave të interesit dhe çmimeve, gjë që, nga ana tjetër ka një ndikim negativ tek huamarrësit e hipotekave dhe konsumatorët.

Albinfo.ch: A mund të tkurren remitencat nga emigrantët në vendet e tyre?

Gzim Hasani: Kjo priret të jetë e mundur, sepse konsumatori mund të kursejë më pak kur çmimet janë më të larta, që do të thotë se më pak likuiditet kthehet tek emigrantët në vendet e tyre. Megjithatë, për shkak të kursit aktualisht tërheqës të këmbimit shuma nominale euro që transferohet në vendin e origjinës ka një ndikim të vogël. Përveç kësaj, sigurisht që duhet të merret parasysh edhe inflacioni përkatës vendor.

Albinfo.ch: A është e parashikueshme rritja e çmimeve në këtë masë? Si mund të parandalohet rritja e madhe e çmimeve?

Gzim Hasani: Rritja e çmimeve në vitin 2021 ishte thelbësisht e paparashikueshme. Megjithatë, pas shumë vitesh në të cilat ekonomia është zhvilluar shumë pozitivisht dhe normat e interesit kanë qenë të ulëta, nuk është për t’u habitur që mund të ndodhë një kthesë. Edhe pse rritja e çmimeve në Zvicër është tashmë një realitet, ajo me 3.5% është shumë më e ulët krahasuar me BE-në dhe SHBA-në, të cilat po luftojnë me norma shumë më të larta inflacioni përkatësisht 9.1% dhe 8.3%.

SNB po përpiqet të luftojë rritjen e çmimeve me një politikë aktive të normave të interesit dhe duke rritur normat e interesit.

Albinfo.ch: Kur pritet që të “rikthehemi në normalitet” apo çmimet të kthehen në nivelin që ishin?

Gzim Hasani: Me pasiguritë aktuale gjeopolitike, si lufta në Ukrainë, çmimet e larta të mallrave dhe kriza e energjisë, mbetet për t’u parë se si do të zhvillohen këto “zjarre” dhe si do të mbahen nën kontroll. Fatkeqësisht, mund të supozohet se do të përballemi me këto vështirësi dhe pasiguri edhe për disa muaj.

Albinfo.ch: A mund ta zhvendosë inflacioni edhe më shumë vlerën e frangut?

Gzim Hasani: Nuk mund të përjashtohet një gjë e tillë. Aktualisht po përjetojmë një kurs këmbimi historikisht të ulët EUR/CHF prej rreth 0,95-0,96. Rritja e mprehtë e çmimeve të energjisë dhe lufta në Ukrainë kanë një ndikim më të madh në eurozonë sesa në Zvicër.

Zgjedhjet e ardhshme në Itali po shqetësojnë gjithashtu investitorët. Po ashtu, euro do të rëndohet nga dobësimi i ekonomisë dhe parashikimet e rritjes për eurozonën do të rishikohen, me tendencë të rënies. Prandaj, ka shumë mundësi që frangu të mbetet i fortë.