Gazetari

Arta Ramadani

Gazetare

Gazetarja shqiptare-gjermane Arta Ramadani është vlerësuar me çmimin e parë “Kausa 2012” për gazetari, në kategorinë e gazetarisë televizive. Këtë çmim prestigjioz e ndan qeveria e Gjermanisë për kontributet më të mira në lëmin e gazetarisë kushtuar migracionit.
Të gjithë fituesit

Siç është paralajmëruar edhe në një shkrim të mëhershëm të albinfo.ch, kur Arta ishte vetëm e nominuar, ndarja solemne e çmimeve do të bëhej më 5 dhjetor.

Pikërisht në këtë datë, në solemnitetin e mbajtur në Berlin, Arta Ramadanit iu nda çmimi i parë për gazetarinë televizive. Vendin e dytë në kategorinë e gazetarisë televizive e mori Anorte Linsmayer ndërsa të tretin Suana Meckeller, të cilat po ashtu kishin hyrë në rrethin e ngushtë për këtë shpërblim.
Ky çmim është dhënë edhe për dy kategoritë tjera të gazetarisë: për gazetarinë e shkruar (gazeta dhe internet) dhe për gazetarinë radiofonike. Për të tri kategoritë janë ndarë çmimet e para, të dyta dhe të treta.

 

Për çmimin “Kausa 2012” kanë mundur të konkurrojnë të gjithë gazetarët në Gjermani që janë më të rinj se 35 vjeç. Çmimi ka edhe vlerën e tij monetare, gjegjësisht 30 mijë euro që ndahen për 9 fituesit e kategorive të ndryshme.

 

Rrëfimi televiziv për të cilin ajo mori çmimin e parë mban titullin „Schlau und trotzdem ‘nur’ Hauptschule“  ose në shqipe: “Inteligjent dhe prapë `vetëm`në shkollën e përgjithshme” (të zanateve). Në këtë rrëfim ajo merret me problemin e diskriminimit të nxënësve me prejardhje të huaj në shkollat gjermane.

 

Si protagonist merr një nxënës turk, të cilin, me gjithë notat e shkëlqyera, mësuesit e orientojnë në shkollën e përgjithshme dhe jo në gjimnaz ose në “realschule” kua i e kishte vendin. Vetëm pas angazhimit të vendosur të nënës së tij, teknike medicinale, vogëlushit i njihet niveli dhe kthehet në shkollën reale.
Arta Ramadani punon si reportere dhe redaktore në magazinën e njohur “Nano” të televizionit gjerman 3sat.

 

E lindur në Prishtinë para 31 vitesh, bashkë me babanë e përndjekur politik dhe me familjarët tjerë Arta ka ardhur në Gjermani që në fëmijërinë e saj të hershme. Ajo ka studiuar për etnologji, politikë, medie dhe shkenca të komunikimit në Boston (SHBA) dhe Heidelberg e Mannheim.
Karrierën si gazetare e ka filluar në transmetuesin televiziv për të rinj “Sunshine Live” dhe ka kryer një numër praktikash dhe trajnimesh në televizionet si SWR dhe HR. Pastaj ka mbaruar një voluntariat (praktikë) njëvjeçare në ZDF.
Ndërsa, para se të kalonte në 3sat, Arta ka punuar si redaktore në emisionin e ZDF-së “Hallo Deutschland”.

 

Në televizionet ku punon, ajo ka realizuar edhe emisione speciale për aktualitetin në Kosovë.

06.12.2012

 Biografi e shkurt

  • Emri, MbiemriArta Ramadani
  • Prejardhja:Prishtinë-Kosovë
  • Vendi ku vepron:Mainz-Gjermani
  • Profesioni:Gazetare

  WHO’S WHO të tjera