Botë
Evropa fiton garën e turizmit në vitin 2022
Evropa e ka fituar garën e turizmit në vitin 2022, sipas një raporti të ri të shoqërisë së kërkimeve të tregut Euromonitor, me seli në Mbretërinë e Bashkuar.
Çdo vit, raporti vjetor krahason aftësinë për të tërhequr turistë të 100 qyteteve në botë në gjashtë kategori – ose “shtylla” – duke përfshirë politikën dhe ecurinë e turizmit, qëndrueshmërinë, infrastrukturat, sistemin shëndetësor dhe sigurinë, si dhe ecurinë ekonomike.
Në periudhën para pandemisë, kur indeksi i rendiste destinacionet kryesore në bazë të numrit të turistëve ndërkombëtarë që vizitonin vendin, në krye të listës mbizotëronin destinacionet aziatike, me Hong-Kongun dhe Bangkokun në vendet e para.
Por sot, për të dytin vit me radhë, Parisi kryeson klasifikimin e Top 100 City Destinations Index 2022, ndërkohë që tetë nga dhjetë qytetet e para janë në Evropë.
Raporti i ri, i publikuar ekskluzivisht nga CNN, vlerëson kryeqytetin francez si “destinacionin me performancën më të mirë në botë”, për shkak të “arritjeve të tij të jashtëzakonshme në politikat e turizmit dhe tërheqjes, infrastrukturat turistike dhe rezultateve në turizëm”.
Vit pozitiv
Edhe një herë, Dubai u rendit i dyti në klasifikim, por fitoi vendin e parë në lidhje me ardhjet e turistëve ndërkombëtarë. Këtë vit u regjistruan më shumë se 12 milionë udhëtime hyrëse në Dubai, në periudhën tetor 2021 – mars 2022.
“Viti 2022 ishte pozitiv për sektorin e udhëtimeve, por rruga drejt rimëkëmbjes së plotë post-pandemi është e gjatë dhe mbështetja e qeverive është e rëndësishme në të gjithë rajonet” – deklaroi Euromonitor. Shoqëria e kërkimeve të tregut nënvizon se rritja e fortë e inflacionit, përkeqësimi i kushteve ekonomike dhe lufta në Ukrainë janë faktorë që me shumë gjasa do të ndikojnë në shpejtësinë e rimëkëmbjes së turizmit.
Në total, në klasifikim bëjnë pjesë 40 qytete europiane me Italinë (gjashtë qytete), Spanjën (pesë qytete) dhe Greqinë (katër qytete) që spikasin në Europën Perëndimore.
Amsterdami renditet i 3-ti, Madridi i 4-ti, Roma në të 5-tin, kurse Londra është ngjitur me dy vende këtë vit, në vendin e 6-të.
Edhe Mynihu dhe Berlini kanë bërë një hap para në renditje me dy pozicione, përkatësisht në vendin e 7-të dhe të 8-të, ndërsa Barcelona renditet e 9-ta.
Nju Jorku mbyll dhjetë vendet e para në renditje. Raporti zbulon se qytetet amerikane regjistruan “rikthim të fortë në ecurinë e turizmit” në përgjithësi.
Azia pati një ecuri të ndryshme në nivel rajonal për shkak të kufizimeve të udhëtimit të lidhura me Covid, por qytetet aziatike regjistruan disa nga kërcimet më të mëdha në ecuri. Singapori u ngjit me 30 vende në listë dhe u vlerësua nga Euromonitor si “destinacioni më miqësor ndaj biznesit, me taksa të thjeshtuara dhe një numër të madh punonjësish të kualifikuar”.
Afrika dhe Lindja e Mesme patën rezultate të mira në lidhje me sistemin shëndetësor dhe sigurinë.
Udhëtimet brenda rajonit, lehtësimi i kufizimeve të lidhura me Covid-in dhe rikthimi i udhëtimeve ndërkombëtare janë të gjithë faktorë kyçë për t’i bërë më tërheqëse qytetet që shkëlqyen në vitin 2022.
Sidoqoftë, tha Euromonitor, “Azia është rajoni që duhet mbajtur në vëzhgim në vitin 2023, pasi rikthimi i udhëtimeve ndërkombëtare, si në hyrje ashtu edhe në dalje, është i sigurt se do të sjellë ndryshime në renditje”
Të tjera nga Botë
E-Diaspora
-
Shoqata ‘Iliria München’ shënon 25-vjetorin me muzikë dhe traditë Festë jubilarie në Mynih: Kënga dhe vallja shqiptare lidhin brezat... -
Hektor Krasniqi, futbollisti që la Austrinë për të ndërtuar ëndrrën e tij në Kosovë -
Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin për Diasporën -
Qendra e Botimeve për Diasporën uron Ditën Kombëtare të Diasporës dhe Ditën Ndërkombëtare të Migracionit -
Emily Munishi ngjitet në elitën kombëtare U18 në gjimnastikë artistike
Jeta në Zvicër
-
Teknologjia zvicerane që po ndryshon trajtimin e tumoreve Radioterapia inovative zvicerane për trajtim të saktë të tumoreve... -
Ferma më e lartë e erës në Evropë ndodhet në Zvicër -
Kaosi i Krishtlindjeve në aeroportet zvicerane: Si të udhetoni pa stres -
Mungesë e vaksinës kundër gripit në Zvicër për shkak të kërkesës së lartë -
Emily Munishi ngjitet në elitën kombëtare U18 në gjimnastikë artistike











