Fëmija rom nga Kosova, polarizon mediet zvicerane

"Weltwoche" ka vendosur në faqen e parë një foto të një fëmije rom, të bërë në Kosovë, si ilustrim mbi "rrezikun" rom në Zvicër

Një fotografi e botuar në javoren problematike zvicerane “Weltwoche” që paraqet një fëmijë rom me revolen e drejtuar nga kamera, ka shkaktuar një valë kritikash që kanë kulmuar me disa padi penale kundër botuesit Roger Koppel për nxitje të urrejtjes në baza race.

Por nuk ka qenë vetëm fotografia ajo që është cilësuar si skandaloze. Titulli nën foto: “Romët po vijnë: fushata plaçkitjeje në Zvicër” ka shkaktuar revoltë te një kategori e gjerë lexuesish. 

Padi ndaj shefit të Weltwoche-s janë paralajmëruar nga Austria, Gjermania dhe nga Zvicra. Të gjitha ato e ngarkojnë gazetën për nxitje të urrejtjes ndaj grupit etnik të romëve.

I pari që ka bërë denoncimin ka qenë një gazetar austriak, ndërsa në Gjermani ka qenë një majtist gjerman që ka bërë të njëjtën gjë. Një zvicerane ndërkaq ka pranuar se ka ushtruar padi penale për shkelje te nenit 261 të Ligjit Penal të Zvicrës, respektivisht për diskriminim racist.

Një arsye më tepër për valën e kritikave të drejtuara ndaj Koppel-it me shokë ka qenë fakti se fotografia nuk lidhet në asnjë mënyrë me romët në Zvicër. Ajo fotografi është bërë në Kosovë, më saktë në Gjakovë, në një deponi mbeturinash ku jetojnë romët në kushte të rënda. Autor i fotografisë së punuar në vitin 2008 është një fotoreporter italian.

Ndërsa Koppel e ka arsyetuar veprimin e tij duke thënë se “artikulli ka për qëllim të tematizojë turizmin kriminalistik të romëve. Fotografia tregon për rrethanën në të cilën romët i instrumentalizojnë fëmijët e tyre për veprime kriminele”.