Futboll

FIFA për Kosovën: Vetëm edhe një hap drejt Botërorit 2026

Faqja zyrtare e Kupës së Botës ka reaguar pas fitores 4:3 të “Dardanëve” ndaj Sllovakisë në Bratisllavë, duke theksuar se Kosova është pranë kualifikimit historik.

Kombëtarja e Kosovës ka shënuar një fitore historike ndaj Sllovakisë, duke siguruar kualifikimin në finalen e “play-offit” për Kampionatin Botëror 2026, përcjell albinfo.ch.

“Dardanët” triumfuan të enjten mbrëma në Bratisllavë me rezultat 4:3, në një ndeshje dramatike që i afroi edhe më shumë drejt ëndrrës për pjesëmarrje në Botëror.

Pas këtij suksesi të madh, reagimi nuk ka munguar as nga FIFA. Faqja zyrtare e Kupës së Botës ka publikuar një postim në platformën “X”, duke vlerësuar rrugëtimin e Kosovës dhe duke e cilësuar atë vetëm një hap larg kualifikimit.

“Vetëm edhe një hap për Kosovën, për t’u kualifikuar në Botëror”, thuhet në postimin e FIFA World Cup në “X”.

Kosova tani do ta zhvillojë ndeshjen finale të play-offit të martën mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku do të përballet me Turqinë për një vend në Kampionatin Botëror 2026./Albinfo.ch