Kosova
Fillon zbatimi strikt i Ligjit për komunikacionin dhe i Ligjit për të huajt në Kosovë
Në mesnatë fillon zbatimi i Ligjit për komunikacionin dhe atij për të huajt, masa të reja për dokumentet dhe targat
Nga sonte në mesnatë, në Kosovë nis zbatimi strikt i Ligjit për komunikacionin dhe Ligjit për të huajt. Sipas këtyre dispozitave, automjetet me targa të huaja nuk do të mund të qarkullojnë më shumë se tre muaj, përveç rasteve të autorizuara, ndërsa personat pa dokumente të Kosovës do të duhet të aplikojnë për leje qëndrimi brenda 72 orëve, përcjell albinfo.ch.
Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.
Këto masa pritet të prekin kryesisht pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë, të cilët deri më tani kanë drejtuar automjete me targa të Serbisë mbi bazën e autorizimit ose nuk kanë poseduar dokumente kosovare.
Zbatimi pa përjashtime i këtyre ligjeve ishte planifikuar të niste më 1 nëntor të vitit të kaluar, por Ministria e Punëve të Brendshme e kishte shtyrë afatin deri më 15 janar 2026, për të zhvilluar një fushatë informuese.
Zbatimi i Ligjit për komunikacionin
Sipas Policisë së Kosovës, drejtimi i automjeteve me targa të huaja mbi bazën e autorizimit është në kundërshtim me Ligjin për komunikacionin, megjithëse kjo praktikë ishte toleruar deri tani për t’u dhënë qytetarëve kohë t’i ndërrojnë targat.
Elshani tha se nga 15 janari ligji do të zbatohet në terren, duke sqaruar se përjashtime do të bëhen vetëm në raste emergjente.
“Nëse dikush është duke shkuar në spital, nuk do t’i konfiskohet menjëherë automjeti. Por, nëse i njëjti person ndalohet sërish në ditët në vijim, mund të gjobitet deri në 200 euro”, tha ai.
Ligji për të huajt dhe dokumentet personale
Sa i përket Ligjit për të huajt, Elshani theksoi se ai nuk do të zbatohet në mënyrë të menjëhershme ndaj atyre që jetojnë në Kosovë, por nuk kanë dokumente kosovare për arsye të ndryshme.
“Nuk do të ketë dëbime, as ndarje të familjeve. Zbatimi strikt do të vlejë për ata që vijnë në Kosovë për turizëm, punë apo studime”, u shpreh ai, duke shtuar se procesi do të jetë gradual.
Në manualin e Ministrisë së Punëve të Brendshme për hyrjen dhe qëndrimin e të huajve, sqarohet se lejet e qëndrimit – të përkohshme apo të përhershme – lëshohen nga Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migrim.
Reagime dhe kritika
Masat kanë nxitur reagime të ashpra nga përfaqësues të komunitetit serb, organizata joqeveritare dhe subjekte politike. Lista Serbe ka kërkuar shtyrjen e sërishme të zbatimit të ligjeve, duke paralajmëruar pasoja për qytetarët serbë në Kosovë.
Edhe politikanë të tjerë serbë kanë kërkuar pezullim të masave, duke theksuar se komuniteti nuk është i përgatitur për zbatimin e tyre. Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë i ka cilësuar këto vendime si “hapa përshkallëzues”, duke kërkuar reagim nga Bashkimi Evropian dhe shtetet e Quint-it.
Sipas një raporti të OJQ-së “Aktiv” nga viti 2024, mbi 93 për qind e serbëve të anketuar në Kosovë posedojnë dokumente kosovare, megjithëse nuk ka të dhëna zyrtare të sakta për shkak të bojkotimit të regjistrimit të popullsisë në disa komuna në veri. /REL
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Zvicër
Kosovari hero në Zvicër, shpëton të moshuarit nga zjarri në shtëpinë e pleqve Kosovari në Zvicër parandalon tragjedinë, shuan zjarrin në shtëpinë e pleqve (Video) ... -
Suedi
Trajnerja shqiptare në krye të kampionit suedez Hacken -
Austri
Dy pedagoge shqiptare pranohen si bashkëudhëheqëse doktorature në Austri -
SHBA
U rritën në Deçan, sot njëri i shërben ligjit në SHBA e tjetri në Kosovë -
Danimarkë
Granit Musliu ngjitet në skenën e Operës Mbretërore Daneze
Jeta në Zvicër
-
Zvicër
Kosovari hero në Zvicër, shpëton të moshuarit nga zjarri në shtëpinë e pleqve Kosovari në Zvicër parandalon tragjedinë, shuan zjarrin në shtëpinë e pleqve (Video) ... -
Në rast të ndërprerjes së energjisë: Swisscom & Co. duhet të sigurojnë thirrjet emergjente për katër orë -
Spitali i Friburgut shtyn operacionet jo urgjente -
Swiss dhe Edelweiss ashpërsojnë rregullat për power bank në kabinë -
Aeroporti i Cyrihut me rekord udhëtarësh












