Lajme

Francezët i druhen një krize të re sociale gjatë ‘Macron 2’

Disa qytetarë francezë u shprehën të shqetësuar të premten nga frika e një krize të re sociale, një ditë para se presidenti Emanuel Makron të marrë zyrtarisht mandatin e dytë.

“Kam frikë se do të kemi taksa të reja dhe inflacion për shkak të luftës në Ukrainë. Edhe tani Franca ka probleme me fuqinë blerëse, shumë njerëz me zor ushqehen, ndaj druhem se mund të ketë një protestë të re të Jelekëve të Verdhë”, u shpreh një qytetar.

“Personalisht pres një krizë sociale që do të jetë më e fortë se ajo e mëparshmja, ajo gjatë mandatit të parë”, tha një qytetare.

Qytetarë të tjerë ndihen megjithatë më shpresëplotë, duke shprehur bindjen se ky mandat do të jetë më social se ai i mëparshmi.

Makroni u rizgjodh në muajin prill, pavarësisht opozitës së fortë ndaj politikave të tij pro-biznesit dhe propozimit për të rritur moshën e pensionit nga 62 në 65 vjeç.

Për të përmbushur planet e programit të tij, Makroni do t’i duhet të ruajë mazhorancën në zgjedhjet parlamentare të qershorit./Reuters