Lajme

Franshiza minimale e sigurimit shëndetësor mund të rritet me 100 franga

Për të përballuar kostot e larta – dhe vazhdimisht në rritje – të sistemit shëndetësor në Zvicër, Këshilli Federal dëshiron të inkurajojë popullsinë që të përdorë shërbimet shëndetësore me më shumë kujdes.

Kjo synohet të arrihet duke rritur franshizën minimale, e cila përdoret nga rreth 45 për qind e popullsisë, nga 300 në 400 franga, transmeton albinfo.ch.

Ministrat kanë hapur një konsultim për një ndryshim në Ligjin Federal për Sigurimin Shëndetësor (LAMal) për këtë qëllim.

Arsyeja e kësaj rritjeje është se, që nga hyrja në fuqi e ligjit për sigurimin shëndetësor në vitin 1996, kostot që mbulohen nga kompanitë e sigurimeve shëndetësore janë trefishuar.

Sipas autoriteteve, një franshizë më e lartë do të ndihmonte në uljen e presionit mbi primet e sigurimit shëndetësor.