Integrimi

Futbolli zbraz shkollat shqipe në Cyrih!

“Ka rënie të numrit të nxënësve sepse prindërit më shumë kujdesen që fëmijët e tyre t`i orientojnë nga futbolli”, thotë Naser Ulaj, mësues i mësimit plotësuese në gjuhën shqipe dhe kryetar i LAPSH-it për Kantonin e Cyrihut

 

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

 Yll Pacolli po vijon klasën e gjashtë në shkollën shqipe. Ai vjen me dëshirë çdo pasdite, të mërkurave, në një objekt të një shkolle të rregullt në një lagje të Cyrihut.
Bëhet fjalë për Schwamendigenin. Aty dominojnë të huajt në shkollat e rregullta zvicerane, sidomos shqiptarët. Por, janë të paktë në shkollat shqipe.

  • Yll Pacolli

Ylli ka ndjekur rregullisht mësimin plotësues që nga klasa e parë dhe ai tash flet rrjedhshëm shqip, madje di të tregojë edhe për historinë e popullit shqiptar.
Djaloshi me origjinë nga Prishtina është në të njëjtën klasë me disa nga nxënësit e tjerë që sapo kanë filluar të mësojnë  alfabetin e shqipes. Njëra prej tyre është vogëlushja Medina Kryeziu, e cila sivjet për herë të parë po i mëson shkronjat e alfabetit të shqipes, ndërsa në shkollën e rregullt zvicerane ka kaluar në klasën e tretë. 8-vjeçarja tha të ketë marrë vesh nga një shoqe tjetër që po vijonte mësimin plotësues në klasën e Nasel Ulajt në Schwamendigen të Cyrihut, krahas mësimit të rregullt në shkollën zvicerane. Ylli duhet të ketë mirëkuptim për Medinen dhe shokët e tjerë të klasës që po mësojnë atë që ai kishte mësuar dy apo 3-4 vjet më herët. Arsyeja pse mbahet mësim me klasë të kombinuara qëndron në numrin e vogël të nxënësve.

  • Naser Ulaj, mësues i mësimit plotësuese në gjuhën shqipe dhe kryetar i LAPSH-it për Kantonin e Cyrihu

Ulaj: Jemi më mirë se më parë por ende larg nga synimet tona

Ylli është megjithatë krenar që tashmë ka arritur të mësojë për të shkruar dhe të flasë në të dy gjuhët, shqip dhe gjermanisht. Por, djaloshi nga Kosova nuk arriti t’i bindë të mësojnë shqipen edhe nxënësit e tjerë shqiptarë që vijojnë mësimin e rregullt në shkollën zvicerane.

Këtë brengë e ka edhe mësuesi i Yllit. Naser Ulaj është mësues në kantonin e Cyrihut që nga viti 1993, ndërsa për të tretën herë me radhë është kryetar i LAPSH-it për Kantonin e Cyrihut. Mësuesi me origjinë nga Kosova është nga të paktët mësimdhënës të shkollës shqipe në Zvicër që nuk punon diçka tjetër përpos punës me nxënës të mësimit plotësues në gjuhën shqipe.
„Nëse bëjmë një krahasim të gjendjes së sotme dhe kohës kur ne vetë siguronim materialet shkollore, kushtet për zhvillimin e mësimit sot janë shumë më të volitshme. Por si duket, prindërit shqiptarë, por edhe ne si mësimdhënës, jemi të zhgënjyer në institucionet tona që nga krijimi i shtetit, sepse kemi pritur se çështja e arsimit në diasporë do të rregullohej në rrugë institucionale, sikur e kanë shtetet e tjera”, thotë Ulaj.

 

  • albinfo.ch

Puna me grupmosha të ndryshme

Mësuesi po mëson nxënësit për emrat e gjinisë mashkullore dhe femërore. Disa nga nxënësit tashmë i kishin mësuar dhe i dinin, por duhet t’i mësojnë dhe njëherë pa dëshirën e tyre, për shkakun se janë në të njëjtën klasë me grupmoshat e tjera.

Nuk e ka lehtë as mësuesi Ulaj, për të cilin mbetet e mundimshme puna me grupmosha të ndryshme në të njëjtën klasë.
„Dihet se në të gjitha kurset e huaja në të gjitha klasët punohet në grupe dhe nivele nga grupmosha të ndryshme, është e qartë se është një punë e mundimshme për mësuesit, por megjithatë ia dalim, si bazë kemi edhe Kurikulën e Ministrisë së Arsimit, të Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës (MASHT) si dhe planin arsimor kornizë në bashkëpunim me Drejtorinë për kantonit Cyrih. Mësidhënësit shqiptarë ndjekin edhe seminare të ndryshme për zhvillimin e orëve të suksesshme mësimore të organizuara nga Drejtoria e Arsimit të KT. Cyrih”, deklaron mësuesi Ulaj.

Në Kantonin e Cyrihut vijojnë shkollën shqipe rreth 530 nxënës në rreth 43 klasë. „Ky numër nuk është i kënaqshëm, por shpresojmë se popullata jonë në diasporë do të kuptojë se shkollat shqipe sot janë në të mirë të fëmijëve tanë që pa dëshirën e tyre gjenden jashtë atdheut”, thotë kryetari i LAPSH-it në Kantonin e Cyrihut, Naser Ulaj.

Përfshirja e nxënësve, e pakënaqshme

„Përfshirja e fëmijëve me kohë në shkollën shqipe nga klasa e parë ose edhe nga e dyta do të na lehtësonte edhe ne, edhe fëmijëve dhe suksesi do të arrihej. Dallimi është i madh ndërmjet fëmijëve të cilët nuk vijojnë rregullisht shkollën shqipe me ata të cilët janë të rregullt në lexim, shkrim dhe njohje të kulturës së atdheut”, thekson Ulaj.
Prindërit për mësuesin Ulaj duhet të vetëdijesohen dhe të kuptojnë se mësimi i gjuhës së nënës nuk e pengon, përkundrazi e ndihmon të mësuarit më mirë të gjuhëve të huaja.

„Është e testuar nga ekspertë të Drejtorisë së Arsimit të Cyrihut se fëmijët që mësojnë gjuhën e nënës janë më të mirë edhe në gjuhën e huaj, pra së pari duhet të njohë gramatikën e gjuhës së nënës për të kuptuar më mirë në gjuhën gjermane”, thotë Ulaj.
Numri i nxënësve ndryshon për çdo vit, nganjëherë ka rënie, por ka edhe ngritje. Këtë vit janë hapur për herë të parë edhe dy klasë të reja në kantonin e Cyrihut”, thotë Ulaj.

 

Për shkak të futbollit, i ndalin fëmijët nga mësimi plotësues!
Mësuesi Ulaj mbetet i zhgënjyer, ngase po zvogëlohet numri i nxënësve që vijojnë mësimin plotësues në gjuhën shqipe, shkaktar është futbolli. „Ka edhe rënie, sepse kohët e fundit kemi në të gjitha pikat shkollore pengesë futbollin, ku prindërit më shumë i janë përkushtuar futbollit. Kemi shumë raste që fëmijët ua ndërpresin mësimin shqip, kuptohet sporti është i mirë dhe i shëndetshëm, por do të ishte e arsyeshme që të mos jetë shkolla shqipe pengesë, por një shtytje më shumë në çdo lëmi”, thotë në këtë bashkëbisedim me albinfo.ch mësuesi Ulaj.

  • albinfo.ch

Shqip, nga viti 1993

Mësimi plotësues në gjuhën shqipe në kantonin e Cyrihut zhvillohet në kuadër të LAPSH “Naim Frashëri” në Zvicër që prej vitit 1993. Në aspektin organizativ ka një koordinator në nivel të kantonit që koordinon punët me këshillat komunale dhe përfaqëson kantonin si para institucioneve zvicerane, ashtu edhe në nivel qendror të LAPSH-it.
Puna kryesore në këtë kanton zhvillohet në nivele komunale, ku edhe bëhet regjistrimi i nxënësve, organizimi i mësimit, pagesa e mësimdhënësve ose organizimi i aktiviteteve të tjera shkollore dhe jashtëshkollore. Për t’i kryer të gjitha këto punë organizative kujdesen këshillat komunale të LAPSH-it.
Mësimi plotësues në kuadër të LAPSH-it zhvillohet në këto komuna të Kantonit Cyrih:http://www.lapsh-zh.ch/paralelet.html
Në shumicën e rasteve mësimi që mbahet në shkollat shqipe është mësim me klasë të kombinuara (ose klasë të përziera). Ndarja e nxënësve bëhet së paku nëpër cikle. Kemi tri cikle: cikli i ulët (klasa I – III), cikli i mesëm (klasa IV – VI) dhe cikli i lartë (klasa VII-IX).