Lajme
Gabimet e Angela Merkelit në raport me Rusinë
Një lavdi e zbehur. Lufta në Ukrainë i bën më të qarta gabimet e ish-kancelares gjermane
Kur e pyetën nëse mendonte se Barack Obama ishte i kënaqur me trashëgiminë e tij politike, ish-kancelarja gjermane Angela Merkel, u përgjigj në një intervistë të botuar javën e kaluar me “Der Spiegel”, një gazetë e përjavshme gjermane, se ajo besonte se ish-presidenti amerikan është në paqe me veten, ndërsa ajo vetë është duke e kërkuar ende këtë paqe.
Durimi i kritikave është pjesë e demokracisë, tha zonja Merkel, por ajo shtoi se mendonte se një president amerikan që ka përfunduar detyrën, trajtohet me më tepër respekt në publik sesa një kancelar gjerman, i cili ka lënë detyrën.
Një vit pasi dha dorëheqjen si kancelare, lufta në Ukrainë ka hedhur hije mbi reputacionin e zonjës Merkel. Ajo admirohej gjerësisht për moderimin dhe pragmatizmin e saj. “Merkel”, një dokumentar i ri nga Eva Weber, regjisore gjermane e cila jeton në Londër, që u shfaq në Berlin më 23 nëntor, pasqyron kryesisht këtë pikëpamje.
Në përgjithësi, ai shfaq një portret të Merkel-it në kohën kur ajo u largua nga detyra, një pikë kur ndoshta ishte ende udhëheqësja më popullore europiane, si brenda dhe jashtë vendit. Por mendimi i gjermanëve për trashëgiminë e saj, ka ndryshuar në mënyrë dramatike që atëherë.
Me sa duket, Merkel është e shqetësuar se si do ta gjykojë historia, prandaj së fundmi, ka dhënë intervista të gjata për gazetat “Der Spiegel” dhe “Stern”, e cila e vendosi në kopertinë javën e kaluar.
Në 12 muajt që kur zonja Merkel la detyrën, Europa ka përjetuar shpërthimin e një lufte. Çmimet për gazin natyror dhe energjinë elektrike janë rritur dhe Gjermania po vë në pikëpyetje themelet e politikave të saj ekonomike, ushtarake dhe të sigurisë. Zonja Merkel tani konsiderohet si naive, për faktin se e ka lejuar Gjermaninë të bëhet tepër e varur nga furnizimet me energji të kontrolluara nga një autoritar si Vladimir Putin.
Ajo gjithashtu fajësohet për dobësinë relative të Forcave të Armatosura gjermane, dixhitalizimin e ngadaltë të vendit dhe varësinë e madhe nga Kina që kanë disa prej kompanive kryesore gjermane.
“Merkel” është një dokumentar për një udhëheqëse të shquar, e cila ishte gruaja e parë, personi i parë nga Gjermania Lindore dhe shkencëtarja e parë që u zgjodh në postin më të lartë të Gjermanisë. Ajo tërhoqi vëmendjen për humorin e thatë, modestinë dhe përbuzjen ndaj Donald Trump, që me vështirësi arrinte ta fshihte. Por portreti i saj si një figurë pozitive, duket tashmë si diçka që i përket së kaluarës.
Në intervistat e fundit, zonja Merkel nuk pranon faj për politikat e saj ndaj Rusisë, edhe pse udhëheqës të tjerë gjermanë, si presidenti Frank-Walter Steinmeier, janë treguar të ndershëm dhe i kanë pranuar gabimet. Zonja Merkel ka bërë justifikime.
“Unë nuk kisha më fuqinë për të bindur të tjerët, sepse të gjithë e dinin se do të largohesha deri në vjeshtë”, tha ajo për “Der Spiegel”, duke shpjeguar se si ajo dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, u përpoqën më kot të krijonin një raund tjetër bisedimesh, pas një takimi në verën e vitit 2021 midis zotit Putin dhe presidentit Joe Biden.
Më e keqja nga të gjitha, zonja Merkel e shpërfill faktin se ajo mund të kishte ndalur ndërtimin e Nord Stream 2, një tubacion tashmë i pafuqishëm që synonte të transportonte gaz nga Rusia në Gjermani.
Qëllimi i atij gazsjellësi, paralajmëruan vëzhguesit e Putinit, ishte që Rusia të vazhdonte eksportimin e gazit në Europë, edhe nëse ajo do të ndërpriste furnizimet në Ukrainë, një shtet që anashkalohej nga Nord Stream 2. Nëse zonja Merkel do të kishte qenë më e vendosur, Putini mund të mos kishte marrë guximin për të sulmuar Ukrainën.
E-Diaspora
-
Gjenvë
Gjeneva nën tingujt e Ramë Lahajt e Marigona Qerkezit Tenori Ramë Lahaj dhe soprano Marigona Qerkezi do të performojnë në Gjenevë para diasporës shqiptare... -
Gjykata zvicerane dënon 57-vjeçarin nga Kosova për mashtrime milionëshe -
Mynih
Zamira Gashi, juristja shqiptare që po ndërton karrierë të suksesshme në Mynih -
Orë letrare në Cyrih për Ditën e Pavarësisë së Kosovës -
Lozanë
SHKA “Teuta” në Lozanë në përgatitje për festën e 17 Shkurtit
Jeta në Zvicër
-
Gjenvë
Gjeneva nën tingujt e Ramë Lahajt e Marigona Qerkezit Tenori Ramë Lahaj dhe soprano Marigona Qerkezi do të performojnë në Gjenevë para diasporës shqiptare... -
Gjykata zvicerane dënon 57-vjeçarin nga Kosova për mashtrime milionëshe -
Çfarë i duhet Cyrihut për të qenë një qytet gjithëpërfshirës? -
Lozana kompenson bizneset e goditura nga punimet publike -
Produkte “pa gluten” që mund të përmbajnë gjurmë gluten shkaktojnë konfuzion tek konsumatorët












