Kosova
NZZ: Kosova nuk përfiton asgjë nga “Open Balkan”
Gazeta zvicerane,: "Për aq kohë sa Serbia nuk e pranon Kosovën, dobia që ka Kosova nga “Open Balkan” është zero"
Gazeta zvicerane, NZZ, shkruan se synimi i Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për qarkullim të lirë të mallrave dhe personave ka ngjallur mosbesim në rajon. Për aq kohë sa Serbia nuk e pranon Kosovën, dobia që ka Kosova nga “Open Balkan” është zero, përcjell albinfo.ch.
Pas dokumentit anonim mbi kufijtë e rinj në Ballkan, i cili u përhap në pranverë dhe ende nuk dihet kush ishte autori, një propozim tjetër ka ngjallur debate në Ballkan: fjala është për projektin “Open Balkan”, një “ide burimore serbe”, shkruan gazeta zvicerane “Neue Zürcher Zeitung” (NZZ). Projektit “Open Balkan” të presidentit serb Aleksandar Vuçiq i janë bashkuar kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe ai maqedonas Zoran Zaev.
Deri në vitin 2023 synohet të mos ketë kontrolle kufitare në vendet ballkanike që e përkrahin projektin. Po ashtu synohet krijimi i një zone të lirë tregtare.
Përkrahësit e projektit (Vuçiq, Rama dhe Zaev) thonë se “Open Balkan” nuk paraqet konkurrencë për integrimet europiane, por “Neue Zürcher Zeitung” është e bindur në të kundërtën: të dyja nismat rrjedhin nga bindja se anëtarësimi në BE në aspektin afatgjatë duket jorealist. E vërteta, sipas “Neue Zürcher Zeitung”, është se në Shqipëri, në Serbi apo në Bosnjë e Hercegovinë prej vitesh nuk ka përparim të ndjeshëm në fushën e sundimit të ligjit.
Sipas “NZZ”, nuk është rastësi që “Open Balkan” kundërshtohet nga tri shtete që kanë raporte të ndërlikuara me Serbinë: Kosova, Bosnja, Mali i Zi. Në të tri vendet nisma e Beogradit (e përkrahur nga Tirana dhe Shkupi) shihet si pjesë e interesave të Serbisë për të dominuar në rajon. Dobia që ka Kosova nga “Open Balkan” është praktikisht zero për aq kohë sa Serbia nuk e pranon pavarësinë e Kosovës. Pengesat më të rëndësishme tregtare janë të natyrës jotarifore, sepse Serbia nuk i pranon mallrat apo dokumentet doganore në të cilat Kosova figuron si shtet.
Qëndrimin më të ashpër kundër “Open Balkan” e ka mbajtur Mirosllav Lajçak, i dërguar i BE-së për dialogun mes Serbisë dhe Kosovës. Sipas tij, projekti paraqet një konkurrencë jo të shëndoshë ndaj procesit të integrimeve europiane. “NZZ” përkujton se tashmë ekziston Procesi i Berlinit për nxitjen e bashkëpunimit rajonal.
Shumica e vendeve të Ballkanit janë të vogla dhe pothuaj nuk kanë treg të brendshëm. Një hapësirë ekonomike me 18 milionë banorë do të përmirësonte parakushtet. Qarqet ekonomike parimisht e shohin pozitivisht paralajmërimin e “Open Balkan”. Sidomos Serbia ka potencialin të shndërrohet në qendër rajonale.
Por, nënvizon “NZZ”, pa u pajtuar në çështjet e mëdha (si rasti i Kosovës), bashkëpunimi ekonomik nuk i mbulon hendeqet. Pa u sqaruar çështja e njohjes së Kosovës, kryeministri Albin Kurti nuk mendon t’i lëshojë pe Serbisë. Beogradi tashmë ka paralajmëruar se do të rifillojë fushatën për çnjohjen e Kosovës. Gazeta nënvizon se raporti i Kurtit me Edi Ramën është i tensionuar, ndërsa raportin Rama-Vuçiq e quan të çuditshëm dhe pyet se kushedi se ç’mund të dalë nga kjo marrëdhënie.
Toby Vogel nga Democratization Policy Council thekson se “Open Balkan” nuk i heq pengesat për hyrje në BE, pra nuk zgjidh problemet ndërshtetërore, as sundimin e ligjit. Sipas Vogel për politikanë autokratë si Vuçiq apo Rama, nisma “Open Balkan” është e përshtatshme, sepse nuk përmban agjendë reformuese. BE nuk ka strategji të besueshme në Ballkan. Këtë nuk e ndryshon as “Open Balkan”, shkruan NZZ.
E-Diaspora
-
Stokholm
Filmi shqiptar “Derë e Hapur” shfaqet në Stokholm në kuadër të muajit të Frankofonisë Një histori e fuqishme familjare dhe shoqërore sjell kinemanë shqiptare më afër publikut suedez... -
Nga një fëmijëri e integruar në Cyrih drejt një zëri me peshë në shoqërinë zvicerane -
Thonex: Punonjësi me origjinë shqiptare denoncon racizëm në polici -
Kantoni i Cyrihut i dhuron një automjet zjarrfikës qytetit të Gjilanit -
Vjenë
Trupat e pajetë nga tragjedia e Vjenës nisen sot për Kosovë
Jeta në Zvicër
-
Qeveria Federale planifikon mbrojtjen e të moshuarve nga dhuna Në këtë kuadër, qeveria ka miratuar një program stimulues për parandalimin dhe zbulimin e hershëm të... -
Këshilli Federal kërkon katër miliardë franga për forcimin e ushtrisë -
Makina godet një grup nxënësish – Mendohet se ka humbur jetën një person -
Çmimet vazhdojnë të rriten: Nafta tani kushton 2.10 franga për litër -
Këshilli Federal propozon masa të reja kundër mungesës së barnave











