E-Diaspora
Gazmend Freitag ekspozon në Vjenë
“Në hapësirën e veçantë për vepra arti “Der Kunstraum” në qendër të Vjenës u hap ekspozita... motivet artistike të piktorit janë bukuria e femrës, peizazhet nga natyra, e veçanërisht Prizreni me urat e vjetra nga guri... në Kosovë është një frymë tjetër e pikturave
Ditë më parë piktori i njohur, i cili jeton në Austri, Gazmend Fraitag, hapi ekspozitën e radhës në kryeqytetin austriak, e cila me sukses po vizitohet nga shumë dashamirë të artit pamor. Vjena është vend ku vlerësohet arti dhe ekspozimi artistin e ngre para përgjegjësisë dhe kritikës së mirëfilltë. Në hapësirën e veçantë për vepra arti “Der Kunstraum”, në qendër të qytetit, punimet në pikturë do të qëndrojnë për vizitorë më shumë se një muaj, deri më 7 korrik. Ishte kjo ekspozitë e iniciuar nga piktori austriak, Eddie Mülller, nga Linci, e organizuar nga reporteri për kulturë, Joe Leiner. Në hapje të ekspozitës ishin prezentë shumë figura arti dhe mërgimtarë shqiptarë nga shoqatat dhe klubet e ndryshme shqiptare dhe vendëse. Hapjen e ekspozitës e bëri krijuesi Hubert Thurnhofer, autori i veprës “Das Testament des Damien First”, e cila e kishte edhe ditën e promovimit. Në mbrëmjen e hapjes ishin të pranishëm më shumë se 80 mysafirë nga të gjitha zhanret e krijimtarisë dhe mërgimtarë shqiptarë artdashës. Nga Ambasada e Kosovës ishte z.Anton Marku, këshilltar, i cili i përshëndeti të pranishmit.
…ekspozitat
Pas disa sukseseve me ekspozitat e tij në Gjermani që nga vitet nëntëdhjeta, serinë e ekspozitave në Austri e fillon në vitin 2008, në Peuerbach, e në “Atrium” Bad Schallerbach, duke vazhduar me sukses në disa qytete të tjera. Këtë vit ekspozoi në “Galerie – Halle” në Linz, në “Café Kronberg” (2013) në Scharten dhe kjo tani e hapur në Vjenë. Gazmendi është prezantuar me sukses me punimet e tij në antologjinë e krijuesve shqiptarë në Austri “Iliricum”, vepër e Shoqatës Kulturore “Aleksandër Moisiu” në Austri.
…motivi
Motivet në krijimtarinë artistike të piktorit janë bukuria e femrës, peizazhet nga natyra, e veçanërisht Prizreni me urat e vjetra nga guri, ku piktori kaloi një pjesë të jetës së tij rinore si gjimnazist. Ai e preferon pikturimin me ngjyra vaji në kanavac, në grafikë dhe disa me laps. Talentin e tij gjithmonë e ka shprehur me pikturë që nga fëmijëria e tij në Prizren, ku mësoi në shkollën fillore dhe në gjimnaz, muret e të cilave ishin të zbukuruara me pikturat e tij. Kjo e mbushi krijuesin me besim në artin e tij dhe e bëri të lumtur në rrethin shoqëror. Tani krijimtarinë e tij e realizon me sukses në Austri. Ekspozitat e tij gjithnjë në rritje në cilësi e sasi e shprehin shpërthimin e energjisë së autorit me vrull të pandalshëm. Në shaka piktori do shprehet: “Unë kam aq shume motive dhe energji të akumuluar saqë më duhet ndoshta edhe një jetë e dytë për t’i realizuar ato. Ura e gurit në Prizren më ka fascinuar, të cilën unë dy here në ditë e kaloja përderisa isha gjimnazist në Prizren. Ndërsa Kalaja e lashtë në prapavijë dhe qielli i kaltër në horizont, janë motiv shumë i preferuar edhe sot për mua. Fytyrat e njerëzve dhe karakteristikat e tyre janë shumë prezentë në vizatimet e mia. Ato i punoj me ngjyra vaji në kanavace, tush dhe laps të thjeshtë. Aktet nudo janë domosdoshmëri thuajse për çdo piktor”. Ky është Gazmend Freitag, njeriu ynë i cili imazhin tonë e ngre nëpërmes brushës së tij, qëndrimit të tij prej artisti e njeriu që krijon madhështinë e të bukurën, e cila do të jetojë gjatë. Vendlindja nuk të lë të qetë, të thërret kudo që je në përkujtimin e peizazheve nga syri i një kohe që nuk harrohet. Dashuria ndaj vendlindjes e mbjell në shpirt, është navigator në çdo cep të globit. Këtë e dëshmon edhe artisti ynë.
Kush është Gazmend Freitag
Gazmendi lindi në vitin 1968 në fshatin Pataqan i Poshtëm. Është fëmija i tretë me radhë nga pesë djemtë e Asllan dhe Qamile Mustafës. Posa përfundoi shkollën e mesme, regjistrohet në Fakultetin Juridik në Prishtinë. Rrjedhat në Kosovën e robëruar, kur edhe mbyllet universiteti e detyron Gazmendin ta braktisë vendlindjen në vitin 1990, duke u vendosur fillimisht në Gjermani, e pastaj në Linc të Austrisë. Në mërgim i hyn fushës së artit pamor, ku piktura është prirja e tij. Ai do vazhdojë mësimet tek artistët e njohur austriakë, piktori Erich Ruprecht dhe Mag.art.Judith Goetzloff në Linz. Krahas kësaj, Gazmendi iu rrek punëve në pikturim, në grafikë, ngjyra vaji në kanavace. Piktura me motive nga bukuria e femrës dhe peizazhi janë dominuese në punën e tij artistike.
Hazir Mehmeti, Vjenë
Të tjera nga E-Diaspora
E-Diaspora
-
Vlashent Sata “Lufto me kenë i mirë, ma shumë ke me kenë i lirë” Vlashent Sata, një identitet artistik që harmonizon rrënjët me estetikën bashkëkohore. Intervistë me artistin që ndërthur... -
Nata e parë e Tri Net Film Fest, një fillim i mbarë i festivalit -
Itali
9-vjeçarja shqiptare fiton festivalin italian “Zecchino d’Oro” për herë të parë në 68 vjet -
Gjermani
Ekspozitë në Braunschweig, identiteti dhe arti kosovar në skenën gjermane -
Familja Munishi dhe vizioni i Nikolas: Një histori suksesi në Wil
Jeta në Zvicër
-
Ndalimi i reklamave të duhanit në Zvicër për të mbrojtur të miturit do të fillojë në vitin 2027 Rregullat e reja mbi reklamimin e duhanit për të mbrojtur fëmijët, të miratuara nga parlamenti zviceran... -
Tregtia e energjisë elektrike diellore midis banorëve të së njëjtës komunë do të jetë e mundur nga viti 2026 -
Ndryshimet e transportit publik që priten në qytetet më të mëdha të Zvicrës në vitin 2026 -
Zvicra nënshkroi kontratën për tetë avionët e parë F-35 -
Pse autoritetet e Cyrihut po i anashkalojnë intervistat për natyralizim?











