evente

Gazmend Zajmi, një ndër kolosët e pavarësisë

Në bibliotekën e shoqatës “Nënë Tereza” u bë promovimi i monografisë “Gazmend Zajmi – një jetë për Kosovën”, kushtuar jetës dhe veprës se akademik Gazmend Zajmit, nga autori, gazetari e publicisti Nuhi Bytyçi.

Ky ishte promovimi i parë që u bë në ketë bibliotekë. Në praninë e autorit, të pranishmit i përshëndeti kryetari i shoqatës Nënë Tereza në Zvicër, Nue Zalli, kurse për librin dhe autorin folën Abas Fejzullahu dhe Bardhec Berisha.

Kryetari i shoqatës, Nue Zalli, pasi përshëndeti autorin, don Anton Ukën, misionar i misionit katolik shqiptar në Luzern, panelistët dhe të gjithë të pranishmit, tha:

“Unë dua që përzemërsisht të përshëndes këtë ngjarje që po zhvillohet në mërgatë, e që na jep pamje të reja të atyre që kanë lënë vepra të prekshme e të dobishme, për të cilët mund të flasim në çdo kohë. Nuhi Bytyçi është emër dhe zë i njohur për shqiptarinë, pikërisht për popullatën e Kosovës, për ne mërgatën, kur dikur prisnim që dikush të jetë i guximshëm e të na sjellë informacione për zhvillimet që bëheshin në kohën e paraluftës, në kohën e luftës dhe të paqes. Unë e uroj autorin të ketë sukses në veprat e tij, nga se ka çka t’i ofrojë lexuesit. Ndërsa figurat si kjo e akademik Gazmend Zajmit, mos u harrofshin kurrë!

Kurse për jetën dhe veprën e autorit foli poeti Bardhec Berisha. Ai shtoi: Nuhi Bytyçi është gazetar i karrierës me përvojë rreth 50-vjeçare. Ai është shquar në vazhdimësi për guximin dhe origjinalitetin e tij.

Gjatë periudhës së luftës në Kosovë në vitet 1998-1999, Nuhi Bytyçi me profesionalizëm ka udhëhequr ekipin televiziv në zonat e luftës, ka raportuar dhe realizuar kronikat dhe emisionet televizive, duke prezantuar në Televizioni Shqiptar në Tiranë dhe në televizionet me renome botërore BBC, CNN, AP, Euronews e media e tjera dramën e popullatës civile shqiptare dhe masakrat e forcave serbe. Bytyçi si gazetar është dëshmitar i shumë takimeve të diplomatëve amerikanë dhe evropianë me udhëheqësit politikë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për përfundimin e luftës dhe gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme të problemit të Kosovës.

Ka botuar memoaret e tij publicistike me titull “Libri i luftës”, 2019. Kjo monografi kushtuar Akademik Gazmend Zajmit është libri i dytë i tij. Është bashkautor i monografisë “Horizontet e diturisë”, 1995.

Kurse për librin e tij kushtuar jetës dhe veprimtarisë së Akademik Gazmend Zajmit, të titulluar: ”Gazmend Zajmi- një jetë për Kosovën” foli veprimtari Abas Fejzullahu, i cili tha:

“Nuhi Bytyçi në librin e tij kushtuar jetës dhe veprimtarisë së Akademik Gazmend Zajmit të titulluar: ”Gazmend Zajmi një jetë për Kosovën”, libri në tërësi ka 504 faqe, e mbarështruar në 23 kapituj dhe secili kapitull me tituj të veçantë, që përveç Parathënies dhe Hyrjes, libri është mbarështruar në 181 tituj”.

Qëllimi thelbësori këtij përurimi është:

Që të gjithë pjesëmarrësit e nderuar në këtë përurim si lexues – se e dashamirë të librit në veçanti dhe kulturës në përgjithësi të njoftohen lidhur me përmbajtjen e librit edhe përmes bashkëbisedimit të drejtpërdrejt me autorin e librit që është i pranishëm sot këtu e që me vete ka sjellë përveç librit, edhe filmin dokumentar kushtuar jetës dhe veprimtarisë shumëdrejtimëshe të Akademik Gazmed Zajmit.

Në vitin 1993 akademik Gazmend Zajmi bashkë me akademik Idriz Ajetin, Mark Krasniqin, Hivzi Islamin dhe akademikët e vtjerë dhe më avokatin e njohur Bajram Kelmendi, shkruajnë letër drejtuar Këshillit të Sigurimit, Sekretarit të Kombeve të Bashkuara, ish-presidentit amerikan, Bill Clinton, dhe personaliteteve të tjera të larta evropiane dhe ndërkombëtare.

Shkëlqesia e juaj,

“Populli shqiptar i Kosovës, si popull i civilizuar dhe shumicë, i është nënshtruar një represioni e terrori sistematik nga regjimi i Beogradit. Ne kundërshtojmë represionin dhe masat antikushtetuese të Serbisë ndaj institucioneve të Kosovës dhe kërkojmë nga ju, nga institucionet ndërkombëtare që të ndërpritet dhuna shtetërore serbe në Kosovë. Nëse doni paqe në Ballkan, kërkojmë që të respektohet vullneti politik i drejtë i popullit shqiptar të Kosovës që të jetojë i lirë dhe subjekt i barabartë në konstituimin e rendit të ri kushtetues në Jugosllavi”.

Akademik Gazmend Zajmi

Pas fjalës së penalistëve, u shfaq një pjesë (31 minuta) nga filmi dokumentar “Gaznend Zajmi-një jetë për Kosovën”.

Pas përfundimit të dokumentarit, në fjalën e vet autori falënderoi kryetarin e shoqatës, Nue Zallin, panelistët Abas Fejzullahun, Bardhec Berishën, don Anton Ukën dhe të gjithë të pranishmit në këtë promovim, sepse kështu po nderoni veprën madhore të akademik Gazmend Zajmit dhe punën time në përgatitjen e kësaj monografie për këtë figurë të veçantë intelektuale të botës shqiptare dhe jo vetëm.

“Vendimi për përgatitjen e kësaj monografie për jetën dhe veprën shumëdimensionale të akademik Gazmend Zajmit nuk ka qenë i lehtë, sepse ishte përgjegjësi e madhe që t’i hyj këtij obligimi tejet të madh dhe me përgjegjësi, shprehet autori i mkonografisë.

Dhe, në fund u shtrua një koktej rasti ku patën mundësi të gjithë të bashkëbisedonin dhe t`i shtronin pyetje autorit rreth librit, por edhe më shumë.