Lajme
Gjeneva do ta nisë vitin 2026 pa buxhet
Kantoni i Gjenevës do të hyjë në vitin 2026 pa një buxhet të miratuar. Duke dënuar mungesën e reformave strukturore, shumica e djathtë në Këshillin e Madh rrëzoi të enjten projektbuxhetin, i cili parashikonte një deficit të madh.
Mocioni për t’i kaluar diskutimit u hodh poshtë me 62 vota kundër dhe 32 pro (nga Partia Socialiste dhe Të Gjelbrit), duke i dhënë fund debatit. Projektligji që iu paraqit seancës plenare parashikonte fillimisht një deficit prej 409 milionë frangash, i cili u rrit në 767 milionë pas një uljeje të të ardhurave të pritshme, transmeton albinfo.ch.
“Ky draft-buxhet nuk përbën një bazë të pranueshme,” deklaroi Laurent Seydoux, deputet i LJS dhe raportues i shumicës. “Shpenzimet e kantonit janë në një nivel të tillë që hapësira e manovrës është thuajse zero,” shtoi ai, duke theksuar se “reformat strukturore ende nuk po vijnë”.
Nathalie Fontanet, Këshilltare e Shtetit e përgjegjëse për financat, tha në emisionin 19h30 të RTS-së: “Jemi në deficit sepse shpenzimet e detyrueshme po rriten ndjeshëm dhe, njëkohësisht, të ardhurat nga tatimi i kompanive po normalizohen.”
Ekspert i jashtëm i emëruar
Gjeneva ka përjetuar disa vite të mira, gjatë të cilave popullsia ka përfituar, si për shembull transport publik falas për të rinjtë dhe ulje taksash. Por sipas Nathalie Fontanet, problemi qëndron tjetërkund.
“Nuk kemi problem të ardhurash në kanton. Problemi është rritja e pakontrolluar e shpenzimeve, qoftë nga barazimi ndërkantonor apo transferimet që Konfederata kërkon t’i imponojë kantonit përmes planit të saj të kursimeve,” tha ajo në emisionin Forum. “Ndodhemi në një situatë që aktualisht e kemi të vështirë ta kontrollojmë.”
Për të adresuar këtë deficit, qeveria e Gjenevës ka angazhuar një ekspert të jashtëm. “Kemi emëruar ish-presidentin e Gjykatës së Auditit, i cili do të analizojë me transparencë të gjitha politikat publike dhe do të propozojë mënyra për të kursyer,” njoftoi Fontanet.
“Të dymbëdhjetat provizore”
Rrëzimi i buxhetit do të thotë që viti 2026 do të nisë nën regjimin e “dymbëdhjetave provizore” — një mekanizëm që përsërit buxhetin e vitit 2025, por vetëm muaj pas muaji. Kjo është hera e pestë në tridhjetë vjet që Gjeneva detyrohet t’i rikthehet këtij sistemi.
Ky regjim ka pasoja konkrete për aktivitetet e shtetit. “E para është se nuk do të ketë vende të reja pune,” shpjegoi Fontanet. “Kjo do të thotë se kërkesat për shtim të efektivit policor, për shkak të pasigurisë së perceptuar nga popullsia, si edhe nevojat për mësues të reja lidhur me rritjen e numrit të nxënësve, nuk janë të përfshira në këto dymbëdhjetat provizore.”
Qeveria duhet të paraqesë një projekt të ri buxheti deri më 31 mars 2026, por ministrja e Financave nuk është optimiste për miratimin e tij. “Parlamenti pret reforma të menjëhershme. Por këto reforma kërkojnë kohë, sepse do të duhet të paraqesim projektligje që duhet të miratohen,” theksoi ajo. “Prandaj, fatkeqësisht, nuk jam e sigurt që më 31 mars do të kemi një rezultat më të mirë.”
E-Diaspora
-
Viti i diasporës: Kush vendos për fatin e Kosovës? Tri palë zgjedhje e kthyen diskutimin në një arenë të hapur: pse diaspora duhet të votojë?... -
Magazina albinfo.ch sjell personalitetet shqiptare të Zvicrës për vitin 2025 -
Diaspora
Pse ka më pak aplikime nga diaspora për zgjedhjet e 28 dhjetorit? -
Mbi 77 mijë votues nga diaspora janë regjistruar për zgjedhjet e 28 dhjetorit -
LDK mban takim me mërgatën në Austri
Jeta në Zvicër
-
Top 10 destinacionet për ski në Evropë, dy në Zvicër e një në Austri Kontinenti ofron një mori destinacionesh, nga resortet luksoze të Zvicrës te pistat më ekonomike të Bullgarisë,... -
“Zvicra mund të ushqejë 10 milionë njerëz” -
Vit i ri, rregulla të reja. Ja çfarë do të ndryshojë për trafikun rrugor në vitin 2026 -
Paralajmërim për bllokime trafiku për Krishtlindje -
Viti i diasporës: Kush vendos për fatin e Kosovës?











