Lajme

Gjermania pret rritje ekonomike edhe këtë vit

Gjermania do të ketë rritje ekonomike, por dukshëm më te ulët se vitet e tjera

Është bërë e ditur se Gjermania do të shënojë rritje ekonomike edhe këtë vit. Por, duhet theksuar se këtë vit pritet shumë më pak se në vitet e mëparshme. Këtë e ka bërë të ditur ‘Enti Statistikor’ në Gjermani, i cili ka publikuar të dhënat e fundit, transmeton albinfo.ch.

Në këtë raport thuhet se ekonomia gjermane ka ulur prognozat e rritjes ekonomike për këtë vit, për shkak të luftërave tregtare, konflikteve globale dhe koniunkturës më të dobët botërore. Thuhet se rritja ekonomike në Gjermani në vitin 2019 ishte vetëm 0,6 %, ndërkohë që në vitet e mëparshme (2018 dhe 2017) ishte 1,5 % dhe 2,5 %. Këto të dhëna i ka publikuar të mërkurën Enti Federal i Statistikave në Berlin.

Duhet cekur se viti 2019 ishte viti i dhjetë me radhë kur Gjermania ka shënuar rritje ekonomike – prej vitit 2010. Vitet e kaluara këtë rritje e ka ndihmuar edhe fuqia blerëse e konsumatorëve. Konsumimi është rritur me 1,6 % vitin e kaluar, që është dukshëm më shumë se dy vjet më parë. Ndërkohë që janë rritur edhe investimet në ndërtimtari. Sipas të dhënave statistikore, janë rritur edhe të dhënat e shtetit për çështjet sociale dhe rroga, shkruan Deutsche Welle.

Po ashtu, edhe vëzhguesit e tjerë thonë se të dhënat e tanishme të Entit duhet të merren me qetësi. Martin Moryson, shef i Europa DWS, thotë se rritja ekonomike vitin e kaluar prej vetëm 0,6 % është një prej më të dobëtave në vendet industriale, sepse vetëm Italia ka të dhëna më të dobëta.

Gjithashtu, Florian Hense nga Berenberg Bank mendon se të dhënat e fundit nuk janë shqetësuese. “Brenda dy viteve të ardhshme gjendja do të duhej të përmirësohej dhe rritja ekonomike të kthehet në nivelin prej 1,5 %. Rënia e tregtisë botërore e ka prekur Gjermaninë më shumë se asnjë vend tjetër. Por trendi aktual është solid”.

Nga ana tjetër, shefi i sektorit të tregtisë në Dhomën e Industrisë dhe Tregtisë, (DIHK), Martin Wansleben, nënvizon se gjërat janë nën kontroll, duke i falënderuar stabilitetit të brendshëm ekonomik. Ai nuk pret ndonjë rënie serioze ekonomike, por kërkon më shumë investime: “Gjendja në vitin 2019 duhet të kuptohet si paralajmërim, sepse situata e njëjtë do të jetë edhe në vitin 2020. Gjermania duhet të përmirësohet – në modernizimin e infrastrukturës, me investime në arsim dhe lehtësime tatimore.”

Enti i Statistikave vlerëson se në veçanti industria gjermane, si një kampione në eksport, ka pasur probleme serioze gjatë vitit të kaluar. Grindjet tregtare dhe drama me Brexitin kanë lëkundur konsumatorët dhe kanë frenuar investimet. Industria e automjeteve, makinerive, elektroindustria dhe industria kimike kanë qenë më të prekurat. Gjatë vitit ka pasur periudha madje kur disa degë të industrisë kanë qenë në recesion. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë vitit të kaluar është rritur importi me 1,9 %, ndërsa eksporti me vetëm 0,9 %.

Ndërkohë, Banka Botërore pohon se ekonomia gjermane ka shënuar rënie në aftësitë e konkurrencës. Në “Ease of Doing Business Index” – Gjermania ka rënë në vendin e 22 – pas Maqedonisë së Veriut dhe Gjeorgjisë. “Ne kemi rënë në gjumë, sepse 10 vitet e fundit i kemi pasur punët vërtet mirë”, kritikon presidenti i Shoqatës së Industrisë (BDI), Dieter Kempf. Rritja e kostove të energjisë, tatimet e larta, burokracia e tepërt – të gjitha këto janë elemente që ngarkojnë rritjen ekonomike.

Institutet udhëheqëse pohojnë se vitin e ardhshëm do të kemi rekorde të reja në numrin e të punësuarve, por në gjysmën e dytë të kësaj dekade mund të pritet një ndryshim më i madh demografik. Enti i Statistikave pohon se Gjermania deri në vitin 2035 do të ketë rreth 4-6 milionë punëtorë më pak në dispozicion, për shkak të rritjes së moshës mesatare të popullatës. /Albinfo.ch.