Lajme

Gjermania, donatori i dytë më i madh në Kosovë

Zotimet e përgjithshme të qeverisë Gjermane për bashkëpunim me Kosovën për këto 12 vite deri në takimin e shtatorit janë rreth 230 milionë euro, njoftojnë zyrtarët qeveritarë në Prishtinë

Republika e Gjermanisë është donator i dytë më i madh në Kosovë pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës , me një investim prej 230 milionë euro në disa sektorë të ndryshëm ekonomik dhe infrastrukturor. Ky investim i shtetit gjerman, sipas ekspertëve të ekonomisë, ka ardhur që nga viti 1999 deri më tani.

Vetëm rajonit të Pejës, Qeveria e Gjermanisë i ka mundësuar furnizimin e vazhdueshëm me ujë nga burimet natyrore. Ky investim në vlerë prej 4 milionë eurosh, ka mundësuar investime për sistemimin e ujit nëpër gypa, që furnizimi i popullatës me ujë të pijshëm të sigurohej njëherë e përgjithmonë.

Sipas Agron Tiganit, drejtor i kompanisë rajonale për ujë dhe kanalizim “Hidrodrini” në Pejë, ky investim ka ndihmuar në shërbimin me ujë të pijshëm për 185.000 banorë dhe në shërbime te ujërave të zeza për 60,000 banorë të komunës së Pejës, Istogut, Klinës dhe Junikut.

“ Investimet totale gjatë këtyre viteve kanë qenë afërsisht 4 milionë euro vetëm në rrjetin e ujësjellësit. Kemi pas projekte të shumta që nga rehabilitimi i ujësjellësit në Istog, rehabilitimi i gypësjellesit në zonat urbane në Pejë, Klinë, Junik, ndërtimi i stacionit të ri të pompimit në Pejë, vendosja e valvuleve të ajrit, vendosja e pesetave në Klinë “, thotë Tigani raporton DW.

Një projekt shumë i rëndësishëm, sipas tij, është edhe ndërtimi i dy rezervuarëve në Pejë nga Banka Gjermane me një kapacitet prej 3 milionë litra ujë, i cili sivjet ka hyrë në funksion dhe ka zgjidhur problemin e ujit të pijes sidomos në sezonin e verës dhe në zona të larta të Pejës.

“ Zotimet e përgjithshme të qeverisë Gjermane për bashkëpunim me Kosovën për këto 12 vite deri në takimin e shtatorit janë rreth 230 milionë euro. Projekte të shumta janë zhvilluar dhe po zhvillohen me përkrahjen e Gjermanisë, për të cilat qeveria është shumë mirënjohëse dhe falënderuese“, thotë ndërkaq Menderes Ibra, këshilltar i ministrit për ekonomi dhe financa në qeverinë e Kosovës.

Sipas Ibraj, qeveria gjermane deri me tani ka kontribuar në fushën e ekonomisë, financave, energjisë, bujqësisë dhe zhvillimit rural, sektorin e ujërave, të arsimit dhe edukimit, rritjen e punësimit, në ngritjen e kapaciteteve si dhe në projekte të shoqërinë civile.

Ndërkaq, me qëllim të implementimit të reformave të nevojshme në kuadër të procesit të përafrimit të Kosovës me BE-në, qeveria Gjerman ka premtuar edhe një ndihmë prej 28,3 milionë eurove, të cilat i shërbejnë implementimit të projekteve për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, në fushën e energjetikës dhe ujërave, si dhe të arsimit të ulët, etj

“Shuma prej 28.3 milionë eurosh, është planifikuar që të orientohet në: infrastrukturë – 18 milionë euro; në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe promovimin e punësimit -7.2 milionë euro; në arsim -2.5 milionë euro si dhe 0.6 milion euro në zhvillimin demokratik, shoqëri civile dhe në administratë publike”, thuhet në një njoftim të Ambasadës gjermane në Kosovë.