Futboll

Gjiganti francez mendon ta kthejë Edon Zhegrovën në Ligue 1

Marseille interesohet për Edon Zhegrovën, rikthim i mundshëm në Ligue 1

Sulmuesi i Kosovës, Edon Zhegrova, mund të rikthehet në elitën e futbollit francez. Sipas mediumit italian Mediafoot, interesim për shërbimet e tij ka shfaqur Olympique de Marseille.

Klubi nga Ligue 1, i cili ishte pranë transferimit të Zhegrovës edhe gjatë verës, po planifikon ndryshime në repartin ofensiv për sezonin e ardhshëm. Drejtuesit e Marseille raportohet se janë duke monitoruar disa opsione në treg, ndërsa situata e reprezentuesit kosovar vlerësohet si një mundësi e favorshme.

“Marseille po përgatit riorganizim në sulm dhe po ndjek me vëmendje zhvillimet që lidhen me lojtarë nga Serie A. Rasti i Zhegrovës është ndër më të rëndësishmit”, shkruan Mediafoot.

26-vjeçari e njeh mirë kampionatin francez, pasi më herët pati paraqitje të suksesshme me LOSC Lille. Ai u transferua te Juventus FC vitin e kaluar dhe ka kontratë me klubin torinez deri në qershor të vitit 2030.

Megjithatë, Zhegrova nuk duket të jetë në planet e trajnerit aktual të Juventusit, Luciano Spalletti. Që nga transferimi i tij në Itali, ai ka regjistruar vetëm 374 minuta lojë në të gjitha garat, çka ka shtuar spekulimet për një largim të mundshëm gjatë afatit të ardhshëm kalimtar./Albinfo.ch