Lajme
Gjykata Federale “dëbon” kosovarin, edhe pse ka jetuar 28 vjet në Zvicër
Verdikti i Gjykatës së Aargaut konfirmohet: Kosovari ka jetuar në Zvicër për gati 28 vjet dhe ka tre fëmijë këtu. Megjithatë, ai tani duhet të largohet nga vendi
Një burrë me shtetësi kosovare, sot 38-vjeçar, ka bërë përpjekje të mëdha kundër dëbimit nga vendi, duke e çuar çështjen deri në Gjykatën Federale. Por ai megjithatë do të dëbohet nga Zvicra – për dhjetë vjet.
Ajani (emri i ndryshuar) kishte ardhur në Zvicër nga Kosova në moshën 11-vjeçare dhe jeton këtu për gati 28 vjet. Në Zvicër ka përfunduar vitet e mbetura të shkollës, pastaj ka ndërprerë praktikën (zanatin), por ka punuar deri në vitin 2017, transmeton albinfo.ch. Që atëherë ai ka qenë i paaftë për punë. Megjithatë, asnjëherë nuk ka marrë ndihmë sociale. Ai ka dy fëmijë të rritur me ish-gruan e tij, ndërsa e dashura e tij aktuale ka sjellë në jetë vajzën e tij rreth një vit më parë.
Por Ajani ka bërë shkelje të ndryshme të ligjit: ka shpërndarë kokainë dhe ka goditur një kundërshtar në fytyrë me parakrah aq fort sa ai ishte rrëzuar pa ndjenja. Në mars të vitit 2022, Gjykata e Qarkut në Baden e shpalli atë fajtor për shkelje të shumta, disa prehj të cilave, serioze, të Aktit të Narkotikëve dhe tentativë për lëndim të rëndë trupor. Rezultati: dënimi me burg prej katër vjetësh dhe dëbimi nga vendi për dhjetë vjet, duke përfshirë një alarm në sistemin e informacionit të Zonës së Shengenit.
Ajani e ka çuar vendimin në Gjykatën e Lartë (Kantonale) të Aargaut, shkruan zoffingertagblatt.ch. Ajo ka konfirmuar vendimin e marrë nga gjykata më e ulët. Kosovari më pas ka paraqitur ankesë në Gjykatën Federale, duke kërkuar që aktgjykimi dhe dëbimi nga vendi të anulohet dhe të kërkojë ndihmë juridike dhe përfaqësim falas.
Sipas ligjit, një i huaj i dënuar për lëndim të rëndë trupor apo edhe tentativë për ta bërë këtë, duhet të dëbohet nga vendi për të paktën pesë vjet. Kjo pavarësisht shkallës së dënimit dhe peshës së krimit. Nëse ka një rast vështirësie personale, gjyqtarët peshojnë interesin publik kundrejt interesave private të të akuzuarit.
Gjykata e Qarkut dhe gjykata e lartë (kantonale) kishin arritur në përfundimin se bëhej fjalë për një rast të rëndë të vështirësisë personale sepse Ajani ka jetuar për një kohë të gjatë në Zvicër si dhe për faktin se ai ka familje dhe fëmijë këtu, transmeton albinfo.ch. Megjithatë, ai duhet të dëbohet nga vendi, sepse ai nuk ka “lëshuar rrënjë veçanërisht të forta” në këtë vend. Kosovari u ankua se kjo ishte kontradiktore, sepse rrënjët e forta janë parakusht për të vendosur se dikush kishte vështirësi personale, gjegjësisht se përbënte një të ashtuajtur “rast të rëndë”. Kështu, Ajani ka akuzuar gjykatën e ulët për arbitraritet.
Gjykata më e ulët ka argumentuar se Ajan flet gjermanisht, por ai e kalon shumicën e kohës në shtëpi dhe nuk ka miq. Ai, edhe nëse dëbohet, mund të mbajë lehtësisht kontakte me fëmijët e tij të rritur përmes mjeteve moderne të komunikimit dhe vizitave të rregullta të tyre në Kosovë. Ai nuk është i martuar me nënën e vajzës së tij më të vogël, ajo jeton në banesën e saj. Ajani dhe e dashura e tij kanë përgjegjësi të përbashkët prindërore, por kujdestaria e vajzës është vetëm e nënës. Ajo kujdeset për nevojat e përditshme të fëmijës.
Në përgjithësi, gjykata më e ulët i ka dhënë më pak peshë “interesit të Ajanit për të ruajtur jetën e tij private dhe familjare” sesa “interesit të rëndësishëm publik për dëbimin e tij”.
Gjykata Federale e sheh këtë çështje në të njëjtën mënyrë, përcjell albinfo.ch. Ankesa si dhe kërkesa për ndihmë juridike dhe përfaqësim falas po ashtu i janë refuzuar. Kështu, Ajani duhet të paguajë vetë shpenzimet gjyqësore prej 1200 frangash.
E-Diaspora
-
Vlashent Sata “Lufto me kenë i mirë, ma shumë ke me kenë i lirë” Vlashent Sata, një identitet artistik që harmonizon rrënjët me estetikën bashkëkohore. Intervistë me artistin që ndërthur... -
Nata e parë e Tri Net Film Fest, një fillim i mbarë i festivalit -
Itali
9-vjeçarja shqiptare fiton festivalin italian “Zecchino d’Oro” për herë të parë në 68 vjet -
Gjermani
Ekspozitë në Braunschweig, identiteti dhe arti kosovar në skenën gjermane -
Familja Munishi dhe vizioni i Nikolas: Një histori suksesi në Wil
Jeta në Zvicër
-
Ndalimi i reklamave të duhanit në Zvicër për të mbrojtur të miturit do të fillojë në vitin 2027 Rregullat e reja mbi reklamimin e duhanit për të mbrojtur fëmijët, të miratuara nga parlamenti zviceran... -
Tregtia e energjisë elektrike diellore midis banorëve të së njëjtës komunë do të jetë e mundur nga viti 2026 -
Ndryshimet e transportit publik që priten në qytetet më të mëdha të Zvicrës në vitin 2026 -
Zvicra nënshkroi kontratën për tetë avionët e parë F-35 -
Pse autoritetet e Cyrihut po i anashkalojnë intervistat për natyralizim?










