Integrimi

Gjykata Federale vendos për dëbimin e kosovarit të lindur në Zvicër: I papërmirësueshëm

Sipas Gjykatës Federale dënimi me dëbim është korrekt, pasi që interesi publik për dëbim të kosovarit peshon shumë më tepër se interesi i tij privat për mbetje në Zvicër

Kishte qenë pjesë e një rrahjeje brutale para një klubi në Buchs (St.Gallen) dhe ishte dënuar për tentim vrasjeje të qëllimshme. 7 vite më vonë, kosovarit 24 vjeçar, Gjykata Federale e Zvicrës ia vërteton dënimin me dëbim nga Zvicra, që i ishte shqiptuar më parë nga Zyra Kantonale për Migracion dhe nga Gjykata e Kantonit St. Gallen.

Kosovari i lindur në Zvicër, me sjelljen e tij të padisiplinuar kishte rënë në sy që në shkollën fillore, kështu që atë e kishin vendosur në klasa speciale për fëmijë problematikë, shkruan tagblatt.ch. Në klasën e nëntë ai qe përjashtuar nga shkolla, pasi që kishte plagosur me thikë një vajzë.

Kur ai kishte mbushur 15 vjet, autoritetet që përkujdesen për fëmijët dhe të rinjtë me probleme, e hoqën atë nga përkujdesja familjare dhe e vendosën në një strehimore për të rinj, ku ai qëndroi tri vite, transmeton albinfo.ch. Gjatë gjithë kësaj kohe ai disa herë ishte detyruar që për delikte të imëta trafiku të përgjigjej para prokurorisë për të rinj Altstätten.

Ndërsa një delikt të rëndë ai e bëri kur kishte mbushur 18 vjet. Kosovari i ri kishte qenë njëri ndër personat që ishin rrahur në shkurt të vitit 2011 gjatë karnavaleve, para lokalit të një diskoteke në Buchs. Një grup prej 6 meshkujsh kishin goditur aq shumë një kundërshtar të tyre me grushte dhe me shqelma deri sa viktima kishte rënë në gjunj.

Por edhe pas kësaj ata kishin vazhduar ta godisnin, veçanërisht në kokë, përcjell albinfo.ch. Kështu kishin vazhduar madje edhe kur viktima kishte rënë i palëvizshëm dhe mbase i pavetëdije, i shtrirë përtokë. Ai kishte pësuar atëbotë lëndime me rrezik për jetën dhe kishte mbetur me dëmtime që do ta përcjellin gjatë gjithë jetës. Në veçanti syri i majtë, i lënduar me atë rast, i është dëmtuar në mënyrë të pariparueshme.

Për shkak të këtyre dhe dënimeve tjera, Gjykata Kantonale e St.Gallenit e kishte dënuar kosovarin në vitin 2013 me heqje lirie prej 27 muajsh në burgun për të rinj dhe me një masë ambulantore, përcjell albinfo.ch. Arsyetimi: tentim vrasjeje të qëllimshme, sulm i shumëfishtë, grabitje e shumëfishtë, vjedhje etj. Por, edhe pas vuajtjes së dënimit, ai ishte përballur disa herë me gjyqtarët.

Bazuar në të gjitha këto delikte, Zyra Kantonale për Migracion e St.Gallenit ia kishte hequr atij të drejtën e qëndrimit të përhershëm në Zvicër (Vizën C) dhe kishte marrë vendim për dëbimin e tij nga Zvicra. Ankesat e tij të bëra kanë mbetur të pasuksesshme, kështu që ai u ankua edhe në shkallën më të lartë të gjyqësisë zvicerane, në Gjykatën Federale.

Në ankesën e tij të përmendur, kosovari kishte argumentuar se ndërkohë ishte përmirësuar, kishte mbaruar një zanat dhe po punonte në mënyrë të rregullt. Po ashtu ai kishte argumentuar se dëbimi i tij ishte i papranueshëm për faktin se e njihte gjuhën e vendit, ishte i integruar në Zvicër dhe këtu i jetonin prindërit si dhe vëllezërit dhe motrat. Në këtë mënyrë, ai nuk ishte në gjendje të bënte një jetë si i pavarur në Kosovë, transmeton albinfo.ch.

Por Gjykata Federale e ka konsideruar si korrekt dënimin me dëbim, pasi që interesi publik për dëbim të kosovarit peshon shumë më tepër se interesi i tij privat për mbetje në Zvicër. Po ashtu, sipas Gjykatës Federale, aktet e tij dëshmojnë për “një gatishmëri të tij shumë të theksuar për dhunë, për një brutalitet të pështirë si dhe për një mungesë skrupujsh”. Ai, sipas gjykatës, nuk i ka shfrytëzuar shanset që i janë ofruar. Ndërsa njohuritë e tij si mjeshtër i ndërtimit do ta ndihmojnë atë që në Kosovë të zërë hapin, përcjell albinfo.ch. Fakti se perspektivat ekonomike në Kosovë nuk janë sikur ato në Zvicër qëndron, por kjo prek gjithë popullin atje dhe jo vetëm personin në fjalë, thuhet në vendimin e Gjykatës Federale.