Kosova

Granit Xhaka rrëfen sakrificat e familjes,

Mes lotësh, ylli kosovar tregon fëmijërinë e vështirë dhe përkushtimin e prindërve për suksesin e tij

Ylli kosovar i futbollit, Granit Xhaka, ka ndarë një rrëfim emocional në një intervistë për kanalet zyrtare të Premier League, ku foli për sakrificat e familjes dhe rrugëtimin e tij drejt suksesit.

Gjatë intervistës, Xhaka u ndal te fëmijëria e tij dhe përkushtimi i jashtëzakonshëm i prindërve, të cilët punonin pa pushim për t’u siguruar kushte më të mira për fëmijët e tyre. Në një moment, mes kujtimeve të forta, ai nuk arriti t’i mbajë emocionet dhe shpërtheu në lot.

“Kam qenë lider që në moshën katërvjeçare, sepse prindërit e mi punonin gjithë ditën dhe bënin edhe punë shtesë. Vëllai im ishte pesë vjeç, unë katër, por unë mbaja përgjegjësinë e shtëpisë. Kishim ditë kur qëndronim vetëm deri në 18 orë,” rrëfeu ai.

Futbollisti theksoi se nuk mund ta imagjinojë që vajzat e tij të kalojnë një përvojë të tillë sot, duke e krahasuar realitetin e tij të atëhershëm me rolin aktual si prind.

Ai kujtoi edhe përkushtimin e nënës së tij, e cila niste punën që në orët e hershme të mëngjesit dhe vazhdonte gjatë gjithë ditës, duke u kujdesur gjithashtu për familjen.

“Ne kurrë nuk e harrojmë prej nga vijmë. Si baba sot, nuk mund ta imagjinoj t’i lë fëmijët vetëm për kaq gjatë. Por nëse beson në diçka dhe punon fort, mund ta arrish,” u shpreh Xhaka.

Rrëfimi i tij prekës ka marrë vëmendje të madhe, duke rikthyer në fokus jo vetëm suksesin e tij në futboll, por edhe historinë e sakrificës dhe përkushtimit familjar që qëndron pas tij./Albinfo.ch

https://youtube.com/shorts/_Fx17no70sQ?si=r5pwzlsZH5Tes3wb