Ekonomi
Banka e Diasporës në Kosovë ende mbetet vetëm në letër!
Banka e Diasporës në Kosovë mbetet vetëm një dëshirë dhe nismë pasi që ende nuk kanë filluar procedurat për një investim të tillë në vend.
Një vit më parë rrjeti i Bizneseve të Diasporës kishte nisur takimet me autoritetet në Kosovë për hapjen e Bankës së Diasporës, por që deri më tani, ende nuk kanë filluar procedurat për një investim të tillë në vend.
Radio Evropa e Lirë ka bërë përpjekje që t’i kontaktojë përfaqësuesit e Rrjetit të Bizneseve të Diasporës, mirëpo ata nuk janë përgjigjur.
Sipas ligjeve në fuqi në Kosovë, për të themeluar një bankë, të interesuarit duhet fillimisht të aplikojnë për licencë për zhvillim të veprimtarisë bankare në Bankën Qendrore të Kosovës (BQK).
Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti, thotë për Radion Evropa e Lirë se janë në pritje të aplikimit nga investitorët e diasporës për hapjen e një banke në Kosovë.
“Kemi pasur disa aksionarë bashkatdhetarë që dëshirojnë të hapin Bankën e Diasporës. Kemi pasur takime, jemi në pritje të aplikacionit”, thotë Mehmeti.
Në anën tjetër, edhe Qëndresa Fazliu, nga Ministria e Diasporës, thotë për Radion Evropa e Lirë se ka pasur interesim të investitorëve nga diaspora për hapjen e kësaj banke dhe se janë zhvilluar takime, porse investimi nuk është jetësuar ende.
“Ideja për Bankën e Diasporës ka qenë e promovuar fillimisht nga ministri në largim i Diasporës, Dardan Gashi. Mirëpo, fatkeqësisht ky projekt ka mbetur në nivel të diskutimi, pasi që nuk ka pasur asnjë hap konkret, pra nuk janë zhvilluar fazat për regjistrimi të bankës dhe as për marrjen e licencës së saj, ka mbetur vetëm si ide, për të cilën nuk është punuar. Megjithatë, ministri Gashi është zotuar se do të merret me këtë çështje”, thotë Fazliu.
Ajo shton se interesimi i investitorëve nga diaspora për të shtrirë kapitalin e tyre në Kosovë është i madh, por që duhet krijuar edhe një ambient i favorshëm biznesor.
Ambienti afarist në Kosovë në vazhdimësi është theksuar nga organizata ekonomike se nuk është i kënaqshëm për shkak të procedurave burokratike, pastaj konkurrencës së padrejtë që vjen nga ekonomia joformale, politikat fiskale jofavorizuese e të tjera.
Ekonomia e Kosovës përgjatë viteve është varur nga paratë, të cilat dërgohen nga qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit. Vetëm në vitin 2018 vlera e remitencave, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, kap shumën e 800 milionë eurove.
Këtyre mjeteve, të cilat dërgohen nga diaspora e që në pjesa më e madhe e tyre shkon për konsum, thotë guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, duhet t’iu ndërrohet orientimi.
“Remitencat vazhdojnë të kenë rritje. Përmes remitencave në kemi pasur edhe rritje ekonomike. Fokusi edhe i Qeverisë ka qenë dhe besoj që edhe i Qeverisë që do të vijë, do të jetë që remitencat t’i bëjnë që të lëvizin nga aktiviteti i konsumit në aktivitet investiv me qëllim që të kemi një siguri më të fortë për vendin në mënyrë që remitencat të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Interesimi i këtyre aksionarëve nga diaspora që janë të interesuar të hapin bankën, është një nga element që këto mjete janë duke u orientuar në investim”, thekson Mehmeti.
Bazuar në shënimet zyrtare, janë mes 700- 800 mijë qytetarë të Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës dhe botës.
Sipas të dhënave Agjencisë së Statistikave të Kosovës, vetëm vitin e kaluar, rreth 29 mijë qytetarë të Kosovës, kanë emigruar në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian dhe më gjerë.
Kurse, përgjatë viteve 2013 – 2017, nga Kosova, sipas të dhënave zyrtare, kanë emigruar më shumë se 170 mijë qytetarë. Në këto të dhëna, është përfshirë emigrimi i rregullt dhe i parregullt, përcjell albinfo.ch.
E-Diaspora
-
Austri
Në Parlamentin e Austrisë, të premten mbahet konferenca „Kosova në BE“ Konferenca “Kosova në BE” në Parlamentin Austriak shënon 27 vjetorin e ndërhyrjes humanitare të NATO-s në... -
Kuzhina shqiptare në qendër të festimeve frankofone në Suedi -
Mëso shqip në diasporë: Regjistrimet hapen në shumë shtete -
Bebe Rexha zbulon traditën shqiptare që të gjithë e njohim -
Erjon Tasholli, ylli i ardhshëm i futbollit evropian
Jeta në Zvicër
-
Të pasurit e Dubait po i drejtohen Zvicrës Interesi për Zvicrën rritet mes elitave të Dubait, jo vetëm si vend për investime financiare,... -
Disa votues në Vaud nuk kanë marrë ende materialet e votimit -
Pistoleta e re e ushtrisë zvicerane merr vlerësimin më të ulët në testime -
Nuk ka më asnjë qytetar zviceran në zonën e luftës -
39 muaj burg për policin nga Bazeli: Ka torturuar dy azilkërkues











