CH-Ballkani

Haradinaj: Kam kërkuar vizë amerikane, po pres përgjigje

Kryeministri Ramush Haradinaj tha se ka marrë ftesë për pjesëmarrje në Lutjet e Mëngjesit, por nuk ka marrë përgjigje nga Ambasada amerikane në Prishtinë   

Derisa në opinionin kosovar po vazhdon debati rreth “bllokimit” të Ramush Haradinajt nga SHBA-të, duke ia refuzuar vizën amerikane, vetë kryeministri kosovar thotë se ka bërë kërkese, por nuk ka marrë përgjigje nëse do t’ia lëshojnë apo jo vizën. Haradinaj tha se ka marrë ftesë për pjesëmarrje në Lutjet e Mëngjesit, por nuk ka marrë përgjigje nga Ambasada në Prishtinë.

Pas një takimi që zhvilloi me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ai ka thënë se pret të marrë përgjigjen për të shkuar në vizitë në SHBA.

“Zyra ime ka aplikuar për vizë. Janë disa ngjarje rresht që kam qejf për të shkuar. Nuk kam marrë përgjigje. Është një ftesë dhe për lutjen e mëngjesit. Kur të ma japin, shkoj”, tha Haradinaj, i cili tha se me Shpend Ahmetin ka biseduar për ligjin për Prishtinën, Pallatin e Rinisë, gjendjen aktuale në arsim.

“E kemi në fokusim testin PISA, për të bërit biznes. 10-vjetorin e pavarësisë. Veçanërisht folëm për unazën e Prishtinës. Kemi një opsion si me ec përpara. Kemi rënë dakord që takimin e ardhshëm ta bëjmë dy qeveritë, ajo e komunës dhe ne. Asnjë pengesë s’do ta ketë qeveria që me qenë në shërbim të komunës dhe me i përkrah këto tema”, ka thënë Haradinaj.

Ndërsa, Shpend Ahmeti tha se kjo është hera e parë që një kryeministër viziton komunën e Prishtinës, citon RTK.

“Diskutuam dhe për disa projekte madhore, unaza e qytetit të Prishtinës. U dakorduam të shohim mundësinë e financimin e këtij projekti.  Të punojmë rreth realizimin e një projekti të përbashkët për sallën koncertale në komunën e Prishtinën. Mundësitë e bashkëpunimit janë të shumta”, ka thënë Ahmeti.

Ndryshe, mosdhënia e vizës nga Ambasada amerikane në Prishtinë po shihet si ndëshkim që SHBA-të i kanë vënë Ramush Haradinaj, pasi ai po  mbështetë idenë e 43 deputetëve kosovarë për shfuqizimin e Gjykatës Speciale. SHBA dhe katër shtetet tjera që përbëjnë QUINT-in, janë kundër shfuqizimit të Gjykatës Speciale.