Kosova

Himalajet “flasin” shqip, Uta Ibrahimi pushton ekranet botërore si imazh i BLACKYAK

Nga majat 8,000 metra në fushatën globale, alpinistja shqiptare sfidon limitet njerëzore në projektin më autentik të vitit

Alpinistja e njohur shqiptare, Uta Ibrahimi, ka shënuar një tjetër sukses historik, këtë herë duke u bërë protagonistja kryesore e fushatës ndërkombëtare “THIS IS HIMALAYAN” nga gjiganti botëror i veshjeve teknike, BLACKYAK.

Ndryshe nga fushatat e zakonshme komerciale, ky projekt është realizuar në kushte reale në lartësitë e ashpra të Himalajeve. Në pamjet e publikuara, Uta Ibrahimi shfaqet në limitet e mundësive njerëzore e rrethuar nga dëbora e përjetshme, e pajisur me maskë oksigjeni dhe veshje teknike të dizajnuara për temperatura ekstreme.

Një standard i ri përfaqësimi pjesëmarrja në një projekt të këtyre përmasave e vendos alpinisten shqiptare në elitën botërore të sporteve ekstreme. Ky bashkëpunim konfirmon rrugëtimin e Utës drejt 14 majave më të larta të botës. Përmes kësaj fushate, ajo shfaq forcën dhe gjakftohtësinë që kërkon alpinizmi i nivelit të lartë. Uta Ibrahimi dëshmon se suksesi në male vërtetohet me arritjet në terren dhe me vlerësimin që ajo gëzon sot në arenën ndërkombëtare.

Përfshirja e saj në projektin e BLACKYAK tregon se përvoja e saj në lartësi ekstreme është tashmë e dëshmuar. Ky projekt e rendit atë mes alpinistëve më të përgatitur, duke konfirmuar profesionalizmin e saj në shkallë globale.

Fotografitë: BLACKYAK