CH-Ballkani

Hoxha pret liberalizimin e vizave në 2018, ‘Spanja nuk duhet të krahasojë veten me Serbinë’

Ministrja kosovare e integrimit Dhurata Hoxha ka dhënë një intervistë për median austriake “WZ”, ku ka folur për rëndësinë e liberalizimit të vizave dhe Samitin e Sofjes

“Kosova merr pjesë në samitin e Sofjes si partner i barabartë, si gjithë shtetet tjera ballkanike. Kjo është për ne tepër e rëndësishme,” tha Hoxha duke shtuar se Spanja nuk duhet të hedhë paralele mes Katalonjisë dhe Kosovës, pasi Spanja nuk ka kryer krime lufte si Serbia.

Në vijim ajo thekson rëndësinë e dyerve të hapura për Ballkanin Perëndimor nga BE – pasi kjo i shërben stabilitetit, ndërsa marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë njohja e pavarësisë së Prishtinës nga Beogradi dhe anëtarësimi në OKB.

Në fund, Hoxha ka folur edhe për dhimbjen e madhe të kosovarëve që akoma kanë nevojë për vizë për të udhëtuar në BE.

“Për liberalizimin e vizave ne kemi pasur dyfish më shumë kritere sesa shtetet tjera. Por ne i përmbushëm dhe BE duhet të njohë përparimin e Kosovës. Do të uroja, që deri në fund të vitit të liberalizohen vizat për kosovarët,” tha ajo në fund, përcjell albinfo.ch.