Lajme

Iftar i përbashkët në Schwamendingen – Shembull i dialogut ndërfetar dhe respektit të ndërsjellë në Cyrih

Të shtunën, në mbrëmjen e 28 shkurt 2026, Xhamia e Schwamendingen – Shtëpia e Paqes (Kulturzentrum – Haus des Friedens) – organizoi për herë të katërt një iftar të përbashkër në sallën e  Kishës (Evangelisch-Reformiertes Kirchgemeindehaus) në Cyrih. Në këtë mbrëmje të veçantë morën pjesë afër 300 persona nga komunitete dhe besime të ndryshme.

Atmosfera e mbrëmjes ishte e ngrohtë dhe miqësore, duke reflektuar frymën e Ramazanit, solidaritetin dhe dëshirën për dialog e mirëkuptim mes komuniteteve të ndryshme në qytetin e Cyrihut.

Ky organizim është rezultat i një angazhimi të vazhdueshëm për dialogun ndërfetar dhe respektin e ndërsjellë mes Xhamisë së Schwamendingen dhe Kishës Ungjillore të Reformuar të Qarkut 12. Bashkëpunimi i tyre përbën një shembull të mirë të bashkëjetesës dhe mirëkuptimit në një shoqëri multikulturore si ajo e Cyrihut.

Me praninë e tyre e nderuan iftarin: Pfarrerin Hoby Randriambola së bashku me disa anëtarë të Kishës Ungjillore të Reformuar, Claudio Schärli nga programi Brückenbauer i Stadtpolizei Zürich, Perparim Avdili, kryetar i Partisë Liberale (FDP) dhe kandidat për kryetar të qytetit të Cyrihut si dhe kandidat për Këshillin e Qytetit, si dhe përfaqësuesit e Shoqatës Parandalo, Valdete Hoti dhe Xhemail Selimi.

Mesazhe për paqe, tolerancë dhe bashkëpunim

Mbrëmjen e hapi imami Fahredin Bunjaku me një fjalë përshëndetëse në gjuhën shqipe dhe gjermane. Ai theksoi rëndësinë e agjërimit dhe muajit të shenjtë të Ramazanit, duke kujtuar se ky muaj për besimtarët myslimanë është kohë reflektimi shpirtëror, solidariteti dhe afrimi mes njerëzve.

Ai falënderoi të gjithë pjesëmarrësit dhe mysafirët për praninë e tyre dhe vuri theks të veçantë në angazhimin disa vjeçar për dialogun ndërfetar, tolerancën dhe respektin e ndërsjellë.

Në mënyrë të veçantë, ai falënderoi Pfarrerin Hoby Randriambola për vazhdimin e bashkëpunimit dhe dialogut ndërfetar të nisur nga paraardhësi i saj në këtë detyrë. Sipas tij, marrëdhëniet e ndërtuara ndër vite mes imamëve, priftërinjve dhe udhëheqësve të feve të tjera në Cyrih janë dëshmi konkrete se respekti dhe bashkëpunimi janë të mundshëm dhe të domosdoshëm.

Në fjalën e saj, Pfarrerin Hoby Randriambola përshëndeti të pranishmit, uroi muajin e shenjtë të Ramazanit dhe theksoi rëndësinë e dialogut ndërfetar dhe respektit të ndërsjellë si bazë për një shoqëri të drejtë dhe paqësore.

Claudio Schärli nga programi Brückenbauer i Stadtpolizei Zürich iu bashkua mesazheve të parafolësve, duke theksuar se roli i tyre është të shërbejnë si urë lidhëse mes shoqërisë dhe institucioneve për të forcuar besimin dhe bashkëpunimin në komunitet.

Ndërsa Perparim Avdili, kandidat për kryetar të qytetit të Cyrihut dhe për Këshillin e Qytetit, përshëndeti të pranishmit, uroi muajin e Ramazanit dhe vlerësoi lart bashkëpunimin ndërfetar mes Xhamisë së Schwamendingen dhe Kishës Ungjillore të Reformuar. Ai bëri gjithashtu thirrje që e drejta e votës të merret seriozisht dhe qytetarët të dalin në votime më 8 mars, duke theksuar se këtë herë ka edhe disa kandidatë me prejardhje shqiptare.

Diskutime për komunitetin dhe rininë

Gjatë bashkëbisedimit me mysafirët u diskutua për përbërjen multietnike të xhematit dhe për nevojën e një hapësire më të madhe për Xhaminë e Schwamendingen, pasi aktualisht namazi i xhumasë mbahet në dy grupe për shkak të mungesës së hapësirës.

U theksua gjithashtu rëndësia e aktiviteteve për të rinjtë në xhami, të cilat luajnë rol parandalues ndaj ndikimeve negative, rretheve shoqërore të dëmshme dhe dukurive si varësia. Angazhimi i të rinjve në aktivitete fetare, kulturore dhe sociale shihet si një investim për një të ardhme më të shëndetshme të komunitetit.

Mikpritje me zemër

Iftari, i cili bashkoi burra dhe gra, fëmijë dhe përfaqësues të kombeve të ndryshme, u pasurua me ushqime të përgatitura me shumë përkushtim nga grupi i grave të Xhamisë së Schwamendingen. Tryeza ishte e larmishme, e përgatitur me mund e zemër dhe e shërbyer nga të rinjtë e xhamisë me përkushtim të veçantë.

Momente të tilla jo vetëm që forcojnë lidhjet brenda komunitetit, por krijojnë edhe hapësirë për njohje dhe mirëkuptim mes njerëzve me kultura dhe besime të ndryshme.

Në fund, një falënderim i sinqertë për të gjithë organizatorët, vullnetarët dhe pjesëmarrësit që kontribuuan në realizimin e kësaj mbrëmjeje të begatë, e cila dëshmoi edhe një herë se dialogu ndërfetar dhe respekti i ndërsjellë janë themeli i një shoqërie të bashkuar dhe paqësore në Cyrih.

Organizatorët shprehën dëshirën që ky iftar tradicional të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme, duke forcuar më tej urat e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit ndërmjet komuniteteve në Cyrih.

Foto: Gent Mersinaj/albinfo.ch

Lexoni po ashtu:

Iftari i bashkimit: “ Xhamia Shqiptare Shtëpia e Paqes” dhe Kisha Reformiste së bashku në sofrën e Iftarit