Lajme
Jeta e ndërlikuar e gjyqtarit francez Nicolas Guillou pas sanksioneve amerikane
Gjyqtari francez Nicolas Guillou, pjesë e Gjykatës Penale Ndërkombëtare (ICC), po përballet me një realitet të ri dhe të vështirë pas vendosjes së sanksioneve nga Shtetet e Bashkuara. Sanksionet e kanë përjashtuar atë nga një pjesë e madhe e sistemit bankar dhe shërbimeve digjitale, duke nxjerrë në pah – sipas tij – varësinë e Evropës nga kompanitë teknologjike amerikane dhe rrezikun që kjo paraqet për sundimin e ligjit. Guillou ishte gjithashtu gjyqtar i procedurës paraprake në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale në Hagë, transmeton albinfo.ch.
Sanksionet pas urdhër-arrestit ndaj Netanyahut
Shtatë muaj më parë, Uashingtoni vendosi sanksione ndaj Nicolas Guillou dhe dhjetë gjyqtarëve të tjerë të Gjykatës Penale Ndërkombëtare, pasi ata kishin lëshuar një urdhër-arresti ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.
Së fundmi, presidenti francez Emmanuel Macron i ka dërguar një letër Donald Trumpit duke kërkuar heqjen e këtyre sanksioneve.
“Sulm ndaj drejtësisë ndërkombëtare”
Guillou thotë se për këtë kërkesë ka mësuar nga media dhe nuk është njoftuar zyrtarisht. Në emisionin “Tout un monde”, ai deklaroi se sanksionet nuk kanë të bëjnë vetëm me të personalisht.
“Sanksionet ndaj gjyqtarëve të Gjykatës Penale Ndërkombëtare janë një sulm ndaj individëve, por edhe një sulm ndaj drejtësisë ndërkombëtare dhe, më gjerë, ndaj sundimit të ligjit”, thekson ai.
Sipas tij, këto masa synojnë të vënë në pikëpyetje mekanizmat që janë ndërtuar gjatë dekadave për të garantuar barazi para ligjit dhe drejtësi për krimet më të rënda në botë.
Tre nivele sanksionesh
Masat amerikane janë të strukturuara në tre nivele kryesore:
gjyqtarëve u ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara, një ndalim që vlen edhe për bashkëshortët dhe fëmijët e tyre;
nëse ata ndodhen në territorin amerikan, mund të përballen me urdhër deportimi;
të gjitha asetet e tyre në SHBA ngrijnë.
Përveç kësaj, kompanitë dhe individët nuk lejohen të ofrojnë shërbime për personat e sanksionuar. Ky rregull vlen edhe për filialet e kompanive amerikane në mbarë botën, përfshirë Evropën.
Goditje në bankë dhe në botën digjitale
Sipas Guillou, ndikimi më i madh ndihet në dy fusha: bankat dhe shërbimet digjitale.
“Vështirësia më e madhe në sektorin bankar lidhet me mjetet e pagesës. Kuptova se Evropa nuk ka më sovranitet mbi to, sepse varet pothuajse tërësisht nga kartat amerikane Visa, Mastercard dhe American Express. Edhe nëse banka nuk ta mbyll llogarinë, ti nuk ke më mënyrë pagese”, shpjegon ai.
Një situatë e ngjashme ndodh edhe me shërbimet online. “Kur je nën sanksione, shumica e abonimeve apo llogarive te kompanitë amerikane mbyllen. Kjo ndodh, për shembull, me Airbnb, PayPal apo Booking.”
Në raste të tjera, llogaritë mbeten aktive, por transaksionet bllokohen. Guillou tregon se kishte rezervuar një hotel në Francë përmes Expedia, por pas 12 orësh mori një email që rezervimi ishte anuluar.
“Është sikur të jemi kthyer në vitet ’90”, thotë ai.
Nevoja për autonomi evropiane
Gjyqtari thekson se kjo situatë zbulon dobësinë e Evropës përballë gjigantëve amerikanë të teknologjisë.
“Identiteti dhe arkivat tona digjitale nuk na përkasin më. Ato kontrollohen nga kompani në një kontinent tjetër, të cilat mund të të përjashtojnë nga bota digjitale me kërkesën e një shteti të huaj”, shprehet Guillou.
Ai paralajmëron gjithashtu rrezikun e vetë-censurës tek politikanët apo gjyqtarët evropianë, të cilët mund të hezitojnë të marrin vendime të caktuara nga frika e hakmarrjeve të ngjashme.
Megjithatë, Guillou thotë se nuk do të tërhiqet nga detyra e tij.
“Do të vazhdoj punën time. Jam gjyqtar në një gjykatë penale ndërkombëtare dhe kam bërë betimin për ta kryer këtë detyrë. Do të vazhdoj si deri tani.”
Sipas tij, për të mbrojtur shtetin e së drejtës, Evropa duhet të ndërtojë më shumë autonomi strategjike. Ai vëren se një frymë e tillë tashmë po rritet sidomos tek brezi i ri.
“Ka një shtysë shumë të fortë drejt sovranitetit evropian. Shumë njerëz e kuptojnë se nuk mund të vazhdojmë në këtë gjendje varësie”, përfundon gjyqtari i Gjykatës Penale Ndërkombëtare.
E-Diaspora
-
Në Bernë u mbajt manifestimi “Kurora e Lirisë” në përkujtim të Familjes Jashari Ngjarja ishte një homazh i përbashkët ndaj historisë dhe sakrificës, duke dëshmuar se kujtesa për Prekazin... -
Nuk dëbohen nga Zvicra dy kosovaret e dënuara për propagandim të ISIS-it -
Vjenë
14-vjeçarja shqiptare nga Vjena mahnit jurinë në “The Voice of Kids” në Gjermani -
Shqiptarët fitojnë katër ulëse në zgjedhjet komunale në Opfikon -
Sot në Bernë mbahet “Kurora e Lirisë” kushtuar sakrificës së dëshmorëve
Jeta në Zvicër
-
Bora e freskët në Zvicër krijon kushte ideale për skijim Stacionet e skive në Graubünden dhe Valais janë mbuluar nga mbi një metër borë e freskët... -
Vernissage i ekspozitës personale “Gruaja Matrioshkë” në Clarens -
Një grua vdes pas aksidentit në autostradën A2, Basel-Landschaft -
Rasti i vajzës me aftësi të kufizuara: OKB vendos kundër Gjykatës Federale -
Për AHV dhe ushtrinë: Dy të tretat e zviceranëve mbështesin taksën e pasurisë











