Jura kërkon referendum për frankofonët e Bernës

Fjala është për fatin e rretheve frankofone të Jura-s së Bernës: La Neuveville, Courtelary dhe Moutier

Është ngritur sërish çështja „Jura”. Kantoni më i ri, frankofon, i Zvicrës dëshiron që të arrijë një marrëveshje me kantonin e Bernës për një referendum, me anë të cilit, tre rrethe të Bernës që gjeografikisht i takojnë Jura-s do të përcaktoheshin se në cilin kanton duan të mbeten, shkruajnë mediet zvicerane. Fjala është për rrethet frankofone të Jura-s berneze: La Neuveville, Courtelary dhe Moutier.

Parimisht, të dy kantonet janë shprehur në të mirë të një referendumi, mirëpo ato kanë moskuptime sa u takon modaliteteve. Kështu, Berna është kundër një referendumi që do të bëhej vetëm në nivel komunash, gjë kjo që është duke e kërkuar me këmbëngulje Jura.

Problemi me kantonin Jura daton prej një kohe të gjatë. Pas një sërë votimesh, në votimin popullor të vitit 1978, populli i Zvicrës pati votuar 71% në të mirë të themelimit të kantonit të ri, me emrin Jura. Ky kanton ka marrë në përbërjen e tij regjione që më parë i takonin kantonit të Bernës. Ndërkohë regjionet ose rrethet si Moutier, Courtelary, La Neuveville dhe Laufen kishin shprehur dëshirën të mbeteshin edhe më tutje me Bernën. Ndërkohë, në vitin 1994 rrethi Laufen pati kaluar në kantonin Baselland.

Pas konflikteve të dhunshme në mes të “separatistëve” që dëshironin të shkonin me Jura-n dhe “centralistëve” me Bernën, kantoni i Bernës në vitin 2006 uika lejuar rretheve të përmendura një shkallë autonomie.