Kultura

Ka ndërruar jetë baletmaestro Rrustem Selca

Në vitin 1982 specializon për solist baleti në Londër, Akademia më e lartë e këtij niveli, si dhe një vit 1985 në Teatrin kombëtar Kroat (Zagreb) bën përvojë profesionale në mesin e pedagogëve të njohur vendor dhe ndërkombëtar

Sot në Konstanz të Gjermnisë pas një sëmundjeje të rëndë ka ndërruar jetë artisti, baletmaestri i njohur shqiptar Rrustem Selca. Ai, pos punës në Kosovë si njëri ndër themeluesit e trupës së baletit të Teatrit të atëhershëm të Kosovës në Prishtinë, rreth 20 viteve të fundit është marrë me vallen shqiptare, duke ua mësuar atë të rinjve dhe fëmijëve shiptarë, në Gjermani dhe në Zvicër.

Selca ka lënë gjurmë të thella në kultivimin jo vetëm të valles në mesin e mërgimtarëve por edhe në jetën kulturore në përgjithësi të shqiptarëve në Gjermani dhe në Zvicër. Ai jetonte në kufirin jugperëndimor të Gjermanisë, në qytetin Konstanz, që është në kufi me Zvicrën. Nisur nga kjo arsye Rrusta, siç e qunanin  me dashamirësi të gjithë, ka qenë i pranishëm dhe i papërtueshëm për të dhënë mbështetjen e tij profesionale e njerëzore në shumicën e aktivitetev ekulturore që zhvilloheshin në Zvicër.

Ishte shumë mbresëlënëse figura e tij në skenë si valltar, që e kemi parë shumë shpesh edhe gjatë viteve të fundit, në aktivitetet e organizuara në Zvicër. Ndonëse në moshë mjaft të shtyrë për një balerin, ai imponohej me një figurüë shumë shprehëse dhe tepër vitale për një 60 vjeçar , kur paraqitej sidomos në vallen koreografike të “Pavarësia” të përgatitur së bashku me ansamblin e valleve “Vatra” të Bülachut, Zvicër.

Rrustem Selca, është lindur më 22.08.1952 në fshatin Baran të komunës së Pejës. Gjimnazin dhe shkollimin profesional e ka mbarur në Shkup, në vitet 1968-72, ku dhe diplomohet si artist i baletit. Me 1.09.1972 fillon karrierën pranë Teatrit Popullor Krahinor në Prishtinë si artist i Baletit. Art ky qe deri në atë vit ishte deficitar në Kosovë dhe me trupën ku bënte pjesë Rrustemi, po i viheshin themelet e para

Fillimet e para kanë qenë me kolazhe të baletit, kurse ne vitin 1976 realizohet baleti i parë kosovar “Sokoli dhe Mirusha” me autor Akil Kocin. Pikërisht me rolin e Sokolit fillon karriera e tij afër 20 vjeçare me mbi 25 role kryesore, qoftë në balete kombëtare apo edhe botërore. Duhet veçuar baletin “Halili e Hajrija” nën inskenimin e korreografit te njohur shqiptar Panajot Kanaqi si dhe pedagogët që ndihmuan në realizimin Baletit të parë mbarë kombëtar Zoica Haxho, Ganimete Vandresha dhe Pëllumb Agalliu. Pastaj “Kënga e Rexhës”, “Besa”, “Vallja pranverore” ,,Zoja e Sizifit”, Zef Lush Marku dhe shumë realizime tjera nga opusi kombëtar- kosovar në atë kohë.
Ndërsa nga baletet botërore duhet veçuar këto: “Bolero”,  “Romeo e Xhulieta, “Don Kishoti”  si dhe shumë realizime në  TV. Prishtinë dhe mediume tjera.
Po ashtu ai ka luajtur shumë role në dramën shqiptare duke filluar nga viti 1973 në rolon e dhëndrrit  te,,Gjenerali i ushtrisë së vdekur” nga Ismail Kadare, “Sfinga e gjallë”  nga Rexhep Qosja dhe shumë role tjera deri  në vitin 1992 kur hynë masat e dhunshme edhe në ketë institucion.
Është ndër të parët qe braktis  punën në Teatër në mospajtim të drejtorisë së dhunshme dhe migron në perëndim, ku  rregullisht mirret me kultivimin dhe realizimin e artit te valles shqiptare…
Ka qenë pjesëmarrës dhe themelues i disa shoqatave kulturore-artistike në Gjermani dhe Zvicër siç janë: SH.K.A ,,Mëmëdheu” në Ludwidsburg. ,,Iliria” Heilderberg, “Rinia” Singen  si dhe shumë iniciativa tjera.
Në Zvicër ka qenë aktiv në  QSHKI ,,Besa” në Kreuzlingen dhe ,,Dielli” Amriswil si dhe kontributdhënës dhe këshillues nëpër shumë shoqata çdo kund në diasporë.
Duhet cekur se më fëmijët e diasporës ështe fitues  i vendit të parë dhe te dytë në Berlin ,,Ditët e rinisë shqiptare”  në Europë.
Është pjesëmarrës në shumë festivale “Sofra Dardane”; Tropojë,  Gjirokastër, Kaçanik etj.
Në vitin 1982 specializon për solist  baleti në Londër, Akademia më e lartë e këtij niveli, si dhe një vit 1985 në Teatrin kombëtar Kroat (Zagreb) bën përvojë profesionale në mesin e pedagogëve të njohur vendor dhe ndërkombëtar.
Së fundi Rrustem Selca ka qenë udhëheqës i sektorit për kulturë pranë QSHKI “Besa” në Kreuzlingen.