Tematike

Kanë trafikuar bashkatdhetarët “për t`i shpëtuar nga mjerimi”

Ata kanë pranuar veprën por kanë thënë se vetëm kanë dashur të ndihmojnë bashkatdhetarët e tyre për të siguruar ekzistencën e familjeve

Tre shqiptarë janë dënuar nga një gjykatë në Fuldau të Gjermanisë për trafikim të qenieve njerëzore.

Shefi i grupit, një shtetas 48 vjeçar i Shqipërisë, ka marrë një dënim prej një vit e nëntë muaj me kusht për trafikim. Ndërkaq, dy vëllezër, shqiptarë shtetas  të Kosovës, të moshës 35 gjegjësisht 46 vjeçare për ndihmën që i kanë ofruar 48 vjeçarit janë dënuar me të holla.

Grupi, sipas konstatimit të trupit gjyqësor duke filluar nga viti 2005 u ka siguruar shumë njerëzve nga Kosova, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia pasaporta të falsifikuara italiane dhe kundrejt një pagese, u ka mundësuar atyre të dalin në Gjermani. Megjithatë, nga të gjeturat e trupit gjykues nuk ka qenë e mundur të dëshmohet nëse grupi ka bërë trafikim masiv dhe në baza profesionale.

48 vjeçari ndonëse u ka siguruar pasaporta italiane dhe u ka mundësuar atyre qëndrim ilegal në Gjermani, sipas deklarimit të tij, nuk ka nxjerrë përfitime nga ky veprim. As trupi gjykues nuk ka mundur të konstatojë përfitime eventuale të grupit. Shefi i grupit dhe ndihmësit e tij kanë pranuar veprën por kanë thënë se vetëm kanë dashur të ndihmojnë bashkatdhetarët e tyre që të mund të gjejnë punë në Gjermani për të siguruar ekzistencën e familjeve të tyre.

Dënimet relativisht të ulëta të tre shqiptarëve bazohen edhe në faktin se deri tash ata kanë qenë të pa implikuar në veprime antiligjore, shkruan Fuldauer Zeitung.