Kapen hajnat e bagazhit të udhëtarëve në Shkup

Tre punonjës të aeroportit në Shkup janë kapur të shtunën duke vjedhur gjëra të vlefshme nga valixhet e udhëtarëve

Pas zbulimit të rastit nga pjesëtarët e sigurimit në aeroportin “Aleksandri i Madh” në Shkup është njoftuar policia dhe janë ndërmarrë të gjitha masat për sanksionimin e tre të dyshuarve sipas Ligjit të punës në Maqedoni dhe rregullave disiplinore në kompaninë “Tav”, e cila ka nën koncesion aeroportet e Maqedonisë, tranmsetojnë mediat e Shkupit.

Vjedhja kishte ndodhur gjatë bartjes së valixheve të pasagjerëve të cilët udhëtonin me fluturimin e kompanisë ajrore “Air Berlin”.

“Aeroporti është nën vëzhgim të vazhdueshëm dhe nën mbikëqyrje 24-orëshe. Krahas udhëtarëve, gjatë hyrjes dhe daljes së tyre në pikat kontrolluese, kontrolli bëhet edhe ndaj të punësuarve në aeroport si dhe ndaj pjesëtarëve policorë. Krahas këtyre masave, kohë pas kohe bëhen edhe kontrolle fizike të të punësuarve, të cilët e ngarkojnë dhe shkarkojnë bagazhin nga avionët”, thuhet në një njoftim të kompanisë “Tav”.