Lajme

“Kapërcimi i kufijve të dyfishtë, drejt një gjithëpërfshirjeje reale për refugjatët me aftësi të kufizuara”

Aktiviteti, i organizuar nga NCBI Switzerland në bashkëpunim me Parlamentin e Refugjatëve, shërbeu si një platformë reflektimi dhe ndërveprimi

Edhe pse integrimi shpesh reduktohet në kritere formale dhe procedura administrative, paneli i nivelit të lartë i mbajtur më 4 shkurt në Cyrih, me titull „Kapërcimi i kufijve të dyfishtë, gjithëpërfshirje e refugjatëve me aftësi të kufizuara“, riktheu vëmendjen te dimensioni njerëzor dhe domosdoshmëria e reformave sistemike. Aktiviteti, i organizuar nga NCBI Switzerland në bashkëpunim me Parlamentin e Refugjatëve, shërbeu si një platformë reflektimi dhe ndërveprimi, ku ekspertiza akademike, angazhimi politik dhe përvoja e jetuar u ndërthurën për të adresuar hendekun mes të drejtave të garantuara dhe zbatimit të tyre de facto.

Paneli, i moderuar nga Mahtab Aziztaemeh dhe Peter Mozolevski, mblodhi një spektër të gjerë ekspertësh: Valdete Hoti, kryetare e Shoqatës “Parandalo”; Karin Huber, përgjegjëse për gjithëpërfshirjen në qytetin e Usterit; Marco Jörg, drejtor ekzekutiv i Fondacionit David Dienst; Marcel Neininger, ligjërues në ZHAW me fokus në të drejtën e sigurimeve shoqërore dhe sigurinë sociale; si dhe Lea Sandoz-Mey, bashkëdrejtoreshë e Konferencës së Personave me Aftësi të Kufizuara të Kantonit të Cyrihut (BKZ) dhe themeluese e projektit Inclusion360.

Në hapje të diskutimit, Andi Geu (NCBI) prezantoi gjetjet kryesore që dëshmojnë dështimin e shpeshtë të zbatimit të të drejtave ekzistuese në praktikë. Ai theksoi: “Dëgjimi mbi personat e zhvendosur me aftësi të kufizuara, i mbajtur më 4 shkurt në Cyrih, tregoi qartë se të drejtat ekzistuese shpesh dështojnë në zbatim. Të prekurit përballen me barriera të shumëfishta, veçanërisht në qasjen në informacione, këshillim, shërbime dhe pjesëmarrje politike. Siç theksoi Lea Sandoz-Mey (bashkëdrejtuese e Konferencës së Personave me Aftësi të Kufizuara të Kantonit të Cyrihut – BKZ dhe themeluese dhe presidente e inclusion360): ‘Personat e zhvendosur shpesh nuk lejohen të marrin pjesë në vendimmarrje, ndërsa personat e zhvendosur me aftësi të kufizuara edhe më pak.’ Ngjarja nënvizoi se pjesëmarrja e vërtetë është e mundur vetëm përmes masave të synuara dhe përfshirjes së qëndrueshme të vetë personave të prekur.”

Një rol qendror në artikulimin e mesazhit të panelit pati Valdete Hoti, e cila solli përvojën e drejtpërdrejtë nga puna në terren. Ajo nënvizoi se gjithpërfshirja fillon me njohjen dhe dukshmërinë e individëve si bashkë-krijues të shoqërisë dhe jo thjesht si „grupe të synuara”. “Kur flasim për persona me aftësi të kufizuara me sfond migrimi, sidomos ata nga vendet e treta, flasim për një realitet ku pengesat shumëfishohen, nga mungesa e informacionit të kuptueshëm te vështirësitë në sistemin e këshillimit. Kur informacioni nuk është i thjeshtë, transparent dhe i qasshëm në gjuhën amtare, njerëzit humbin orientimin dhe besimin. Pa besim, nuk ka pjesëmarrje reale dhe pa pjesëmarrje nuk ka integrim,” theksoi Hoti.

Më tej, ajo argumentoi se një Cyrih vërtet gjithëpërfshirës kërkon ndryshime strukturore: “Po aq thelbësore është vetëvendosja. Individët duhet të kenë mundësi reale për të vendosur mbi jetën, arsimin dhe punën e tyre. Të dhënat konfirmojnë se rreth 34% e popullsisë së Cyrihut janë të huaj dhe rreth 9% jetojnë me një formë aftësie të kufizuar, gjë që e bën këtë një çështje qendrore shoqërore. Baza e gjithëpërfshirjes së vërtetë qëndron në arsimin gjithëpërfshirës. Pa reforma të thella në sistemin arsimor selektiv, barazia e mundësive mbetet e paarritshme.”

Diskutimi vuri në pah nevojën urgjente që institucionet e sigurimeve shoqërore të ofrojnë informacione në gjuhë të thjeshtë dhe të adaptuar. U vlerësua angazhimi i Parlamentit të Refugjatëve për krijimin e një platforme informative shumëgjuhëshe, si dhe u kërkua strehim i përshtatshëm pa barriera fizike, përkthim në gjuhën e shenjave dhe komunikim i qassshëm si standarde minimale të dinjitetit njerëzor.

Një çështje tjetër me peshë ishte ndihma sociale; ekspertët nënvizuan se përfitimi prej saj nuk duhet të penalizojë familjet në proceset e lejeqëndrimit apo natyralizimit, veçanërisht kur ato kryejnë punë kujdesi të papaguar për anëtarët me aftësi të kufizuara.

Lea Sandoz-Mey bëri thirrje për respektimin rigoroz të Konventës së OKB-së, duke theksuar: “Ky ishte një aktivitet i rëndësishëm dhe do të kisha dëshiruar që më shumë përfaqësues politikë të kishin marrë pjesë. Vendimet që lidhen me refugjatët me aftësi të kufizuara shumë shpesh merren për ta, pa praninë dhe përfshirjen e tyre. Pikërisht për këtë arsye është thelbësore që kërkesat e paraqitura në këtë dëgjim të dëgjohen vërtet dhe të zbatohen në mënyrë efektive. Për të respektuar Konventën e OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, parimi ‘asgjë për ne pa ne’ duhet të zbatohet plotësisht. Refugjatët me aftësi të kufizuara duhet të përfshihen në të gjitha vendimet që ndikojnë në jetën e tyre.”

Dimensioni njerëzor i këtyre sfidave u konkretizua përmes dëshmisë së Muzaffer Şana, baba i një vajze me paralizë cerebrale, i cili dëshmoi forcën e organizimit kolektiv përmes Komisionit për Personat me Aftësi të Kufizuara, duke vlerësuar angazhimin e Parlamentit të Refugjatëve në këtë proces.

Aktiviteti i organizuar nga ncbi.ch dhe Parlamenti i Refugjatëve konfirmoi se gjithpërfshirja paraqet një domosdoshmëri që kërkon veprim të strukturuar dhe ndarje të pushtetit vendimmarrës. Në këtë kontekst, me zërin e artikuluar të Valdete Hotit dhe organizatave të tjera pjesëmarrëse me bashkëpunimin ndërinstitucional, rikonfirmohet si aktorë të rëndësishëm në ndërtimin e një shoqërie ku barazia është ajo që garantojmë në praktikë e jo vetëm në letër.