Lajme
Kërkesa për naftë gjatë vitit 2022 do të tejkalojë nivelet e para-pandemisë
OPEC i ka qëndruar parashikimit të mëparshëm se kërkesa botërore për naftë do të tejkalojë nivelet para pandemisë gjatë vitit 2022, megjithëse grupi prodhues tha se pushtimi i Ukrainës nga Rusia dhe zhvillimet e fundit të pandemisë së koronavirusit përbëjnë një rrezik të konsiderueshëm.
Në një raport mujor të publikuar të martën, Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) ruajti parashikimin e saj se kërkesa botërore për naftë do të rritet me 3.36 milionë fuçi në ditë gjatë vitit 2022, duke vazhduar kështu rikuperimin nga rënia e vitit 2020.
Lufta e Ukrainës bëri që ҫmimi i naftës për pak kohë të shkojë mbi 139 dollarë për fuçi në mars, shifra më e lartë që nga viti 2008, duke përkeqësuar presionet e inflacionit. Izolimet e shkaktuara nga COVID në Kinë, ku një shpërthim infektimesh në Pekin ka nxitur rifillimin e testimeve masive, kanë reduktuar kërkesën për naftë.
“Zhvillimet aktuale gjeopolitike dhe përhapja e pasigurt e pandemisë gjatë fundit të gjysmës së dytë të vitit vazhdojnë të përbëjnë një rrezik të konsiderueshëm për rimëkëmbjen e parashikuar, sipas së cilës do të arriheshin nivelet para pandemisë”, tha OPEC në raport.
“Presionet e inflacionit ka të ngjarë të vazhdojnë dhe mbetet ende e pasigurt se kur mund të zgjidhen problemet gjeopolitike. Megjithatë, kërkesa për naftë parashikohet në nivele të shëndetshme për gjysmën e dytë të këtij viti.”
Sipas raportit, konsumi botëror i naftës do të tejkalojë 100 milionë fuçi në ditë në tremujorin e tretë, në përputhje me parashikimet e mëparshme, dhe mesatarja e vitit 2022 do të arrijë në 100.29 milionë fuçi në ditë, pak mbi normën ku ndodhej para fillimit të pandemisë në vitin 2019.
OPEC e mbajti parashikimin e rritjes ekonomike botërore për këtë vit në 3.5%, duke shtuar se mundësia e uljes së kësaj shifre “mbetet e madhe” ndërsa potenciali i rritjes së saj është “mjaft i kufizuar”.
Nafta pësoi një rritje pas publikimit të raportit, duke u tregtuar në mbi 123 dollarë.
Prodhimi është në rënie
OPEC dhe aleatët e tij, të cilët përfshijnë edhe Rusinë, të njohur si OPEC+, po rrisin prodhimin e naftës ҫdo muaj, pas uljeve rekord që ndodhën gjatë periudhës më të keqe të pandemisë në vitin 2020.
Në takimin e fundit më 2 qershor, OPEC+ vendosi rritjen e prodhimit të naftës për të kompensuar humbjet nga Rusia dhe për të hapur rrugën për një vizitë në Arabinë Saudite nga Presidenti i SHBA, Joe Biden.
Megjithatë, OPEC+ nuk ka arritur të përmbushë objektivat e rritjes së prodhimit, për shkak të investimeve të pamjaftueshme nga disa anëtarë të OPEC-ut dhe, së fundmi, për shkak të humbjeve në prodhimin e Rusisë si rezultat i sanksioneve.
Raporti i OPEC tregoi se ky trend vazhdoi edhe në maj dhe se prodhimi i OPEC ra me 176,000 fuçi në ditë, duke shkuar në 28.51 milionë fuçi në ditë, për shkak të humbjeve në Libi, Nigeri dhe në vende të tjera.
Parashikimi i rritjes së furnizimeve në vitin 2022 nga vendet që nuk janë pjesë e OPEC u ul me 300,000 fuçi në ditë, duke shkuar në 2.1 milionë fuçi në ditë. OPEC uli parashikimin për prodhimin rus me 250,000 fuçi në ditë dhe e la të pandryshuar vlerësimin për rritjen e prodhimit të SHBA-së/Reuters
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Program përkujtimor kushtuar Masakrës së Reçakut Aktiviteti synon ruajtjen e kujtesës kolektive, nderimin e viktimave dhe përcjelljen e së vërtetës historike... -
Abdixhiku: Diaspora nuk i prish balancat demokratike në Kosovë, ajo i pasqyron ato -
PSHDK mohon legjitimitetin e degës së pretenduar në Vjenë -
Abdixhiku i drejtohet mërgatës: “Më 28 dhjetor, ejani dhe shpëtojeni Kosovën” -
“Netzwerk Dua”, inteligjenca që mbron pronën tënde në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Linjat telefonike pediatrike në kantone për të shmangur mbipopullimin e urgjencave Viruse që qarkullojnë gjerësisht dhe zyrat e mjekëve të mbyllura gjatë pushimeve shpesh sjellin pritje të... -
Diskutohet roli i shtëpive të pleqve në asistimin e vdekjes në Lucern -
Orari i ri i SBB-së ka hyrë në fuqi sot me ndryshime të mëdha -
Mediumi zviceran shkruan për vizitën e Kurtit në Zvicër para zgjedhjeve të parakohshme -
Policia e Bernës në kërkim të një personi të rrezikshëm, situata në Reconvilier është qetësuar












