Film

Enis Limani

Regjisor

Integrimi, asimilimi, konflikti mes gjeneratave, si dhe shkëputja apo edhe mbajtja e lidhjeve me vendin e origjinës, janë probleme që i hasim çdo ditë në mërgatën shqiptare në botë.

Janë pikërisht këto temat bosht të cilat pritet të shtjellohen në mini serialin “Lot Mërgimi”, i cili pati premierën e episodit të parë të dielën në Zofingen të Kantonit Aargau.

Edhe pse lokacioni nuk përmbushte kushtet për shfaqjen e një filmi, kjo nuk ishte aspak pengesë për shumë të ftuar, mysafirë e artdashës, në mesin e të cilëve edhe përfaqësues nga Ambasada e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë. Në emrin e Ambasadës së Kosovës publikut i është drejtuar ministri këshilltar, Mustafë Xhemajli ndërsa në emrin e asaj të Maqedonisë, Ekrem Ebibi, ushtrues detyre i ambasadorit.

I xhiruar në dy lokacione, ky serial mëton të sjellë para shikuesit peripecitë dhe hallet e dy familjeve shqiptarë, njëra në Kosovë e tjetra në Zvicër dhe vështirësitë e tyre me përballjen e realitetit, që shikuar nga pikëpamja e tyre, cilësohet si mjaft i hidhur.

Dalipi (Zijadin Murtezi), një pensionist invalidor në Zvicër, i cili me gjithë 40 vitet e qëndrimit në Zvicër, ende mundohet t`i mbajë të forta lidhjet me vendlindjen. Ai po ashtu mundohet t’ua imponojë të njëjtën gjë edhe fëmijëve të tij të lindur në Zvicër. E këta janë më shumë të interesuar për jetën e tyre në Zvicër, duke krijuar kështu edhe konflikt mes gjeneratave.

Në anën tjetër kemi  familjen në Kosovë, anëtarët e të cilës, dëshira për një jetë më të mirë në Zvicër, i shtyn drejt të panjohurës, që mund të ketë edhe pasoja.

Episodi i parë i serialit, kishte si qëllim që të njoftonte publikun me protagonistët dhe me problemet me të cilat ballafaqohen ata në jetët e tyre të përditshme, qoftë në Kosovë apo Zvicër.

Edhe pse ka vite që merret me këtë lëmi, seriali “Loti i Mërgimit”, është projekti i parë serioz i kameramanit dhe regjisorit Enis Limani. Pas një pune tejet të madhe, ai për Albinfo.ch tha se është tejet i kënaqur me atë që u shfaq në ekran, si dhe me punën e aktorëve dhe stafit teknik e organizativ.

Ndërsa Ajet Avdyli, drejtues i Shoqatës Kulturore Shqiptare “Faruk Begolli” në Grenchen të Solothurnit, ka theksuar se pos paraqitjes përmes artit të problemeve e halleve me të cilat përballen familjet shqiptare në Zvicër e Kosovë, ky projekt kishte për qëllim edhe inkuadrimin apo edhe zbulimin e artistëve të rinj në diasporë.

Edhe pse ka një përvojë 40 vjeçare në aktivitetin teatror e skenik, për shkrimtarin Agron Boriqi, ky ishte skenari i parë për një film. Skenaristi Boriqi thekson se qëllim i serialit është të nxisë integrimin e mërgatës në Perëndim, po në asnjë mënyrë edhe asimilimin e tyre. Projekti, të cilin ai e quan si “dramë sociale e realitetit njerëzor”, ka qëllim po ashtu ruajtjen e identitetit kombëtar të mërgatës.

Për aktorin kryesor Zijadin Murtezi, i cili ka një bagazh 35 vjeçar në film e teatër, seriali, pavarësisht mangësive të shumta teknike, tregon edhe një herë se kur ka vullnet mund të arrihet gjithçka.

Në rolet e tjera në serial paraqiten edhe aktorët Fatime Llugiqi, Emine Toska, Florim Brajshori, Kenan Gurgurovci etj.

Seriali “Loti i Mërgimtarit”, është një bashkëprodhim mes Shtëpisë Filmike VSE dhe Shoqatës kulturore Shqiptare “Faruk Begolli” në Grenchen. Për të plotësuar numrin e nevojshëm të aktorëve, sipas organizatorëve ka pasur dy konkurse, ku ka pasur mjaft të interesuar për të luajtur në serial. Si i tillë, seriali pritet të ketë gjithsej 6 episode, e që sipas skenaristit, skenari është pothuajse i gatshëm, ndërsa përgatitjet për episodin e dytë, pritet të fillojnë në prill të këtij viti.

Lotët e mërgimit 2

 Biografi e shkurt

  • Emri, MbiemriEnis Limani
  • Prejardhja:Preshevë-Serbi
  • Vendi ku vepron:Prishtinë-Kosovë
  • Profesioni:Regjisor
  • Kontakti www.video-enis.ch/

  WHO’S WHO të tjera