Lajme

Kisha e politizuar e Prishtinës

Ky objekt i papërfunduar i faltores ortodokse serbe “Krishti Shpëtimtar”, sipas Qeverisë së Kosovës por edhe sipas presidentit Hashim Thaçi është politizuar skajshëm dhe pa nevojë. Kërkesa për rrëzimin e kishës ortodokse nuk është religjioze, por politike

Një grup studentësh dhe profesorësh universitarë, që mbështesin kryesisht politikat e opozitës, po kërkojnë rrëzimin e një objekti fetar ortodoks (kishë) nga kampusi i Universitetit të Prishtinës. Kjo kërkesë nuk ka të bëjë me grupet islamike, por çështja është konsiderohet politike, pasi që kisha ishte ndërtuar nga regjimi i Milloshviqit, i cili vrau mijëra civilë shqiptarë në vitin 1998-1999.

Ky objekt i papërfunduar i faltores ortodokse serbe “Krishti Shpëtimtar”, sipas Qeverisë së Kosovës por edhe sipas presidentit Hashim Thaçi është politizuar skajshëm dhe pa nevojë.

Ndërtimi i këtij objekti fetar ka nisur në vitin 1992 dhe forma aktuale që shihet ka përfunduar më 1999. sipas Komunës së Prishtinës, kjo kishte është në mesin e objekteve pa leje dhe si e tillë shtënë mesin e objekteve që duhet rrënuar. Por, kundër kanë dalë presidenti dhe kryeministri i Kosovës.

Që nga vitit 1999 objekti ka mbetur vetëm në formën e vrazhdët. Një grup murgjish dhe besimtarësh ortodoksë serbë javën e kaluar bënë përpjekje për të pastruar objektin, por u ndaluan nga zyrtarët e komunës së Prishtinës, që thanë se “punimet nuk mund të kryhen pa një leje paraprake nga komuna”.

Në kundërpërgjigje, një grup studentësh protestuan para këtij objekti dhe vunë një pano me mbishkrim “ky është objekt i Millosheviqit”. Millosheviqi që mori epitetin “Kasapi i Ballkanit” u akuzua për nxitjen e luftës në Kroaci, Bosnje dhe Kosovë. Ai vdiq në Hagë nga sulmi në zemër.

Faton Abdullahu, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës, thotë për REL se çështja e objektit të faltores ortodokse serbe në kampusin universitar është politizuar skajshëm, por sipas tij, edhe panevojshëm.

“Tashmë e kemi kuptuar se çështja në fjalë është e ndjeshme në shumë aspekte. Situatës aktuale politike dhe jo vetëm asaj, duket se nuk i duhen, por edhe shihet se nuk i janë të nevojshëm as ata që paraqiten si viktima e as ata që duan të paraqiten si mbrojtës”, ka theksuar Abullahu.

Edhe igumeni Sava Janjiq, përfaqësues i Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, vlerëson se çështja e objektit të faltores ortodokse serbe “Krishti Shpëtimtar” është politizuar skajshëm dhe panevojshëm. Ai ka thënë se ai objekt nuk është politik.

“Bëhet fjalë për objektin, të cilin ka ndërtuar Kisha Ortodokse Serbe, e në përputhje me të gjitha ligjet e atëhershme dhe jo politikanët. Ky është objekt fetar dhe jo politik dhe për këtë arsye duhet të sigurohet që Kisha Ortodokse Serbe ta shfrytëzojë atë”, ka thënë igumeni Janjiq.

Ai ka shtuar se në Prishtinë janë ndërtuar dhe po ndërtohen objekte fetare edhe të konfesioneve tjera, islame dhe katolike, sikurse katedralja katolike “Nëna Terezë”, por edhe Xhamia qendrore, e cila është planifikuar të ndërtohet në afërsi të objektit kryesor të Postës së Kosovës, në Prishtinë.

Ismajl Hasani, profesor i sociologjisë së religjionit, vlerëson se reagimet e studentëve dhe menaxhmentit të Universitetit të Prishtinës, por edhe reagimet me tone të nxehta në rrjetet sociale nga qytetarët e Kosovës, nuk janë shprehje e aversionit ndaj një objekti të kultit ortodoks, për faktin se sipas tij, një pjesë e bashkëkombësve të tyre i takojnë po këtij kulti.

“Por, ambienti në të cilin është ndërtuar dhe rrethanat në të cilat është ndërtuar japin të kuptojmë dhe asociojnë në ngritjen e tensioneve, përkatësisht në shpërfaqjen e reagimeve qytetare, të cilat këtë objekt e shohin si diçka që asocon në regjimin e Millosheviqit, të keqes më të madhe të Ballkanit. Këtu nënkuptohet edhe vendi, përkatësisht ambienti, në të cilin është ndërtuar ky objekt, i cili i ka zënë frymën kampusit universitar”, ka thënë Hasani.

Por, igumeni Janjiq insiston që edhe besimtarët ortodoksë serbë kanë të drejtën që ta shfrytëzojnë këtë objekt dhe se sipas tij, kjo e drejtë duhet të sigurohet.

“Për besimtarët ortodoksë duhet të sigurohet liria e shfrytëzimit të këtij objekti, i cili është ngritur në tokën, e cila sipas kadastrës edhe më tej është pronë e Kishës Ortodokse Serbe. Kjo është zgjidhja e vetme e drejtë që ne e shohim. Thirrja për shembjen e këtij objekti ose marrjen e tij nga kisha jonë, thjeshtë është e dëmshme dhe kundër produktive”, tha Janjiq.

Në kohën kur ka filluar ndërtimi i kësaj kishe, rektori i atëhershëm i Universitetit të Prishtinës, Ejup Statovci, kishte dërguar kallëzim penal në gjykatë, duke kontestuar ndërtimin e objektit fetar në hapësirën e universitetit. Tashmë, që nga viti 2012, çështja e faltores ortodokse “Krishti Shpëtimtar” është në gjykatë, për të shqyrtuar legjitimitetin e kërkesave të të dyja palëve, Kishës Ortodokse Serbe dhe Universitetit të Prishtinës.