Lajme

Kjo kompani ajrore në Zvicër ofron deri në 15 mijë euro për largim vullnetar

Kompania ajrore në Zvicër jep deri në 15 mijë euro për të reduktuar stafin

Kompania ajrore Swiss International Air Lines (SWISS) ka nisur një ofertë të re për stafin e saj të kabinës, duke ofruar stimuj financiarë për ata që zgjedhin të largohen vullnetarisht ose të marrin një pauzë të përkohshme nga puna, transmeton albinfo.ch.

Që nga e premtja e kaluar, stjuardesat dhe stjuardët që vendosin të ndërpresin kontratën e tyre deri më 30 prill do të përfitojnë një bonus deri në 15,000 franga zvicerane, në varësi të nivelit të punësimit. Kushti kryesor është që largimi nga kompania të realizohet jo më vonë se fundi i gushtit 2026.

Përveç kësaj, SWISS ofron edhe mundësinë e kalimit në një kontratë të ashtuquajtur “pasive” (dormant), me kohëzgjatje minimale prej një viti, e cila u garanton punonjësve rikthimin në punë pas përfundimit të pauzës. Një bonus proporcional do të aplikohet edhe për ata që zgjedhin modelin “Study & Fly”, i cili u mundëson punonjësve të ndjekin studimet duke punuar me orar të reduktuar.

Oferta u drejtohet rreth 4,000 anëtarëve të ekuipazhit të kabinës me bazë në Cyrih. Sipas zëdhënëses së kompanisë, edhe më parë janë ofruar mundësi vullnetare si pushime pa pagesë apo ndërprerje individuale, të cilat janë shfrytëzuar nga shumë punonjës në përputhje me nevojat e tyre personale.

Megjithatë, kompania thekson se nuk ka në plan pushime nga puna. Sipas saj, reduktimi i stafit pritet të arrihet përmes këtyre masave vullnetare, ndërsa largimet e detyruara mbeten opsioni i fundit.

Aktualisht, SWISS vlerëson se deri në 300 anëtarë të ekuipazhit janë të tepërt në disa periudha të vitit, për shkak të ndryshimeve në oraret e fluturimeve, sezonalitetit dhe zhvillimeve operative. Kompania pret që kjo situatë të stabilizohet gradualisht dhe të rikthehet në normalitet deri në fillim të vitit 2027.

Një nga arsyet kryesore të kësaj gjendjeje lidhet me problemet e vazhdueshme me motorët e avionëve dhe mungesën e pilotëve, çka ka detyruar kompaninë të reduktojë numrin e fluturimeve dhe të mos angazhojë plotësisht stafin ekzistues.

Ndërkohë, kompania bën të ditur se është ende herët për të vlerësuar reagimin e punonjësve ndaj kësaj oferte, e cila është bërë publike vetëm pak ditë më parë./Albinfo.ch