Kosova

Koloneli Wojcik: Tërheqja e papritur e trupave amerikane do të shkaktonte pasiguri në Kosovë

SHBA mbeten kyçe për stabilitetin në Kosovë, paralajmërohet për pasoja nga çdo tërheqje e trupave amerikane

Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten shtylla kryesore e stabilitetit në Kosovë, dhe çdo ndryshim i papritur në pozicionimin e trupave amerikane në vend mund të krijojë pasiguri dhe të rrisë hapësirën për ndikime të jashtme. Kështu ka paralajmëruar koloneli amerikan në pension Ray Wojcik, ish-udhëheqës i Zyrës së Bashkëpunimit të Mbrojtjes në Ambasadën amerikane në Prishtinë, përcjell albinfo.ch.

Debati mbi këtë çështje u hap këtë javë, pasi gazeta amerikane Politico raportoi, duke cituar katër diplomatë të NATO-s, se SHBA-ja po kërkon nga aleanca që të reduktojë angazhimin e saj jashtë vendit, përfshirë edhe misionin paqeruajtës në Kosovë, KFOR.

Sipas të njëjtit burim, një tërheqje ose zvogëlim i papritur i forcave amerikane do të mund të ndikonte negativisht në situatën e sigurisë në rajon, duke krijuar vakum strategjik dhe duke rritur rrezikun e ndikimeve destabilizuese.

Aktualisht, në kuadër të misionit të KFOR-it shërbejnë rreth 590 trupa amerikane, të cilat luajnë rol kyç në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë.