Shqipëria
Kompania austriake që menaxhon Lotarinë Kombëtare pritet të largohet nga Shqipëria
Austriakët e Lotarisë Kombëtare, drejt largimit nga Shqipëria
Pritet të largohet kompania austriake që menaxhon Lotarinë Kombëtare nga Shqipëria, pas përfundimit të vlefshmërisë së licencës së fituar në vitin 2012, përcjell albinfo.ch.
Burime pranë kompanisë bëjnë të ditur se performanca e dobët e kompanisë që prej fillimit të aktivitetit ka bërë që aksionerët të orientohen drejt vendimit për të mos e rinovuar licencën 10-vjeçare.
Albanisch Osterreichische Lotterien Holding e mori licencën për organizimin e Lotarisë Kombëtare në vjeshtën e vitit 2012, ndërsa ajo u ratifikua nga Kuvendi i Shqipërisë në mars 2013 dhe kjo mund të konsiderohet si data efektive e hyrjes në fuqi të koncesionit. Pasqyrat financiare të kompanisë tregojnë se deri në fund të vitit 2019 kompania kishte akumuluar humbje totale në vlerën e 2.7 miliardë lekëve, gati 22 milionë eurove. Për të mbuluar humbjet, aksioneri ka kryer injektime periodike të kapitalit në shoqërinë shqiptare, injektime që kanë vazhduar edhe gjatë vitit 2020 dhe 2021.
Referuar analizës financiare të menaxherëve të shoqërisë, humbjet i atribuohen fazës fillestare, që përfshin investime dhe shpenzime mjaft të larta në marketing, zhvillimeve të tregut dhe performancës së pakënaqshme të produkteve. Në vitin 2016, 100% të aksioneve të shoqërisë mëmë dhe kontrolluese e tërhortë e lotarisë Kombëtare Österreichische Lotterien Gesellschaft m.b.H. u blenë nga Novomatic Gaming Industries. Kalimi i pronësisë u plotësua në 30 nëntor 2016, me përmbushjen e kushteve të mbylljes siç është përcaktuar në këtë marrëveshje, në përputhje me aprovimet e kërkuara nga autoritetet përkatëse në Shqipëri si një parakusht për transferimin e pronësisë.
Në vijim të ndryshimit të pronësisë, Lotaria Kombëtare ka rishikuar strategjinë e biznesit dhe strukturën operacionale, duke e përshtatur atë më shumë me nevojat e tregut lokal dhe duke optimizuar portofolin e produkteve. Megjithatë, performanca e kompanisë nuk ka shënuar përmirësime të dukshme në shifra. Vetëm për vitin 2019 shoqëria realizoi humbje neto në vlerën e 354 milionë lekëve, në rritje me 15% krahasuar me vitin 2018.
Burimet bëjnë të ditur se kompania ka kërkuar nga Qeveria shqiptare një zgjerim të aktiviteteve të lojërave të fatit të lejuar në licencë, me qëllim operimin në aktivitete të ngjashme me ato të kazinove. Por, qeveria shqiptare nuk e ka miratuar një kërkesë e tillë dhe kjo i ka shtyrë austriakët të mendojnë largimin, duke qenë se aktivitetet e deritanishme nuk po rezultojnë fitimprurëse. Biznesi i Lotarisë Kombëtare mbështetet kryesisht te biletat gërvishtëse dhe te lojërat me përzgjedhje të numrave me short.
Dhënia e licencës së Lotarisë Kombëtare në vitin 2012 ishte një proces që u shoqërua me akuza të ashpra nga opozita dhe nga kompani të tjera të interesuara. Lotaria Kombëtare raporton në pasqyrat e saj financiare se ka paguar 500 milionë lekë për marrjen e licencës 10-vjeçare. Opozita e atëhershme dhe dy kompani të tjera të interesuara pretendonin se licenca të këtij lloji vlenin 10 herë më shumë dhe e akuzuan Qeverinë shqiptare për garë me kritere përjashtuese, me qëllim paracaktimin e fituesit, shkruan monitor.
Pas ndryshimit të pushtetit në vitin 2013, çështja e licencës së Lotarisë Kombëtare nuk u prek më nga qeveria e re. Megjithatë, vitet në vijim treguan se për austriakët marrja e kësaj licence nuk rezultoi një biznes shumë i levërdishëm.
Të ngjashme
Të tjera nga Shqipëria
E-Diaspora
-
Program përkujtimor kushtuar Masakrës së Reçakut Aktiviteti synon ruajtjen e kujtesës kolektive, nderimin e viktimave dhe përcjelljen e së vërtetës historike... -
Abdixhiku: Diaspora nuk i prish balancat demokratike në Kosovë, ajo i pasqyron ato -
PSHDK mohon legjitimitetin e degës së pretenduar në Vjenë -
Abdixhiku i drejtohet mërgatës: “Më 28 dhjetor, ejani dhe shpëtojeni Kosovën” -
“Netzwerk Dua”, inteligjenca që mbron pronën tënde në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Mungesa e fondeve vonon lançimin e kartës elektronike të identitetit të Zvicrës Zhvillimi i e-ID, i miratuar në një referendum në shtator 2025, ishte planifikuar për vjeshtën e... -
Treni i ri i natës nga Berna drejt qyteteve evropiane nis më 2026 -
Zvicra me çmimet më të larta në Evropë -
Sa kushton marrja e shtetësisë zvicerane -
Linjat telefonike pediatrike në kantone për të shmangur mbipopullimin e urgjencave













