Lajme
Kompanitë fantome sërish “djegin” kosovarët: Shesin bileta pa fluturime!
Këtë sezon janë “kompanitë” Prishtina Airlines dhe “Kosova Airways” ato që po dërgojnë mesazhe joshëse elektronike për t`i shitur biletat për fluturimet që nuk i kanë askund
Në prag të çdo sezoni të verës, kryesisht në Zvicër dhe në Gjermani, paraqiten kompani “zemërgjera” që përmes mesazheve telefonike ofrojnë bileta më të lira se konkurrenca, për në Kosovë ose në Maqedoni. Dhe, duke llogaritur në dëshirën e secilit për të gjetur një biletë të lirë për në atdhe, ato çdo herë gjejnë mjaft viktima ndër bashkatdhetarët tanë. Këtë ua lehtëson edhe fakti se pronarët u vënë firmave të tyre fiktive emra që ngjajnë shumë me firmat e njohura dhe të etabluara në tregun e biletave.
Këtë sezon janë “kompanitë” Prishtina Airlines dhe “Kosova Airways” ato që po dërgojnë mesazhe joshëse elektronike për t`i shitur biletat për fluturimet që, sipas personave “të djegur”, nuk i kanë askund.
Vlora Sh. R dhe Gëzim L. janë dy nga bashkatdhetarët që janë “djegur” nga kompanitë në fjalë.
“Fluturimi është anuluar” ndërsa paratë nuk i kthejnë!
Ja se çfarë shkruan Vlora SH.R, e cila ka blerë biletë te “Prishtina Airlines”, duke iu drejtuar facebook-ut të albinfo.ch. “Si gjithë herë vllaznit tanë po na rrejnë dhe po na tradhtojnë. Edhe unë u bëra viktimë e këtyne personave të prishtë. E kam rezervu ni Bilet te Prishtina Airlines po me thirren dhe me than se Fluturimi asht anulu, dhe paret nuk i kthejnë. Deri kur kështu? Nuk asht ne rregull kjo se çka po na ndodh neve të diasporës!! Nuk kem shtet dhe as drejtësi. Do vjen koha se krejt diaspora ma nuk shkon ne Kosovë se vetëm po na thyejnë gjithë herë e ma shum”.
Vlora ka sjellë edhe dëshminë e pagesës së biletës së paguar 460 franga për fluturimin që nuk çon askund.
Ngjashëm shkruan edhe Gëzim L. nga Cyrihu. Ai njofton për agjencinë KosovaAirways e cila, sipas tij, ofron rezervime për fluturimet Basel-Prishtinë por nuk ka aeroplanë.
“Jam Gezim Lika prej curihut dhe deshta te ju informoj diqka qe ju te mundeni ta informoni per nje angension Kosova Airways bane reservon fluturime Basel Prishtin edhe nuk ka Airoplana eshe te mashtru Populin Shqiptar”.
Albinfo.ch ka bërë përpjekje të kontaktojë kompanitë e përmendura për të kërkuar sqarime nga to, por nuk ka pasur përgjigje.
Ndërkaq agjencia e njohur “Air Prishtina”, me emrin e të cilës kryesisht manipulojnë “kompanitë” fantome (duke u përpjekur t`i përngjajnë) e ka të njohur këtë problem.
“Air Prishtina”: Këto kompani fantome dëmtojnë rëndë reputacionin tonë
Ja se si i përgjigjen në këtë kompani pyetjes së albinfo.ch lidhur me gjithë këtë. “Edhe këtë vit sikur edhe vitet e kaluara, agjencione fantome i terrorizojnë mërgimtarët me SMS-oferta të ndryshme të cilat në shumicën dërmuese të rasteve janë fallco. Këtë fenomen na e vërtetojnë mërgimtarët tanë edhe neve, të cilët po na telefonojnë vazhdimisht këtyre ditëve dhe po tregojnë se rezervimet e tyre nuk janë valide, dhe të ashtuquajturat agjencione një ditë para fluturimit i kanë kontaktuar që t`ju japin informatën kinse `aviokompania me të cilën është dashtë të realizohet fluturimi ka falimentuar`.
Agjencionet e tilla fantome, ndër të tjera, keqpërdorin edhe emrin e firmës tonë Air Prishtina, duke e deformuar emrin në SMS-ofertat e tyre: herë shënojnë AEROPRISHTINA, herën tjetër PRISHTINA AIR, ose PRISHTINA AIRLINES apo të ngjashme, në mënyrë që klientët të hutohen dhe mos ta vërejnë dallimin.
Fatkeqësisht, ky manipulim me mërgatën tonë po ndodhë çdo vit, sidomos në kohën e sezonit të lartë kur mërgimtarët planifikojnë pushimet verore. Ky fenomen jo vetëm që po dëmton klientët të cilët bien pre e këtyre manipulimeve, por jashtëzakonisht po na dëmton edhe neve si firmë serioze e cila merret me këtë biznes pothuajse 4 dekada me radhë”, thuhet në përgjigjen që Air Prishtina jep për albinfo.ch.
Edhe mediat zvicerane merren me këtë problematikë
Lidhur me këtë temë ka publikuar sot një artikull edhe portali i njohur zviceran watson.ch. Duke iu referuar njërit nga “të djegurit”, Watson.ch e hulumton problemin dhe vjen në konstatimin e ngjashëm se kjo dukuri është mjaft gjerësisht e pranishme në Zvicër. Prokuroria Publike e Bazelit ka thënë për portalin në fjalë se viteve të fundit “ka marrë shumë kallëzime penale me qindra persona të prekur” lidhur me po këtë problem. Ndërsa sipas një zëdhënëseje të Policisë së Kantonit të Cyrihut, kjo dukeuri njihet edhe këtu. “Pa në vazhdimësi padi dhe jo vetëm me agjenci turistike kosovare por edhe me të tjera”. Por, ka thënë ajo, për të vepruar kundër mashtruesve të dyshuar jashtë vendit nevojitet një kërkim ndihme juridike (nga vendi përkatës). Ndërsa duke qenë se shitjet janë bërë online nuk është aspak e lehtë që të hetohen mashtruesit konkretë dhe aq më pak ata që udhëheqin këto biznese nga pas.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Kurti në Cyrih: Mërgata nuk është rezervë emocionale, por forcë zhvillimi dhe shtyllë e shtetit Kurti sonte në Cyrih: “Nga ndjenja kombëtare te vetëdija shtetërore – diaspora si partner i Kosovës”... -
Gjykata Federale mbështet dënimin e shtetasit kosovar për tentativë vrasjeje -
Elina Duni, Ambasadorja e Xhazit Modern: Fituesja e Swiss Jazz Award 2025 -
Dega e LDK-së në Austri kandidon Besart Berishën për deputet të Parlamentit të Kosovës -
Suzanna Shkreli kandidon për Sekretare Shteti në Michigan
Jeta në Zvicër
-
Ministri Pfister: “30 avionë nuk janë të mjaftueshëm në planin afatgjatë” "Do të ishin të mjaftueshëm vetëm për vendosje afatshkurtra, por jo për mbrojtje të qëndrueshme"... -
Gjykata Federale mbështet dënimin e shtetasit kosovar për tentativë vrasjeje -
Përleshje në mes të shqiptarëve në Romanshorn, shtatë të plagosur -
Rrjedhje klori në pishinë në Etoy, Vaud – 3 të shtruar në spital me helmim -
Vaud: Sindikatat, të pakënaqura me lëshimet e bëra nga qeveria














