Lajme

Kontakt “lëkurë me lëkurë” për foshnjat e parakohshme, risi në Zvicër

Në Qendrën Spitalore Universitare të Lozanës (CHUV), është aplikuar për herë të parë në Zvicër metoda e kontaktit “lëkurë me lëkurë” për foshnjat e lindura para kohe, duke filluar nga java e 32-të e shtatzënisë.

Kjo praktikë lejon që i porsalinduri të vendoset menjëherë mbi kraharorin e nënës ose, në raste të caktuara, të babait, duke synuar uljen e stresit të lindjes dhe stabilizimin e gjendjes së foshnjës.

Sipas drejtueses së neonatologjisë në CHUV, Charlotte Tscherning, kjo qasje i jep përparësi afërsisë natyrore mes prindit dhe fëmijës, ndërsa ekipi mjekësor kryen njëkohësisht të gjitha procedurat e nevojshme për monitorim dhe trajtim.

Foshnjat e lindura para kohe janë veçanërisht të ndjeshme, pasi organet e tyre nuk janë plotësisht të zhvilluara. Kontakti i drejtpërdrejtë me prindin ndihmon në rregullimin e temperaturës, frymëmarrjes dhe në uljen e stresit nga kalimi i menjëhershëm në mjedisin e jashtëm.

Ekspertët theksojnë se kjo metodë ndikon pozitivisht edhe në zhvillimin afatgjatë të trurit të foshnjës, ndërsa për nënën ndihmon në forcimin e lidhjes emocionale dhe në fillimin e prodhimit të qumështit.

Aktualisht, teknika zbatohet për lindjet natyrale, ndërsa në të ardhmen planifikohet të zgjerohet edhe për lindjet me prerje cezariane dhe për foshnjat më të parakohshme, nga java e 28-të.