Kosova

Kosova këtë verë, pa mërgimtarët, priten humbje në ekonomi

"Në këtë moment, nuk do t`i preferoja askujt të udhëtojë në Kosovë. Rreziku i infeksionit është shumë i lartë dhe mundësitë mjekësore janë të ulta. Nuk ia vlen të marrësh mbi vete këto rreziqe"

Ish-Avokati i Popullit dhe ish-deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje në Parlamentin e Kosovës, Sami Kurteshi, në një intervistë për portalin zviceran watson.ch flet lidhur me gjendjen në Kosovë, të kapluar nga koronavirusi. Kurteshi njihet për faktin se ka jetuar rreth 15 vjet si emigrant politik në Zvicër, ku ka mbaruar studimet për shkenca politike dhe të drejtën ndërkombëtare, shkruan albinfo.ch.

“Ne jemi një nga vendet evropiane ku numri i infeksioneve po rritet më së shumti. Aktualisht kemi rreth 200 infeksione të reja në ditë dhe gjithsej mbi 100 njerëz kanë vdekur që prej fillimit të krizës. Në krahasim me Zvicrën, e cila ka rreth katër herë më shumë banorë se Kosova, këta janë numra dramatikë”.

“Kosova shpesh konsiderohet si `kantoni i 27-të i Zvicrës`. Ndërkaq, sipas Zyrës Federale të Shëndetit Publik, ajo tani është një nga”pikat e kuqe” sa i përket rrezikut nga koronavirusi. A nuk do ta dëgjojmë me të vërtetë gjatë kësaj vere gjermanishten zvicerane në sheshet e Kosovës?”, është pyetja e gazetares.

“Fatkeqësisht, vështirë. Në mes të korrikut, rrugët tona normalisht duhej të ishin plot me makina me targa të Cyrihut, Gjenevës ose St.Gallenit. Në qytetin e Gjilanit, prej nga vi unë, zakonisht gjatë verës ka dyfish më shumë vetura se zakonisht. Dhe për shkak se rrugët janë të ngushta, bëhen bllokime të mëdha trafiku gjatë gjithë ditës. Përveç kësaj, baret dhe restorantet do të ishin përplot dhe jeta në vlugun më të madh. Por tani gjithçka është e qetë, sikur në muajt e pranverës apo vjeshtës”, thotë më tutje Kurteshi.

Por, ajo që është më e dhimbshme në këtë mes është humbja që do të pësojë ekonomia edhe ashtu e brishtë e Kosovës, thekson politikani nga Kosova, transmeton albinfo.ch. “Mbi të gjitha, kjo do të thotë humbje ekonomike me përmasa të pashembullta. Rreth një e treta e popullatës kosovare jeton jashtë vendit. Nëse shumë nga këta njerëz nuk vizitojnë Kosovën gjatë verës, konsumi do të bjerë plotësisht.

Problemi me Kosovën është se ne nuk kemi ndërmarrje të mëdha prodhuese që do të eksportonin mallra. Për më shumë se gjysmë shekulli, `artikulli i vetëm i eksportit` i Kosovës kanë qenë njerëzit, transmeton albinfo.ch median zvicerane. Pa këta, do të jetë e vështirë për shumë njerëz, kjo është e sigurt. Mjaft dyqane do të falimentojnë. Unë do t’ju jap një shembull: vëllai im ka tre markete të vogla. Ai thotë se shitja rritet dhjetëfish në korrik dhe gusht. Pas kësaj, numrat zbresin poshtë dhe vetëm në dhjetor, rreth festave të Krishtëlindjes, ato përsëri rriten”.

Kurteshi flet edhe për “industrinë” e dasmave, e cila pritet të pësojë rëndë nga mungesa e diasporës, transmeton albinfo.ch. “Dasmat do të bien në ujë. Dhe kjo nuk është vetëm një dëm që do të mungojnë festat e bukura. Është një industri e tërë që po shkatërrohet. Dasmat në Kosovë pothuajse konsiderohen si industri më vete. Ka shumë para nga kjo. Ka pasur madje edhe këngëtarë të dasmave që kanë protestuar” (kundër masave mbrojtëse, v.j.). Në Kosovë njerëzit janë shumë të dhënë pas argëtimit në dasma. Prandaj është një dramë më vete për ta që dasmat tani janë ndaluar.

Pyetjes nëse ka kosovarë nga Zvicra, që përkundër rekomandimeve nga BAG, shkojnë për pushime në Kosovë, Kurteshi i përgjigjet se janë shumë të pakët, përcjell albinfo.ch. Por nëse vendimi i BAG për të futur Kosovën në “zonën e kuqe” ishte i ekzagjeruar, politikani nga Kosova përgjigjet: “Jo. Në këtë moment, nuk do t`i preferoja askujt të udhëtojë në Kosovë. Rreziku i infeksionit është shumë i lartë dhe mundësitë mjekësore janë të ulëta. Nuk ia vlen të marrësh mbi vete këto rreziqe”.