Kosova

Kosova në prag të krizës së re politike

Dhjetë ditë para afatit, intensifikohen takimet për presidentin, zgjedhjet mbeten opsion real

Pikërisht në dhjetëditëshin e fundit të afatit për publikimin e kandidatit për president të Kosovës, subjektet politike kanë nisur takimet për këtë çështje. Megjithëse asnjëra prej tyre nuk i ka 80 votat e nevojshme për zgjedhjen e presidentit të ri, përfaqësuesit politikë deklarojnë se po bëjnë përpjekje që vendi të mos përfundojë sërish në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Megjithatë, analisti politik Afrim Kasolli i sheh deklaratat dhe takimet e fundit më shumë si një përpjekje për të shmangur përgjegjësinë në rast të një krize të re politike.

“Jemi pothuajse në të njëjtin terren politik sikur vitin e kaluar, ku subjektet opozitare po bëjnë lojë se cila prej tyre ka më pak faj nëse eventualisht futemi në krizën e re që po na pret…”, tha Kasolli.

Nga ana tjetër, kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se asnjë subjekt politik në zgjedhjet e fundit nuk ka garuar me ndonjë kandidat për president. Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje deri më tani nuk ka mbledhur nënshkrime për asnjë kandidat presidencial, përfshirë edhe presidenten aktuale Vjosa Osmani.

Kasolli vlerëson se LVV nuk ka interes ta mbështesë Osmanin edhe për një mandat tjetër. Sipas tij, nëse Kurti vendos t’i përmbushë zotimet e marra në Bruksel, mund t’i konvenojë më shumë një president me sfond heroik apo patriotik.

“Me Osmanin nuk ka pasur telashe sa i përket menaxhimit të brendshëm të jetës politike institucionale, por duket se ka ndjerë një lloj rivaliteti, sidomos sa i përket performancës ndërkombëtare. Kurti për një kohë të gjatë, për shkak të këtyre temave, ka qenë i izoluar ndërkombëtarisht, ndërsa Vjosa e ka shfrytëzuar performancën e saj diplomatike, gjë që sipas gjitha gjasave LVV nuk është ndjerë mirë me këtë mesazh”, theksoi ai.

Ndërkohë, mundësinë e zgjedhjeve të reja nuk e përjashton as hulumtuesi i Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Eugen Cakolli.

“Zgjedhjet e reja janë opsion real aq sa zgjedhja e presidentit të ri…”, deklaroi Cakolli.

Sipas tij, nëse vendi shkon në zgjedhje për shkak të moszgjedhjes së presidentit, datat e mundshme për mbajtjen e tyre do të ishin muaji prill ose maj. Në të kundërtën, nëse deri më 4 mars nuk zgjidhet presidenti i ri, vendi do të përfundojë në zgjedhje të jashtëzakonshme./rtv21